Historia e Koha Jone/Intervistë e Edi Ramës nga Parisi për gazetën KOHA JONE ku flet se në Shqipëri ka injorancë..
(Botuar me 5 Prill 1996 në KOHA JONE)
Intervistë e Edi Ramës nga Parisi për gazetën KOHA JONE
Pyetje: Ekspozita juaj cilësohet “betejat e mia”, çka e nxit vizitorin të gjendet simbolikisht në një atmosferë ndeshjeje, ndoshta midis artistit dhe pushteteve. Aq më tepër kur në tablotë tuaja gjen jehonë beteja mesjetare. Përse “betejat e mia”?
Edi Rama: Në fakt ky është një titull i vënë nga një miku im i afërt, një historian arti, Gjy Cogeval. Dikur, në Shqipëria kam shkruar se “fjala është lufta, ndërsa piktura është lutja ime”. Pra me fjalë përpiqem të imponoj idetë e mia në shoqërinë ku jetoj ndërsa me pikturën unë mundohem të njoh vetveten, të kuptoj se ç’ndodh brenda meje. Realisht, jam frymëzuar për këtë seri tablosh nga “tri betejat” (tablo) të Paulo Ucelos, njëra prej të cilave ndodhet në Luvër dhe dy të tjerat në “National Galery” në Londër dhe në Uilsi të Firences. Ikonografia e Ucelos ishte pikë referimi për mua. Ajo shfaqet më dukshëm në detajet e përdorura, në përkrenaret, mburojat, heshtat etj. Starti i kësaj pune ishte një kombinim i dy kohëve duke bërë evident kamuflazhin ushtarak që ekziston në ditët tona, për maskimin e trupave.
Bëhet vallë fjalë për individin dhe pushtetin?
Jo, kjo nuk më intereson në veprat e mia. Ajo çka më intereson është ana figurative, kamuflazhi është i përditshëm në jetën tonë, çka e gjen çdo natë në lajmet televizive. Duke u përdorur në vend të kornizës për tablotë e mia ai i një perde që hapet dhe ku ti hyn në atmosferë dhe ku mesjeta vjen gjer tek ne. Kjo kornizë “ushtarake” që jeton pavarësisht e njëkohësisht e lidhur me tablonë, më intrigon plastikisht dhe besoj se do më ndjekë akoma për një kohë të gjatë.
Pra gjithçka është një asosacion, ndjesi figurative dhe jo një mesazh i drejtpërdrejtë?
Unë mendoj se në krijimtarinë dhe artin e sotëm kontemporan, pikënisje nuk mund të jetë diçka që thuhet me fjalë. Gjatë procesit krijues të shfaqen shenja dhe sinjale të kohës dhe jetës në përgjithësi. Unë jam i vëmendshëm ndaj mënyrës së shfaqjeve të këtyre shenjave, njëlloj sikur të isha para hartës së metrosë dhe të kërkoja të më shfaqeshin dritëzat e një rruge. Një sinjal i tillë që më shfaqet më jep mundësinë ta ndjek, ta zhvilloj. Kjo mund të jetë shpeshherë edhe referencë në punët e të tjerëve, siç më ka ndodhur p.sh me tablotë e Ucelos, apo më parë me Juan Gris, Klee, Duchamp, Bacon etj.
Në tablotë e ekspozitës suaj, tani së fundi ndihet një lloj densiteti brenda tablove…
Kjo ndoshta është subjektive. Secili sheh dhe percepton në mënyrën e vet. Ajo çka më bën përshtypje mua (p.sh. betejat mesjetare, kaskat, përkrenaret), nuk u bën përshtypje piktorëve të tjerë. Te kaskat e Ucelos, unë pashë diçka të verbër që ka në vetvete lufta.
Në pikturën tuaj të tanishme, siç e vuri në dukje dhe kritiku francez Denis Picard, – ka dhe një element tjetër që nuk është në pikturën e Ucelos, një element erotizmi dhe seksualiteti që lidhet në mënyrë të çuditshme me luftën. Do doja të dija se si keni punuar për të arritur në fazën përfundimtare të krijimit?
Fillimisht, mblodha nëpër rrugët e Parisit kartonë ambalazhi, çka mund të duket si diçka absurde. Ishte kjo një nisje psikologjike dhe e rëndësishme për mua, pikërisht me atë karton të hedhur të konsumit të përditshëm, të cilin e pata përdorur edhe në Tiranë dy vjet më parë. Letrën, një letër speciale dhe të rëndë, e zhubravis dhe të grisur e fus në ujë. Pastaj e ngjis nëpër kartonë. Ndjek kështu vizat kuturu të letrave të ngjitura, duke krijuar figuracione që gjithsesi mbeten të lidhur me obsesionin tim për Ucelon. Figura ka pra një ambiguitet në përmbajtje dhe në interpretim. Gjithçka është dhe zhvillohet në dialog midis tablosë dhe meje. Pra nuk është një studim që unë e kam parë në kokë, nuk është diçka e paramenduar. Për mua, ka një lidhje shumë tërheqëse midis pikturës së Ucelos dhe pikturës metafizike italiane, asaj të De Chirico, Kara, Sironi etj. Megjithatë ka diçka shumë të fortë që më lidh sot me piktorët si Picabia dhe Marx Ernest. Pra referimi i një fundi për këto krijime ishin këto burime. Kjo ndryshon me punimet e mia të mëparshme ku siç e thashë më lart isha i frymëzuar nga autorë të tjerë të mëdhenj. Tani më pëlqen surealizmi i tipit të Ernest, pra një surealizëm më plastik e figurativ.
Në hyrje të sallës së ekspozitës është një cikël prej gjashtë punimesh të vogla në të cilat duket në kombinime të ndryshme Shën Mëria me Krishtin. Një element që kthehet në një detaj të vazhdueshëm në tablotë e mëdha.
Është e vërtetë që ky element është i kudopranishëm. E kisha parë atë në ndërtimet arkitektonike të shek. 18, p.sh. Edhe në Notredame apo në një obelisk në parkun e tij, ku shfaqet ky element, dhe ku kombinimi i figurës me dritën e qiellit, dritëhijet e bëjnë atë të plotë. Është një element shumë sintetik, mjaft i gjetur, ku gërshetohet mistikja me universalen. Pra pikënisja për mua, siç ju thashë është gjithnjë figurative. Kur kjo ka ekspresion vetëzhvillohet.
Po si e konsideron ciklin e gjashtë të punimeve të vogla, në raport me tablotë e mëdha?
Krijimi i tyre ndodhi në një moment krize. Kur krijon një moment të tillë, ti gjithnjë dyshon në artin tënd. Pra në fillim dyshova, pastaj vazhdova të bëja kombinacione të ndryshme dhe kjo gjë u zhvillua më tej. E rëndësishme është dialogu që zhvillon me punën tënde, “beteja” që zhvillohet brenda teje. Për këdo është e rëndësishme kjo përpjekje që bëhet gjatë procesit krijues.
Lidhur me ngjyrat, në këtë ekspozitë të bën përshtypje koloriti i pasur, ku mbizotërojnë e kuqja, e kuqja, e zeza etj. Janë këto ngjyra që preferoni?
Ndjej një diferencë shumë të madhe. Që kur kam filluar të dal jashtë, kam arritur të materializoj diçka me krijimtarinë time. P.sh. me qëndrimet e mia relativisht të gjata në Berlin, Londër dhe tashmë në Paris, ku kam mundur të monologoj me veten time. Lidhja ime me pikat e referimit të artit shqiptar nuk është e fortë. Në Shqipëri kam patur në fakt pak momente të përqendrohem (e vështirë të përqendrohesh në një atmosferë aq mbytëse, dhe ku më mbetet më shumë të shkruaj se sa të pikturoj). Nga ato momente unë kam disa punë që më duken se janë violente dhe disi arkaike. Atje sikur kam më tepër një shqetësim të sëmurë ndërsa këtu ndihem i çliruar. Aq më tepër kur kam pika të shumta referimi me historinë e pikturës dhe ku ndihem i integruar në një traditë të jashtëzakonshme, edhe pse mund ta gjej veten shumë mikroskopik në këtë dekor. Në Shqipëri, ndihem si një trung i cunguar, i hedhur në një lumë, ku ujët e përplas me forcë andej-këndej. Aty pikat e referimit janë me përplasje dhe jo organike me filozofinë time krijuese.
Por a nuk ju duket se arti i sotëm figurativ edhe këtu në Perëndim po kalon një krizë. Tashmë nuk ka figura si Pikaso, Shagalli, Kandisky etj. Ashtu siç nuk ka Sartër, Kamy, Elyar etj.
Tashmë nuk është më koha e yjeve. Konstelacionet janë krijuar. Sot është koha e riciklimit të vlerave. Ata që u shfaqën më parë erdhën me privilegjin për të hapur shtigje dhe dritare të reja në art. Periudha postmoderne është një periudhë boshllëku dhe anonimiteti, ku arti ka një pozicion tjetër. Obsesioni i S. Resë ka shkuar gjer në histeri. Megjithatë Bekoni që vdiq para dy vitesh ishte ndër më të mëdhenjtë që ju përmendët.
A do ta hapni këtë ekspozitë dhe në Tiranë?
Jo, sepse në Tiranë nuk gjej një atmosferë të vërtetë shoqërore. Përgjithësisht atje ndjen veç urrejtje, moskuptim dhe xhelozi, që del prej asaj llave shkatërruese të injorancës. Kështu të mbetet tua tregosh vetëm miqve të tu në studion a dhomën e thjeshtë. Ajo që është e rëndësishme është hapësira profesionale dhe këtë hapësirë nuk e gjen as në “Galerinë Kombëtare të Arteve” dhe as në konceptet e zyrtarëve që drejtojnë kulturën, deri tek vetë Ministri i Kulturës. Do të dëshiroja të ekspozoja me studentët e mi të Akademisë së Arteve nëse do të gjendej një hapësirë alternative, qoftë edhe po të ekspozonim në rrugë. Ata janë një grup plot dëshira dhe shpresa për të “ndryshuar botën”.
Box
Mbrëmje vonë më “Rue Vjelle du Temple” në zemër të Parisit. Në Galerinë “Guy Crete” piktori Edi Rama ka hapur këto ditë ekspozitën e parë të tij personale. Një galeri profesionale që ka lançuar një mori piktorësh të rinj francezë. Plot dashamirës e kritikë arti e mbushën për tri net radhazi atë sallë, e cila do të qëndrojë hapur gjer në fund të Prillit. Përballë tyre një botë me ngjyra të ndezura “bota e sinjaleve” të një piktori nga Shqipëria. Janë tablo që kanë një pikënisje dhe të njëjtën atmosferë, që zhvillohen e variojnë mes tyre duke ruajtur të njëjtin stil, ngjyrë, tematikë e refleksion. Aty këtu, përmes detajesh, të shfaqen imazhe të kohës mesjetare, të cilat gërshetohen me të sotmen, shkrihen mes tyre për të ngjizur atë që kërkon çdo artist në veprën e tij, universalitetin, një universale që përthyhet pastaj në prizmin shpirtëror të çdo vizitori. “Në Shqipëri – shkruan ai në letrën – parathënie të prezantimit të kësaj ekspozite, unë nuk u bëra piktor rastësisht, por nga nevoja. Unë u linda dhe u rrita në një vend ku e panjohura nuk ekzistonte, kur ajo ishte e ndaluar, dhe ku çdo emocion, pyetje pa përgjigje, madje çdo gjurmë personale kërcënohej me vdekje. Shpejt e kuptova se po të doja të mbetesha njerëzor, duhej të deshifroja sinjalet e rralla të jetës, të asaj jete që arrinte të kapërcente perden e hekurt dhe t’i shpëtonte masakrës. Aventura ime krijuese nisi kur unë tentova t’i hapja një hapësirë fare të vogël lirisë sime, për të ditur më shumë nga bota, për të njohur thellësinë dhe dimensionet e saj, si dhe lidhjet e mia me të tjerët. Por edhe i lirë, kështu vazhdon të jetë…”. Me sa duket, hapësirat e piktorit vazhdojnë të jenë të cunguara, ndoshta ende plot mjegull që rëndon edhe sot në vendin shkëmbor. Në itinerar artisti, i cili nga Shqipëria nisi udhëtimin e tij për t’u takuar me botën e qytetëruar dhe traditën e pikturës evropiane. Një qëndrim disa muajsh në Berlin, një tjetër në Londër, tashmë në Paris. Vjeshtën e kaluar ai ekspozoi në galerinë “Niki Maraquardt” një galeri me emër në “Place de Vozges”, ngjitur me shtëpinë ku dikur kishte banuar Viktor Hygoi. Një ekspozitë e piktorëve evropiane dedikuar muzeut të ri të Sarajevës nëpër gjurmët e luftës, udhëve të mërgimit, e ku punimi i tij quhej: “Nënë, kur të rritem do të bëhem refugjat”. Tek ky piktor të ngjan se gjërat shpërthejnë në pikëtakime të çastit, ku pas një dialogu artist-vepër, ai arrin të na thotë diçka sa personale aq edhe universale. “Unë nuk pikturoj për të rigjetur shprehjen e vetvetes në veprat e mia, thotë ai, për më tepër për të përfituar efektet që ato kanë mbi mua. Nuk është liria që më mëson pikturën, por është piktura që më mëson se ç’është liria”. Në mbrëmjen e vonët, në atë rrugë ku gjendet edhe galeria e njohur ku për 30 vjet me radhë ekspozoi piktori i madh me origjinë shqiptare Abedin Dino, takohem me galeristin Guy Crete. Në kontaktin e parë në studion e piktorit shqiptar në “Cite des arts”, unë mbeta i befasuar dhe menjëherë më lindi dëshira për ta prezantuar këtë autor si një surprizë që vinte nga larg. “Po, ç’kishte në vetvete piktura e tij, e pyes galeristin”. “Nisur nga tradita e madhe e pikturës, më thotë ai, ky piktor ka ditur të asimilojë forcën e historisë së piktorëve të njohur dhe të përkthejë atë në një formë kontemporane, përmes ngjyrave, formave të forta e të plota, duke dhënë me forcë jehonë luftarake të piktorëve të betejave”. “Bota e sinjaleve” … Për të sinjalet janë të rëndësishme, janë si yjet që ndriçojnë udhëtarët netëve të errëta. Eh, ja pse ne donim ta pyesnim atë për këtë botë “sinjalesh”./Luan Rama, Paris/