Inteligjencës artificial, Selia Shenjte: të vlerësosh rreziqet është akt përgjegjësie
Delegacioni i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork mirëpret mandatin e besuar një grupi shkencor për të hartuar vlerësime mbi ndikimin e inteligjencës artificiale, me qëllim hedhjen e temeleve për një menaxhim global të saj: “Shqyrtimi etik duhet të orientojë që në krye të herës aspektet teknike”.
Vlerësimi i mundësive dhe i rreziqeve që lidhen me inteligjencën artificiale nuk do të thotë “të pengosh progresin”, përkundrazi, të kryesh një akt përgjegjësie. Për këtë arsye, delegacioni i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, e “mirëpriti” mandatin besuar Panelit të Pavarur Ndërkombëtar Shkencor mbi Inteligjencën Artificiale (IA-në) për të “zhvilluar vlerësime shkencore të bazuara në prova dhe për të shqyrtuar me kujdes rreziqet e ndikimet e IA-së, me qëllim që të sigurohet një bazë e fortë shkencore për qeverisjen e saj”. Kjo është zemra e komunikimit të përfaqësuesve të Selisë së Shenjtë në OKB, shprehur dje, më 19 qershor, gjatë “dialogut interaktiv” me bashkëpresidentët e të njëjtit ekip shkencor.
Administrim me përgjegjësi i teknologjisë
Grupi do ta paraqesë raportin e tij të parë vjetor në më pak se një muaj në Gjenevë, në Zvicër, e gjatë një takimi global mbi qeverisjen e IA-së. “Shpresojmë se ky raport do të ndihmojë në udhëheqjen e diskutimeve të bashkësisë ndërkombëtare, në një kohë veçanërisht të rëndësishme”, theksuan përsëri delegatët e Selisë së Shenjtë.
Një proces qeverisjeje ky mjaft i rëndësishëm, shtuan ata, sidomos në kushtet kur ndryshimet teknologjike po ecin me hapa jashtëzakonisht më të shpejtë se proceset ligjvënëse kombëtare dhe ndërkombëtare. “Teknologjia”, deklaroi delegacioni i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara gjatë “dialogut interaktiv”, “nuk është kurrë neutrale. Pasqyron në mënyrë të pashmangshme përparësitë dhe hamendësimet e atyre që e projektojnë, e financojnë, e rregullojnë dhe e përdorin. Çdo sistem përfshin zgjedhje përmes asaj që mat, asaj që injoron dhe asaj që optimizon. Për këtë arsye, konsideratat etike duhet t’i udhëheqin që nga fillimi aspektet teknike, në vend që t’i trajtojnë si aksesor ose si mendim i mëvonshëm”.
Vendi i parë i etikës, mbi tekniken
Këto konsiderata pasqyrojnë mesazhin e enciklikës së fundit të Leonit XIV, Magnifica Humanitas. Papa thekson se “gjykimi etik”, në vlerësimin e një sistemi teknologjik, duhet të shqyrtojë jo vetëm vlefshmërinë e qëllimeve të sistemit, por edhe “çfarë vizioni i personit njerëzor dhe i shoqërisë mishërohet në të dhënat dhe modelet që e udhëheqin atë”.
Delegacioni, në përfundim të fjalës, përsëriti interesin e Selisë së Shenjtë për “pjesëmarrje konstruktive në përpjekjet ndërkombëtare, për të siguruar që inteligjenca artificiale të vërë në lëvizje dinjitetin njerëzor”.
Vatican News
KOHA JONË SONDAZH

