Integrimi në BE, Rama: Shqipëria nuk ka plan ”B”
Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, Rama u shpreh edhe se brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet.
”Ndërsa i qasemi një viti të ri zgjedhor, jam i sigurt që pyetjet për zgjedhjet e përgjithshme që po vijnë, do të zënë shpejt vend në shkresat e raportet tuaja. Kam një ide mjaft të mirë se kush do të dalë fitues.
Përtej shakave, mund t’ju siguroj se paçka se për kë palë politike do të votojnë shqiptarët, ata që të gjithë do të vendosin t’u qëndrojnë vlerave dhe parimeve të komunitetit euroatlantik.
Të nxisin arritjen e objektivit historik për t’u bërë anëtarë të mirë e krenarë të familjes së bashkuar evropiane, të mbështetin liritë individuale, shtetin e së drejtës dhe demokracinë”,-tha Rama.