Interpol për mafien shqiptare në Europë: Brutalë dhe besnikë
Kapja e një ton kokaine në Spanjë, nxorri në dritë rolin e mafies shqiptare në Europë. Kokaina e ardhur nga Kolumbia, pritej në aeroportin e Madridit nga dy shqiptarët: Julian Deblini dhe Dritan Gradica. Sipas mediave spanjolle, ata janë me përgatitje ushtarake dhe kanë marrë pjesë në disa luftëra në Ballkan.
Ndërsa sot, mediet në Spanjë zbardhën raportin e Interpol, për mafien shqiptare që vepron në Europë. Fjalë bëhet për një rrjet të madh të shqiptarëve, të cilët sjellin drogë nga Kolumbia në Europë përmes Spanjës, që shërben si portë hyrëse në kontinentin e vjetër.
”Shumë anëtarë të këtij rrjeti kanë marrë pjesë në luftimet në Ballkan, dhe për këtë arsye ata veprojnë me profesionalizëm ushtarak. Ata njihen për brutalitetin dhe efektivitetin e tyre”, thuhet në raportin e Interpol.
Të dhënat e tjera për këtë rrjet mafioz të shqiptarëve tregojnë se si anëtarët fitojnë respektin e pjesëtarëve të tjerë. ”Ky rrjet kriminal që vjen nga vendet e Evropës Lindore karakterizohet nga mënyra e tyre e punës, që njihet për besnikërinë e anëtarëve. Besnikërinë e tyre ata e menaxhojnë duke kontrolluar familjet e tyre në Shqipëri përmes pagesave ndaj tyre, por edhe duke i marrë peng, dhe në këtë mënyrë ata zgjerojnë lidhjet e tyre dhe shtrijnë tentakulat në të gjithë Evropën”.
KOHA JONË SONDAZH

