Intervistë/Policët e burgjeve gati të nisin grevën, Macaj: Të gatshëm që të sakrifikojmë
Flet për “Koha Jonë”, kreu i Sindikatës së Shërbimeve Policore, Valentin Macaj: Sistemi po vuan për kapacitete menaxhuese të kualifikuara, pasi drejtuesit këshillohen nga zyrtare servile që ndërrojnë 7 lëkurë
Intervistoi: Redjon Shtylla
“Sistemi po vuan për kapacitete menaxhuese të kualifikuara, pasi drejtuesit këshillohen nga zyrtare servile që ndërrojnë 7 lëkurë në disa pushtete që shkojne e vijnë, dhe po dëmtojnë imazhin e një sistemi që nuk po njeh atë nivel që kërkojnë kërkesat e ligjit, dhe kushtet e një vendi kandidat për në BE”,-kështu shprehet në një intervistë për “Koha Jonë”, kreu i Sindikatës së Shërbimeve Policore, Valentin Macaj. Për më tepër, ai nënvizon se problem është dhe një gabim me dashje që u bë në miratimin e ligjit 80/2020, në nenin 14 të tij, ku përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ngulmoi në Komisionin e Sigurisë që të hiqen armët për të gjithë stafin policor, përjashto vetëm forcat operacionale.
Prej ditësh jeni shprehur se nëse Ministria e Drejtësisë nuk reagon, punjonjësit e burgjeve do futen në grevë dhe kjo do të shkaktojë rënien e sigurisë kombëtare, pasi të burgosurit do të fitojnë pushtet. Ju po thoni që burgjet do të hapen dhe të dënuarit do të dalin në rrugë?
Duke marrë parasysh situatën e rëndë social-ekonomike që po kalon Policia e Burgjeve, kushtet e vështira në vendin e punës, mospagesën e punës në ditët e shtuna dhe të diela, referuar Kodit të Punës. Mungesat më organike, mospagesa e gradës si në Policinë e Shtetit, mungesa e etikës në komunikim, mungesa e vaktit ushqimor dhe transporti i pjesshëm, detyruan Sindikatën që me anë të vendimit unanim në Këshillin Drejtues, dhe me nxitjen e qindra anëtarëve në sistemin penitenciar, të paralajmërojmë protestën para institucioneve, deri në realizimin e kërkesave bazike. Shto edhe mungesën e trajnimit sipas protokolleve aktuale të sistemit penitenciar europian, mosnjohejen e të drejtave sipas Kodit të Punës, diskriminimin në motivim për gradë, krijuan kushtet e nisjes së reagimit social.
Sipas Ligjit nr.80/2020, neni 25 i tij, punonjësve të policisë së burgjeve u lejohet reagimi social i protestës, pasi jemi pjesë e administratës publike që nga viti 2008 e këtej, por jo zhvillimin e grevës, pasi jemi institucione të rëndësisë së veçantë dhe kemi të bëjmë me protokolle sigurie specifike, që nuk duhen anashkaluar për asnjë lloj arsyeje, sepse shkaktojmë dëme të pa riparueshme në sigurine publike. Kjo nuk pengon mundësinë e grevës, por duhet organizuar në kushte të tjera, jashtë ambienteve të punës dhe kur grevisti është me pushim vjetor ose disa ditor. Sistemi po vuan për kapacitete menaxhuese të kualifikuara, pasi drejtuesit këshillohen nga zyrtare servile që ndërrojnë 7 lëkurë në disa pushtete që shkojne e vijnë, dhe po dëmtojnë imazhin e një sistemi që nuk po njeh atë nivel që kërkojnë kërkesat e ligjit, dhe kushtet e një vendi kandidat për në BE.
Kjo mënyrë këshillimi “allaGebels”, ku vetëm në Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, vartësi i një drejtuesi sektori është edhe epror i tij sipas komandimit të paligjshëm, ka krijuar amulli dhe dëm të madh në funskionimin normal të një administrate prej mijëra punonjësish. Kjo është një arsye më shumë që ne të reagojmë për të patur normalitet në sistem.
Akuza më e madhe që keni bërë është për vetëvrasjet e efektivëve të policisë së burgjeve. I keni denoncuar rastet tek organet kompetente, dhe nëse po ka hetime për këto ngjarje?
Sindikata jonë ka një aktivitet të gjatë në sistemin penitenciar, që nga 2007 e në vazhdim, dhe përgjatë kësaj periudhe ka patur raste të shumta suicidi nga ish-punonjësit e policisë, kjo si pasojë e mbingarkesës në punë, stresit, presionit nga elementët kriminalë dhe problemeve me varfërinë familjare. Po ashtu, kemi shumë aksidente për shkak të detyrës, sidomos me humbje jete në rrugë e kryqëzime rrugësh, si pasojë e mungesës së transportit.
Vetëm para 4 vitesh, kemi patur 3 punonjës policie të vdekur në të njejtën kohë në rrethin e Korçës, pa folur pastaj për aksidente në rrugën e Milot-Lezhë, mbikalimi i Fushë-Krujës, Bishti Zhurit në Rrogozhinë, rrugën interurbane kryesore Tiranë-Durrës etj. Kemi patur edhe raste të vdekjes së parakohshme si pasojë e sëmundjeve të rënda, tumore e dëmtime aksidentale në vendin e punës. Vetëm nga ataku kardiak, kemi 3 vdekje brenda vitit në radhët e Policisë së Burgjeve, njëri në Pogradec në moshën 40-vjeç, tjetri në Lezhë në moshën 57-vjeç dhe rasti i fundit në Shkodër në moshën 44-vjeçare.
Probleme shëndetësore dhe ngarkesë emocionale, ka shkaktuar edhe tërmeti i 2019 dhe pandemia Covid-19, por mungesa e psikologut nëpër institucione, ka qenë një problem dhe vazhdon të jetë në sistem, pavarësisht që kemi staf mjekësor, farmaci dhe infermier, por që shërbejnë vetëm për të dënuarit e të paraburgosurit.
Gjithashtu keni denoncuar edhe për dhunë nga të dënuarit tek punonjësit e policisë së burgjeve. Ku është më rëndë gjendja?
Po, ka patur dhe ka disa raste dhune e presioni ndaj punonjësve të shërbimit nga të dënuar, nga të paraburgosurit, dhe familjarë të tyre në ambientet jashtë institucioneve. Kemi denoncuar në media rastin e dhunës së ushtruar para disa kohësh në burgun 313, ku ka patur edhe denoncim në prokurori për rastin, kemi patur rast tek spitali i të dënuarave me mjekim të detyrueshëm, rast në Lezhë, ku është goditur punonjësi në regjim si dhe në burgje të tjera ku reagimi i të dënuarve ka qenë i dhunshëm si kundërvënie ndaj zbatimit të ligjit e rregulloreve në fuqi.
Problem na ka dalë edhe me një gabim me dashje që u bë në miratimin e ligjit 80/2020, në nenin 14 të tij, ku përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ngulmoi në Komisionin e Sigurisë që të hiqen armët për të gjithë stafin policor, përjashto vetëm forcat operacionale. Ne kundërshtuam fort këtë propozim aspak ligjor dhe në mbrojtje të punonjësit të policisë, por ishte çështje votash dhe vetëm u pranuan disa pika në nenin 14, duke shtuar disa kategori punonjësish në mbajtjen e armës së brezit edhe jashtë shërbimit.
Kemi një acarim të stafit për shkak të këtij neni, pasi ndihen të pambrojtur dhe pa siguri të jetës e familjes nga shkelësit e ligjit. Ne e kemi denoncuar dhe po përgatisim dosjen për të kërkuar rishikimin e ketij neni në Parlament. Rastet nuk denoncohen në institucionet kompetente, pasi ka mungesë besimi dhe konfidencialiteti.
Më 13 shtator 1971, afro 1 mijë e 500 policë dhe roje burgu sulmuan burgun shtetëror të Atikës në New York, për të shtypur një nga rebelimet më të mëdha të burgjeve në historinë amerikane. Edhe pse keni vite që denonconi, pse këtë herë mendoni se “kërcënimet” nga punjonjësit e burgjeve të dëgjohen dhe se situata do të ndryshojë? Nga ndryshon greva e punonjësve të policisë së burgjeve, nga grevat e të dënurave në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit?
Ne e kemi “thyer akullin” para 11 vitesh, tani jemi më profesionistë e kërkues, si dhe kemi plane masash të qarta e shumë sensibilizues ndaj faktorit ndërkombëtar dhe shtetëror të Tiranës. Ne do tërheqim vëmendjen e shoqërisë për kushtet e vështira që kalojnë, dhe do japim një mësim të mirë për zyrtarët burrokrate dhe kundërvënës ndaj punonjësve të policisë. Nuk përjashtojmë edhe mundësinë e një greve si ajo e Ballshit, ide e hedhur nga disa kolegë të sindikatës, të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë për kauzën e drejtë social-ekonomike në sistemin penitenciar. Dhe në fund, kujtojmë punëdhënësin dhe Ministrinë e Drejtësisë, që afati i paqes sociale prej një jave, mbaron këtë të dielë dhe të hënën vazhdojmë axhenden tonë sindikale, siç kemi njoftuar më parë.