Intervista pas shkarkimit/ Kiço Londo: Kolegët e mi? Janë të fajshëm. Për ata që u paguan kam dëshpërim

Kiço Londo, nga drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental, në drejtues të Teatrit Shëtitës, që rikthehet tashmë, por jashtë kufijve. Duket si ekzil i dyfishtë, megjithëse vetë slogani, flet shumë. Ai vjen me një teatër shëtitës që e nis rrugëtimin e tij në Gjakovë. Në të parën intervistë pas shkarkimit, Londo rrëfen edhe përjetimet e perceptimet, në kohët e lirisë së madhe e vetmisë së Madhe.

Si e rinis jetën e tij Teatri Shëtitës “Çajupi”?

Kiço Londo: Në kohë të çmendur të qëndrosh përballë çmendurisë, është çmenduri. Ky do te jetë slogani që do të shoqërojë Teatrin Shëtitës gjatë vitit 2021. Për temë kemi zgjedhur kufijtë dhe për ta bërë me evidente filluam me kufirin formal mes Shqipërisë e Kosovës. Ne do të merremi me kufij të tjerë, me kufij midis nesh dhe brenda nesh. Po e fillojmë me teatrin e qytetit Gjakovës, “Hadi Shehu” një emër i madh i gjithë hapësirës shqiptare që e kam njohur personalisht dhe kam kujtime të mira me të. Për të vijuar në Maqedoni dhe në Mal të zi, me shpresën që e gjithë kjo lëvizje e jona do të jetë një lloj shkundje që edhe ne të hapim ambientet e mbyllura duke respektuar rregullat. Do të fillojmë me “Boeing- Boeing” që ka kaluar 150 shfaqje dhe ka një sukses të madh sepse në të ka aktorë humori me emër. Dhe është një kastë aktorësh që jam plot gëzim kur i mbledh e komunikoj me ta.Paralelisht me këtë meqë më pyetet se si ndihem nga drejtor zyrtar në një drejtues jo zyrtar, ndjehem mirë e me energji. Po bëhemi gati të nisim me Elektrën dhe po bëhemi gati të fillojmë me Makbethin që është ndërmarrje shumë e madhe pa lanë pas dore edhe komeditë e veprat me një aktor. Kam filluar nga puna me një vepër irlandeze, që është monokomedi me titull “Divorci im i shkëlqyer” dhe aktorja që do ta interpretojë është Rudina Dembacaj. Shpresoj shumë.

Si një prej drejtorëve që keni bërë shfaqje edhe me buxhete të ulëta në një vend kur buxhetet kulturore sa vijnë e rrudhen, e që asnjëherë nuk mjaftojnë, edhe me Teatrin Shëtitës keni gjetur buxhete për të kaluar kufijtë, që janë kosto më vete. Kjo ndodh ndërsa dy teatro kombëtarë po mbajnë një festival online, ku shfaqjet nuk janë të gjalla, si e gjykoni këtë situatë?

Kiço Londo: Unë nuk e di pse e kanë bërë këtë festivalin, është e drejta e tyre veçse me shumë dashamirësi do thosha që teatri online më duket nganjëherë si pouna e atij nejriut që ka thyer këmbën dhe diksuh i vë në handkeplast. Teatri është të jesh bashkë, është frymëmarrje, është fikje dritash, është refleksione, meditim bashkë në një sallë aktorë e spektatorë, çdo gjë tjetër mund të jetë përpjekje përt të justifikuar disa gjëra por jo teatër.

A ka vdekur teatri i gjallë?

Kiço Londo: Teatri nuk mund të vdesë, ne do ta tregojmë në Gjakovë që teatri nuk ka vdekur. Ç’po ndodh në teatrin në Shqipëri? Kryesisht për faj të komunitetit, kryesisht për faj të artistëve, regjisorëve dhe drejtuesve përfshi edhe politikën zyrtare e cila ka rënë rehat, jep ca lek dhe kaq. Teatri është shndërruar në një instrument memec, pa zë pa figurë, pa shpirt. Duhet të zgjohet dhe këtë duhet ta bëjën artistët, nëse nuk e bëjnë artistët shteti nuk ka për të barë asnjëherë. Veprimi ynë me shumë dashamirësi sepse teatri është idilik, është i brishtë, nuk e duron dot dhunën edhe kur vret brenda në skenë, vret që të mos vritet jashtë skene. Nuk e pranon dhunën.

Çfarë ndodh kur vritet skena?

Kiço Londo: Kur vritet skena përgjegjësia është e artistit jo e shtetit. Artistët e kanë për detyrë të bëjnë shfaqje edhe për 6 veta. Nëse nuk e bëjnë këtë, janë të fajshëm e janë përgjegjës. Se sa lekë marrin, direkt apo indirekt ka pak rëndësi. Ju siguroj që Teatri Shëtitës nuk do të marrë asnjë lek nga Ministria e Kulturës dhe bashkia e Tiranës për veprimtarinë e vet. Do jetojmë ndryshe për t’u dhënë mundësinë kolegëve tanë që janë në institucione të jetojnë ndryshe.

Nga shkarkimi i beftë prej detyrës së drejtorit te një teatër shëtitës, si e keni përjetuar?

Kiço Londo: Ka qenë periudhë me dritë e me errësirë. Nuk e mendoja që do të ndërpritej marrëdhënia me Teatrin Kombëtar Eksperimental kaq shpejt e në këtë mënyrë. Por brenda dëshpërimit të parë u mundova të gjej dritë. Lëvizja e Teatrit Shëtitës ‘Çajupi’ dhe dhënia e shfaqjes në një sallë teatri, janë shenja që jam në rentabilitetin tim të plotë si regjisor e krijues. Besoj se gjerat do shkojnë mirë. Pjesët e reja do më nxjerrin në lirinë time, të cilën nuk e kam vënë në dyshim dhe më vjen mirë që nuk e dhashë.

A patët oferta që t’ju merrej liria? Dhe si është të vuash pasojat e të qenit lirë? Shpesh liria është vetmi, shpesh është nëpërkëmbje, shpesh të lënit mënjanë, shpesh është përjashtimi. Por kur i paguan kostot e të qenit i lirë, e të besuarit te ndërgjegjja, çfarë gjen, si ndihesh?

Kiço Londo: Nganjëherë shoh kolegë që kanë luajtur në vepra të mëdha, kanë qene profesionistë të mirë dhe më pas kur kalojnë të 70-at, të 80-at bëjnë veprime që ti kupton që ata s’kanë kuptuar asgjë nga ajo që kanë luajtur, nuk kanë reflektuar, kanë qenë të gënjeshtërt. Falë atyre që më kanë ndodhur dhe atyre që u kanë ndodhur atyre para meje, e kisha një lloj përgatitjeje për ta përballuar këtë situatë dhe e përballova,. A ka çmim liria ime, a ka çmim qëndrimi im, kundrejt politikës zyrtare me fatin e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental? Patjetër që kanë një çmim. E pagova dhe do vazhdoj ta paguaj por më pëlqen më shumë të paguaj se sa të zvarritem. Ajo pagesa tjetër është jashtë, është në tokë, kolegët e mi e kanë bërë por për mua është jashtë. Është më shumë se sa dëshpëruese. Njeriu zgjedh ose të jetë i lirë ose të zvarritet dhe kur zvarritet shteti kujdeset, të mban mirë, të paguan mirë e të jep poste. Tani jemi te Tteatri Shëtitës, jemi drejt Gjakovës,. Jam i emocionuar. Dua të falenderoj trupën që më ndjek në këtë çmenduri dhe ata që financiarisht e bënë të mundur këtë lëvizje.

SHKARKO APP