Investime të tjera tek “Ushtaraku”! Rikonstruksion objektit dykatësh dhe lulishtes

Në Agjencinë e Prokurimeve Publike është shpallur tenderi për rikonstruksionin e zyrave të administratës së Spitalit të Traumës në Tiranë.

Zyrat e administratës së Spitalit Universitar të Traumës janë të pozicionuara në krahun e djathtë të hyrjes kryesore të objektit. Objekti është 1 dhe 2 katësh. Objekt i projektit do të jenë zyrat e administratës si dhe lulishtja e cila ndodhet në pjesën qendrore të saj. Sipërfaqja totale e objektit është afërsisht 1320 m2.

Spitali Universitar i Traumes është institucion kombëtar shëndetësor i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë që siguron ndihmën mjekësore të specializuar për efektivat e Forcave të Armatosura (FA), të strukturave që parashikon statusi i ushtarakut dhe për popullsinë civile, për problemet e politraumës.

“Sipas planit të rikonstruksionit të zyrave të administratës, me financim nga buxheti i shtetit, është parashikuar një rikonstruksion i ambienteve duke e kthyer në ambiente të përshtatshme me një funksionim normal dhe dinjitoz për administratën e Spitalit Universitar të Traumës” shkruhet në dokumentet e tenderit.

Nga inspektimi në vend, gjendja ekzistuese e objektit paraqitet me problem të ndryshme që nga dëmtim i suvatimeve dhe fasadës së jashtme totalisht e deri te amortizimi i sistemit të ngrohjes në shkallën më shumë se 50 %.

“Projekti i rikonstruksionit parashikon nderhyrje ne objekt per te garantuar largimin e lageshtires, permiresimin dukshem te regjimit termik, rindertimin teresor te rrjeteve inxhnierike, mbrojtjen nga zjarri, sigurine e objektit, sistemin e kondicionimit e ventilimit, elektrik, hidrosanitar etj bazuar ne kerkesat e kohes dhe standardet e EU. Ne te gjitha rastet projekti duhet te kete prioritet minimizimin i kostove ndertimore dhe te stafit te perfshire” shkruhet në dokumentet e tenderit.

Tenderi ka një fond limit 41 milionë e 125 mijë lekë ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është 27 prill 2020./scan

SHKARKO APP