Intervistë e Fatos Nanos dhënë nga burgu i Tiranës ekskluzivisht për Gazetën “Koha Jonë” me datë 8 shtator 1993

KJ: Zoti Nano, a e keni menduar ndonjëherë se lufta politike ndaj jush do të arrinte deri këtu sa të vinte një ditë kur, përveç të tjerave, lideri i opozitës kryesore të intervistohej në këtë peizazh hekurash burgu?

  1. Nano: Po, pa asnjë dyshim, prandaj isha krejt i papërgatitur për të përballuar luftën politike edhe në këto kushte. Nuk e di nëse ata që më burgosën i kanë bërë mirë llogaritë dhe përgatitjet. Të jesh sot në burg nuk është kaq e vështirë sa duket, varet nga këndvështrimi.

Për mua, shumica dërrmuese e shqiptarëve sot vuajnë të njëjtën dramë si brenda dhe jashtë hekurave të burgut. Ky koncept më ka ndihmuar të krijoj me vullnet të hekurt, ekuilibrat e nevojshëm për një formë të shkëlqyer mendore e fizike që t’u bëj ballë edhe “pritave të komitetit të maleve”.

KJ: Si e pritët arrestimin?

  1. Nano: Mund të duket si përgjigje e sforcuar, por të tjerët që më kanë vëzhguar deri tani, jo vetëm në itinerarin shtëpi-punë-prokurori-burg bashkohen me cilësimin “qetësi olimpike”. Sigurisht, ndjeva keqardhje për fytyrat e zverdhura të prokurorit Qeleshi dhe të hetuesit Dervishi në ish-zyrën e Qemal Lames, ku nuk kisha shkelur ndonjëherë, por ku dallova telefonin me dy shifra të zyrtarëve të lartë që lidhen direkt me Presidencën. Më pas tek po kryheshin formalitetit e “pranimit”, tek oficeri i rojës së burgut, mbaj mend se çokollatën që ma dha rrugës një shok e ndava me 7-8 policët e pranishëm, midis të cilëve edhe një zonjushë me uniformë. Me këto nuk dua të them se jam supermen, por ngjarjet e dy-tre vjetëve të fundit kanë ndikuar që të krijoj këtë “aftësi” përshtatjeje dhe reagimi. Po kujtoj vetëm një rast, çastet e votimit në 22 mars në lagjen time. Hyra në oborrin e qendrës së votimit me bashkëshorten në krah, i ndjekur nga disa fëmijë që na hidhnin guralecë dhe një numër gazetarësh e kronistësh. Papritmas vargu i komshinjve të mi që prisnin radhën, me sustë nisi të thërrasë: “Sali Berisha! Sali Berisha!” me gishta përpjetë para kamerave vendase dhe të huaja. Përshëndeta njërin nga shokët e fëmijërisë: “Sele ç’kemi?”- i thashë. Jam Tosi, nuk jam Sala!” Më dha dorën dhe ma ktheu: Mirë, Toso, po ashtu o puna! Pastaj të njëjtën dorë e ngriti prapë me dy gishtat lart dhe filloi të thërrasë. Kur po kthehesha në shtëpi një gazetar i ROJTER që më kish ndjekur më tha pikërisht: “Zotëri keni një qetësi olimpike”. Iu përgjigja: “Zotëri, unë stërvitem për dhjetëgarësh dhe ky është vetëm fillimi!”.

KJ: Pas një muaji në izolim, cilat janë marrëdhëniet tuaja me të burgosurit e tjerë, personelin e shërbimit dhe drejtorin e burgut?

  1. Nano: Kudo të burgosurit janë në opozitë me qeverinë, ndaj krijuam shumë shpejt marrëdhënie solidariteti që tani janë bërë shoqërore, sepse shumicës ua njoha hallin dhe kjo më përforcon bindjen se është e njëjta dramë si brenda dhe jashtë hekurave. Përfytyroni p.sh. vetëm një grua plakë të këputur, që ka vrarë të shoqin për dinjitet, sepse ai po lypte rrugëve! Ky solidaritet nuk u lëkund edhe kur filloi një cikël qethjeje masive me refrenin: “e keni peshqesh nga Nano”. Përkundrazi u shtuan shkarravinat nëpër mure dhe të sharat kundër zyrtarëve të lartë të shtetit. Me personelin janë vendosur marrëdhënie tepër korrekte njerëzore (edhe ata janë të burgosur si gardianë) pa shkelur rregulloren e kohës së Koçi Xoxes, që e detyroi edhe drejtorin të më dënojë për një gazetë. Sidoqoftë me drejtorin kemi bërë një “marrëveshje xhentëlmenësh”: ai do të kryejë detyrën e tij, unë timen si deputet dhe lider i opozitës, përderisa rregullorja nuk e parashikon këtë rast. Për mungesë përvoje jam drejtuar zyrtarisht z. Pjetër Arbnorit që ta zgjidhin këtë mangësi për çdo eventualitet të së ardhmes.

KJ: Si e kaloni kohën e lirë pas marrjeve në pyetje nga hetuesia?

  1. Nano: Meqenëse ende s’ka ardhur askush nga hetuesia, gjithë kohën e administroj vetë me dy komponentë: stërvitje fizike dhe mendore. Për të parën në orarin dhe në dhomën e ajrimit bëj deri dy kilometra vrapim në ditë. Për të dytën meqenëse këtu lejohen vetëm Bibla dhe Kurani, po vazhdoj debatin me Perëndinë. Unë përpiqem ta bind se librat e shenjtë duhen rishikuar sipas programit të qeverisë sonë dhe propagandës zyrtare shqiptare; kurse ai (Perëndia) nxehet e ngul këmbë: “ata janë munfikë (hipokritë sipas Kuranit)! Edhe gjatë haxhillëkut bëjnë allishverishe! Xhehnemi i pret”! Amin!

Jashtë hekurave … Opinione

KJ: Është përfolur disa herë në opinion fjala se Nano takohet me Berishën për bisedime.  A ka ndonjë të vërtetë në këtë fjalë?

  1. Nano: Unë nuk përdor përfolje por folje. Dhe sa herë jam takuar me Berishën, unë kam folur publikisht për substancën e bisedës. Nuk është pa interes pyetja? Pse nuk flet Berisha pasi takohet me mua? Përgjigja duhet të jetë aty diku midis përfoljes dhe të folurit me vete. Sidoqoftë, sot me Berishën mund të takohesh kudo, edhe në burg, pa qenë ai fizikisht prezent. Dhe për këtë fenomen të përsëritur shqiptar, unë kam shumë për të thënë, duke respektuar institucionet dhe duke nxitur të zgjedhurit të ngrihen në lartësinë ligjore të detyrës. Kjo është detyra e opozitës, janë naivë ata që këtë duan ta shesin për “komplot që synon kolltukun”.

KJ: Në një konferencë shtypi keni deklaruar se dispononi dokumente që komprometojnë PD, Berishën dhe Selamin. Mendoni se nuk ka ardhur akoma dita për t’i denoncuar ato dhe kur mendoni t’i publikoni?

  1. Nano: Më falni, po duket se jeni edhe i vonuar, edhe i nxituar në këtë pyetje. I vonuar sepse unë kam denoncuar politikisht aq sa duhet për të paralajmëruar dhe parandaluar dëme të pariparueshme, pa marrë as rolin e hetuesit, as të botuesit. Ndërkohë, megjithëse opinioni publik reagon me shqetësim e revoltë, zyrtarët tanë “vazhdojnë të qarkullojnë para të pista”, cikli i të cilave po mbikëqyret edhe nga organizma të specializuara jashtë vendit. Sidoqoftë unë do të pres ditën kur Kuvendi Popullor të miratojë ( ose jo) ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar që propozoi deputeti P. Teta në çeljen e këtij sesioni. Kjo mendoj është një arsye për të mos nxituar në pritje të shtetit ligjor… (jo të Godosë, shpresoj).

KJ: A ka forca në PS që janë të interesuara për largimin tuaj nga udhëheqja e ndoshta deri dhe për burgosjen tuaj?

  1. Nano: Unë mendoj se jo, meqenëse ju përdorët termin “forcë”po të kishte, PD nuk do të kishte përdorur kaq shumë forca për të më burgosur mua dhe të tjerë “të pabindur”si unë. Sa për udhëheqjen PS i ka forcat të pakonsumuara dhe mbështetet në përvojën Evropiane, ku opozitarët e burgosur nga regjime kolonelësh si në Spanjë, Portugali, Greqi, por edhe në Çeki, Poloni, Hungari, pas shembjes së komunizmit janë konkurrentë të papërballueshëm në zgjedhjet pasardhëse. Nuk duhet anashkaluar besoj fakti se nga ky rregull përjashtime gjenden vetëm në fenomenin “Republikë bananesh” në Amerikën Latine.

Edhe një herë brenda hekurave… Mendime

KJ: Kontrolli i Shtetit ju ka akuzuar për korrupsion, prokuroria për shpërdorim detyre, ju vetë pretendoni se jeni i burgosur politik, ndërkohë që në një konferencë shtypi, Presidenti Berisha i pyetur në lidhje më këtë çështje, deklaroi se ju mund të “vetakuzoheni”. Cilën nga këto tri akuza do të preferonit?

  1. Nano: Për të mos u zgjatur argumentet dhe faktet janë publike për të tria. Unë tashmë e kam shpallur dhe motivuar të vërtetën lakuriqe duke u hapur shumë telashe zyrtarëve me rrogë që kanë marrë urdhër “të vërtetojnë” dy versionet e para. Uroj për të mirën e të gjithëve që kjo farë “sprapsjeje” në akuza, t’u shërbejë akuzuesve për t’u kthjelluar përfundimisht. Dhe atëherë, kur Blerimi ta ketë pastruar shpirtin mëkatar, do të cicërojë përsëri si në prill 1992 (ai ishte ende krejt i pasigurt nëse do të hynte në Qeverinë Meksi), kur pas një diskutimi tim në Parlament, më tha duke dalë: “shumë mirë! Me ju jemi z. Nano!”. Sidoqoftë mua më zë gjumi të qetë. Lexuesit, ju, gjithkush pra, mund të gjykojnë vetë lirisht (në qoftë se nuk janë në punë shteti)!

Në rast se nuk është ndonjë lapsus i press-konferencës simultantë të Presidentit, atëherë qenka shpresëdhënës për të gjithë ky reagim. Unë e shpalla dhe e argumentova vlerësimin tim për akuzën që më mban në burg: i burgosur politik dhe i ndërgjegjes, i persekutuar sistematikisht nga shteti i Presidentit. Duke menduar se dialekti im jugor dhe dialekti i tij verior kanë të njëjtin kuptim për trajtat veprore dhe pësore të foljes, atëherë e drejta për “vetakuzuar”që ai më ka njohur, është ekuivalente me detyrimin e tij, si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të akuzuar bashkë me mua shtetin e sotëm që linçon e burgos çdo opozitar. Hedhja e këtij hapi të parë konceptual është me dobi për të gjithë, pra edhe për vetë Presidentin. Kjo sepse, për të gjitha marrëzitë shtetërore që po ndodhin sot në Shqipëri, gjithë zyrtarët e tjerë kanë alibinë: “kështu na urdhëroi (porositi, dekretoi etj.) Presidenti!”Dhe kjo është deri tani një e vërtetë kushtetuese: Presidenti është Kryetar ( apo komandant, drejtor kuadri etj.) për gjithçka thelbësore në fushat legjislative, ekzekutive të drejtësisë, të ushtrisë e deri për masmedian zyrtare. Vërtet gjellën e gatuajnë të tjerët, por kuzhinierët i “fërgon”kryetari. Kurse ai vetë nuk ka asnjë person zyrtar apo institucion mbi krye, përveç Perëndisë në gjyqin e fundit të të cilit sinqerisht nuk do t’i uroja të paraqitej mëkatar pa alibi, apo i papenduar! Të burgosurit shqiptarë brenda dhe jashtë hekurave, presin z. President. Ata nuk po e ndjejnë demokracinë të vijë. Bëni një hap të thjeshtë, por të madh, prej burri shteti: shpallni një amnisti të gjerë dhe do të rifitoni besimin dhe votuesit e burgosur të 22 Marsit! 

KJ: Nga “ZP” kuptohet se ju vazhdoni ta kryeni detyrën e kryetarit të Partisë. Në rast se është e vërtetë, si e kryeni atë dhe çfarë kushtesh i ka krijuar drejtoria e burgut liderit të opozitës kryesore për kryerjen e detyrës?

  1. Nano: Kjo nuk është e vërtetë vetëm nga ZP të paktën, të gjithë janë në burg, gardianë e të burgosur janë të bindur për këtë. Drejtoria e Burgut duke mos bërë asnjë shkelje të rregullores së Koçi Xoxes (të riprodhuar nga Bashkim Kopliku dhe A.Mehja), i ka krijuar liderit të opozitës të gjitha kushtet e izolimit të një krimineli. Ndërsa lideri i opozitës, duke respektuar gjithashtu rregulloren shfrytëzon të gjitha strukturat legale (dhe të tilla janë sigurisht edhe “strukturat hije” të çdo opozite legale) për të qenë në lartësinë e detyrës. Përveç fakteve publike që e pasqyrojnë këtë, po përmend p.sh. se sesioni i PS i krijuar në burgun e Tiranës natën e 30 korrikut, vazhdon të bëjë pranime të reja, çdo ditë, bie fjala nga ish-grevistë të urisë në Valias (tani në burg) etj. Shkurt tani jam në krye të partisë time, të tjerët le të rregullojnë partitë, që, ose kryesohen nga të tjerë, ose kanë vetëm kryetar e asgjë tjetër.

KJ: A keni mundësi ta ndiqni situatën politike në Shqipëri në këto kushte?

  1. Nano: Natyrisht, megjithëse të kufizuara. Por, këtej hekurave, ka një burim informacioni të pazëvendësueshëm, një barometër politik që juve, matanë hekurave, ju mungon: kush lirohet dhe kush burgoset pa proces! Flukset janë të përditshme në të dy kahjet me vlera të mirëfillta politike, ndërkohë që mbi 30 për qind e të izoluarve mbahen të burgosur (nga disa muaj deri në afro 2 vjet) pa asnjë verdikt përfundimtar të gjykatave. Është një burim refleksionesh tepër domethënës për gjithçka nuk flet masmedia zyrtare dhe që përbën thelbin e situatës së sotme në Shqipëri. Ftoj cilindo të provojë vullnetarisht, sepse andej, matanë hekurave, gjithçka ngatërrohet nga deklaratat partiake e shtetërore. Madje, burgu i Tiranës, ofron edhe më shumë se kaq, sepse është bërë ndërkombëtar (ka malazez, libanez, priten grekë, italianë, etj.). Në rrethet e burgosura intelektuale po konsolidohet mendimi se çdo politikan serioz duhet ta kalojë këtë sprovë. Diskutohet për disa javë apo muaj, por askush nuk e pranon ekstremin prej 28 vjetësh që shkatërron edhe njeriun edhe shtetin.

KJ: Pas largimit nga Parlamenti më 16 qershor, përse u futët më 1 shtator kur nuk realizuat asnjë objektiv politik si parti?

  1. Nano: Nuk e paragjykoj vlerësimin që përmban pyetja juaj për këtë çështje, megjithëse tingëllon si i reporterit televiziv. Sidoqoftë ne, (jo vetëm PS) realizuam një objektiv kardinal politik që del mbi interesat partiake. A nuk e vërteton këtë goditja standard e propagandës zyrtare për “komplot agjenturor” të PSD dhe PAD me PS? Pra ne së bashku e bëmë një fakt përfundimisht të njohur brenda dhe jashtë vendit se ky Parlament dhe shteti i mazhorancës absolute PD-iste ishte i sëmurë rëndë nga zemra, e cila i duhet transplantuar nga organizmi i shëndoshë i krejt opozitës. Prandaj kam përdorur edhe shprehjen “transplantim i luftës tonë politike në Parlament, OK”. Nuk mendoj se kjo sëmundje mund të kalohet me operacione suksesive të tipit “by-pass” presidencial me gjithë respektin që ushqej për përvojën kardiokirurgjikale që i mbështet ato. Është fjala për një operacion të vështirë që shqiptarët nuk e kanë realizuar deri më sot. Kur them se zemrën e shëndoshë për t’ia transplantuar demokracisë sonë të sëmurë për vdekje mund ta sigurojë krejt opozita, kam parasysh edhe opozitarët e heshtur e të trembur brenda vetë PD-së, sepse kjo duhet të jetë një zemër vërtet shqiptare: por pa dyshim, për të mposhtur fenomenin e “flakjes”, që është vdekjeprurëse në çdo transplantim, është vendimtar qëndrimi i krye kirurgut: a do të ngrihet dot ai më në fund në pozitat kushtetuese mbipartiake, për të mposhtur ethet e hakmarrjes që po e sfilitin Shqipërinë dhe shqiptarët?

KJ: Mendoni se PD punon në favor tuaj me veprimet që ndërmerr ndaj jush, pra ka vendosur t’ju kthejë nga njeri të zakonshëm në të jashtëzakonshëm e pse jo t’ju bëjë një MESI të Shqipërisë në momente aktuale?

  1. Nano: Në qoftë se arrini në këtë përfundim nga çka biseduam deri tani, kjo mbetet në gjykimin tuaj. Unë do të pranoj sinqerisht, vetëm momentin dhe “efektin e ringjalljes”, prandaj po kërkoj “apostujt” shqiptarë ndër mëkatarët e penduar.

KJ: Kur mendoni se do të përfundojë procesi hetimor, kur mendoni se do të fillojë procesi gjyqësor dhe sa parashikoni t’ju dënojnë?

  1. Nano: Nuk i mbështes fare gjykimet e mësipërme dhe bindjet e mia tek ndonjë proces gjyqësor, sepse çdo ditë që kalon i shton borxhet e përfaqësuesve të drejtësisë sonë ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Si unë, janë e ritheksoj edhe 30 për qind e të burgosurve këtu me fajësi të paragjykuar pa proces. Prandaj kam gjetur energji të reja për të kompensuar këtë periudhë të privimit të lirisë, dhe, e përsëris do të dal 20-vjeçar prej këtu.

Përpara largimit edhe diçka

KJ: Kur jeni vetëm në qeli a ju shkon mendja ndonjëherë te ligji i pashkruar i hakmarrjes dhe në rast se po, kujt ia rezervoni të drejtën e natës së parë?

  1. Nano: Deri tani, jo, dhe kjo është e dokumentuar falë pajisjeve bashkëkohore të qelisë… Ndërkaq, në mjediset e burgut ka mjaft ngarkesa të tilla tradicionale shqiptare që për arsye të kuptueshme, vijnë vetë në fushën time manjetike. P.sh. çdo ditë dëgjoj kërkesa, jo vetëm nga të burgosur, për të pasur (ose ruajtur) pas zgjedhjeve një vend pune në organikën aktive të burgut. Ndërsa bindjet e mia për largimin e etheve të hakmarrjes nga jeta shqiptare, nuk janë lëkundur. Vlerësoj për këtë edhe faktin se disa ish të persekutuar realisht, që sot bëjnë pjesë në personelin e burgut, janë të një mendjeje me mua, si p.sh. drejtori z.Tanush Mileti. Ndërsa, ndonjë sahanlëpirës i djeshëm që sot hiqet si i persekutuar, vjell vrer për hakmarrje, njëlloj siç ndodh në Parlament apo në zyrat e tjera të shtetit tonë sot. Sa për “të drejtën e natës së parë”, ajo tashmë “është shitur”, meqenëse jam i bindur se do të dal nga burgu si djalosh 20-vjeçar, kur edhe jam fejuar. Ju kujtoj se edhe unë e mbështes tezën se në tranzicionin shqiptar ata që do të mbeten në skenën politike, jo për interesa të fëlliqura, duhet ta kalojnë sprovën e burgut. Unë jam në rregull, sepse deri më sot nuk kam hedhur asnjë hap të fëlliqur në jetë.

KJ: Për kë ju ka marrë malli më shumë?

  1. Nano: Po përgjigjem me vargjet e këngës popullore. “E para është nëna, e dyta më je ti”. Nënën e kam 76-vjeçare, por mbahet më mirë se qeveria jonë 18-muajshe. Sidoqoftë, kam mall për gjithçka. Por, besomëni: të mos shohësh TVPD dhe të mos lexosh RD, është një antidotë ripërtëritëse polivalente.

KJ: Kur dëshironi t’ju intervistojmë përsëri në burg, në zyrën e kryetarit të PS apo në shtëpi?

  1. Nano: Ku të më gjeni, kjo s’varet vetëm nga unë, përderisa ballafaqimit me gazetarët nuk i jam vjedhur kurrë, sepse e vlerësoj si ushtrim jetësor me efekte kurative për të gjithë, në një shoqëri të qytetëruar. Për këtë herë, duke ju konfirmuar këtë vlerësim, meqenëse unë jam në burg, do të uroja që kjo intervistë të lejohej të dilte nga burgu, edhe si shprehje e respektit që kam për gazetën “Koha Jonë”, dhe për lexuesit e saj. Do t’ju uroja, së fundmi, të shtoni tirazhin dhe të shisni më shumë kopje edhe në Kuçovë.

Burgu i Tiranës, qelia nr. 47 më 5.9.1993

SHKARKO APP