Interpelancë me shoqatat e personave me aftësi të kufizuar/Manastirliu: Zgjerohet skema e mbrojtjes sociale

Zgjerohet skema e përfitimeve edhe për ato individë që nuk përfitonin nga skema e kontributeve shoqërore. Në ligjin e ri të asistencës sociale do të përfshihen në Programin e pagesave për personat me aftësi të kufizuara edhe ata individë që përjashtoheshin nga skema e mbulimit nga kontributet shoqërore për shkak të mungesës së sigurimeve gjatë pesë viteve të fundit.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë interpelancës me përfaqësues të shoqatave të personave me aftësi të kufizuar, në kuadër të Platformës së Bashkëqeverisjes.

“Ligji i ri i miratuar i asistencës sociale hap rrugën edhe për përfshirjen e atyre personave të cilët nuk përfshiheshin në skemën e sigurimeve shoqërore për shkak se nuk kishin një vit pune të siguruar në 5 vitet e fundit. Do të jenë më shumë se 3000 individë të cilët do të përfshihen në skemën e asistencës sociale nëpërmjet programeve të mbështetjes sociale për personat me aftësi të kufizuara”, tha Manastirliu.

Në interpelancën me përfaqësuesit e shoqatave të personave me aftësi të kufizuar, Manastirliu theksoi se Ligji i ri për asistencën sociale parashikon heqjen e tavanit të periudhës 48 mujore të përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar për ata persona me aftësi të kufizuar të cilët janë në punë, duke e dhënë këtë pagesë për gjithë jetën.

Manastirliu i është përgjigjur pyetjeve gjatë interpelancës për risitë që sjell reforma e aftësisë së kufizuar, duke theksuar faktin se në çdo hap do të konsultohet me grupet e interesit. Reforma përcakton ndryshimin e vlerësimit për personat me aftësi të kufizuar duke perfshirë vlerësimin e ri bio-psiko-social sipas klasifikimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe pritet të shtrihet në të gjithë vendin brenda vitit 2024.

“Ne kemi ndërmarrë një reformë e cila ndryshon katërcipërisht mënyrën e vlerësimit të personave me aftësi të kufizuar duke përfshirë gjithashtu edhe punonjës socialë brenda komisioneve të vlerësimit. Flasim për një vlërësim të ri bio-psiko-social që bazohet në instrumentat më të mirë që ka ngritur Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe struktura të tjera që merren me vlerësimin e aftësisë së kufizuar të cilat ne po i adaptojmë dhe po i aplikojmë në njësitë administrative 6-7 dhe brenda vitit shtrihemi në të gjithë Tiranën”, është përgjigjur Manastirliu.

Duke i’u përgjigjur pozitivisht pyetjes nëse reforma e aftësisë së kufizuar do të përfshijë personat që nuk dëgjojnë, Manastirliu tha se reforma e re synon integrimin e personave me aftësi të kufizuar nëpërmjet alternimit të shërbimeve në komunitet bazuar në një kategorizim të aftësisë së kufizuar, duke theksuar qasjen multidisiplinare.

“Integrimi i personave me aftësi të kufizuar në jetën sociale është një objektiv kyç i kësaj reforme dhe ne kemi një qasje shumësektoriale, sepse të gjitha institucionet e linjës, Ministria e Financave me Shërbimin Kombëtar të Punësimit, Ministria e Arsimit me shkollat profesionale, apo Bashkitë me shërbimet që kanë, do të jenë pjesë e reformës në aspektin e integrimit të skemës së mbrojtjes sociale dhe të përfshirjes sociale”, u përgjigj Manastirliu.

SHKARKO APP