Intervista/ “Si e shkarkoi Kodheli, Demirajn, çfarë duhet t’i thotë në tavolinën e Qeverisë”
Vladimir Beja, ish-komandant i Forcave Ushtarake Detare, vlerëson kolonel Dritan Demirajn, i cili u votua nga Parlamenti si ministër i Brendshëm. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Beja shprehet se Dritan Demiraj ka marrë vlerësimet maksimale nga gjeneralët e NATO-s, ndërkohë që ministrja Kodheli e largoi nga radhët e Forcave të Armatosura.
Cili është profili i kolonel Dritan Demirajt si ushtarak dhe si njohës i mirë i çështjeve të sigurisë?
Që në fillim dua të them se emërimi i Dritanit për mua është një surprizë e pëlqyeshme, për faktin se unë e njoh shumë mirë se kush është Dritan Dermiraj. Për të është një vlerësim i jashtëzakonshëm, jo se ai nuk e meriton, por ai është gjetje në kohën e duhur. Më duhet të risjell në vëmendje një thënie që i shkon këtij momenti, “luftëtari nuk e zgjedh betejën, por beteja zgjedh luftëtarin”. Dritani është përpara një beteje të cilën ai si luftëtar që është do ta kalojë me sukses.
Në komentet e njerëzve të njohur, por edhe të panjohur në rrjetet sociale, kandidatura e tij ishte më e goditura krahasuar me emrat e tjerë.
Dritan Demiraj është një person që ka bërë histori në fushën ushtarake në sektorin e tij, një nga oficerët më të kompletuar dhe më të përkushtuar të ushtrisë shqiptare, në sajë të aftësive të tij dhe pak fatit, falë Zotit, sepse ai ka rrezikuar jetën në të gjitha misionet kombëtare dhe ndërkombëtare në kuadrin e NATO-s, ku shkalla e vështirësisë atje është mjaft e lartë. Kandidatura e tij është e debatueshme për shkak të profilit të tij ushtarak, ndërkohë që është zgjedhur të drejtojë Ministrinë e Brendshme. Unë do të thosha se ngërçin më të madh e ka politika, nuk e ka misioni apo ushtaraku. Në lidhje me këtë përzgjedhje, unë do ta vlerësoja me notën 9 zotin Basha që gjeti për këtë pozicion shumë delikat Dritan Demirajn dhe me notën 10 Edi Ramën që e pranoi këtë kandidaturë. Nuk është e lehtë të kapërcesh mentalitete të tilla që edhe ju i prekët, që politika i sheh ushtarakët të kufizuar dhe harron që bazë për përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të tilla janë karakteri i drejtuesit, menaxhimi i forcave dhe njohuritë e tij të thella në fushën e sigurisë kombëtare. Unë mendoj se Dritani me integritetin që ka, është një nga personat më të pakorruptueshëm që unë njoh dhe duke pasur si bazë moralin profesional, do të dijë të zgjedhë rreth vetes njerëzit e duhur për të arritur objektivat që do t’i vendosë vetes. Siç e do ushtaraku atdheun, nuk e do asnjë politikan.
Si e shihni largimin e Dritan Demirajt nga radhët e ushtrisë?
Dritani, për faqen tonë të zezë, duke përfshirë dhe veten time si ushtarak, nuk u vlerësua nga Ministria e Mbrojtjes. Kjo ka ndodhur shpesh në historinë tonë pluraliste që ushtarakë që kanë ruajtur integritetin dhe nuk i janë bindur politikës, ose janë përjashtuar nga radhët e ushtrisë ose janë nxjerrë në pension të parakohshëm. Nëse Presidenti i Republikës e nderon Dritanin me dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar, “Nderi i Kombit”, ministrja e Mbrojtjes e përjashton nga Forcat e Armatosura. Një sjellje e tillë e padenjë jep një mesazh shumë të keq për ushtarakët. Emërimi i Dritanit do të jetë edhe një mesazh për të gjithë ushtarakët se njerëz të tillë duhet të mbështeten.
Sa e vështirë mund të jetë për të që në të njëjtën tavolinë në qeveri të ulet me ministren e Mbrojtjes, e cila e liroi nga Forcat e Armatosura?
Dritani jo vetëm është një ushtarak apo një “Rambo”, siç e kanë quajtur, por edhe një intelektual i aftë të kuptojë se ç’janë lojërat politike dhe ç’është detyra. Unë do ta ftoja Dritanin Vladimir Beja, ish-komandant i Forcave Ushtarake Detare, vlerëson kolonel Dritan Demirajn, i cili u votua nga Parlamenti si ministër i Brendshëm. që në mbledhjen e parë të qeverisë me Mimi Kodhelin t’i thotë që “ia lë Zotit të gjykojë për marrëdhëniet tona”, por të shohim të dy bashkë që për Shqipërinë të bëjmë më të mirën. Ai ka të drejtën e Zotit, por nuk ka të drejtë që për një gabim të pafalshëm të ministres së Mbrojtjes të mos akordohet me të.
Si e vlerësoni faktin që ai në SHBA u vlerësua menjëherë dhe madje të emërohet edhe pedagog në Universitetin e Miçiganit?
Nëse këtu në vendin tonë nuk na vlerësojnë, bota na vlerëson. Dritani ka pasur të gjitha shanset pranë ushtrisë amerikane dhe NATO-s. Shikoni vlerësimet që kanë dhënë gjeneralët më të mëdhenj të NATO-s. Kush nga gjeneralët që e ka njohur Dritanin nuk do ta merrte për të punuar me të? Dritani është pedagog në universitetin e Miçiganit dhe jep lëndën e “Luftë kundër terrorizmit”, në një kohë që për këtë lëndë o kemi nevojë ne ose nuk ka asnjë vend tjetër, sepse jemi një vend që rrezikohemi nga terrorizmi./panorama