Inxhinieri Meçe i bën apel qytetarëve: Mos ndërhyni në rikonstruktimin e ndërtesave

Inxhinieri Arben Meçe i ftuar në Ora News i bën apel qytetarëve që të mos ndërhyjnë në rikonstruktimin e banesave me vullnetin e tyre por të presin për tu bërë verifikimet profesionale nga ana e qeverisë.

Sipas tij, e vetmja gjë që ata mund të bëjnë është evidentimi i dëmeve të banesave të tyre dhe dorëzimi i një dosje nëpërmjet administatorit tek njësia më e afërt.

Gazetari: Çfarë mund të bëjnë qytetarët që kanë krisje më të lehta në pallate?

Meçe: Dy ditë që unë qëndrova në Durrës, pashë një skemë brilante të organizimit që ishte eksperiencë e 21-shit, të mënyrës se si njësitë bashkiake, organizoi skemën e menaxhimit të kësaj situate. Asgjë nuk do bëjnë qytetarët. Ata duhet të organizohen dhe të përgatisin dosje për çdo pallat të dëmtuar dhe të shkojnë pranë njësisë më të afërt.

Duhet që administratori i pallatit të adresojë dosjen e qytetarëve. Çdo qytetar duhet të evidentojë pretendimet e veta dhe këto muret e shkatërruara, mos të marrë asnjeri iniciativën për t’i prekur.

Duhet të bëhen qytetarët pjesë e procesit. Mobilizim ushtarak i gjithë trupës inxhinierike. Unë jam radikal në këtë rast. Nuk është situatë këtu të presim, ne duhet të na vendosin tani në rresht dhe të fillojë puna. Ky është shtet! Ta kuptojë dhe shteti, mobilizim total. Qytetarët duhet ta përgatisin paraprakisht dosjen në mënyrë që të përshpejtojnë procedurat. Jam i sigurt që sa më shpejt të mbyllen procedurat e këtyre pallateve aq më shpejt do të fillojë ndërhyrja.

Nuk këshilloj në mënyrë absolute asnjë qytetar në këtë moment të ndërhyjë në objekt, qoftë në ndërtim, qoftë dhe në prishje. Sepse askush nuk e di teknikisht se si është situata. Këtë duhet detyrimisht ta verifikojnë grupet e ekspertëve.

Gjithashtu ai i bën thirrje qeverisë që të bëhen bashkë pa diferencim partish, për tu ofruar ndihmën qytetarëve në rikonstruktimin e banesave.

Meçe: Natyrisht që do t’i ndërtojnë. Edhe shteti më i papërgjegjshëm do ta bëjë këtë punë. Shoh një mobilizim total, President, kryeministër, udhëheqësi i opozitës. Unë do të thoja të ketë një unifikim të veprimeve dhe mos të shkojë askush për qejfin e vet.

SHKARKO APP