Inxhinieri: Shqipëria mund të gjenerojë tërmete deri në 6.5. Kika: Ky tërmet ishte vdekja e ligjit të legalizimeve
Ndërtimet në Shqipëri dhe tërmeti janë në fokus të emisionit “Real Story” në News24 mbrëmjen e sotme ku të ftuar janë ekspertë të fushës e inxhinier ëndërtimi.
Pedagogia e inxhinierisë së ndërtimit Diana Bardhi deklaroi se kushtet teknike të projektimit që janë sot në fuqi janë për tërmete të shkallës 8.5. Për inxhinierin e ndërtimit Ervin Paci, Shqipëria mund të gjenerojë tërmete deri në 6.5 Rihter pasi një tërmet më i fuqishëm do një përplasje pllakash mijëra kilometra.
Ndërkohë Avenir Kika nga shoqata e ndërtuesve deklaroi se pallatet e pas viteve ‘91 i rezistuan nga pikëpamja statike shumë mirë tërmetit dhe sot njerëzit në këto pallate duhet të flenë të qetë. Por nga ana tjetër theksoi se ky tërmet ishte vdekja e ligjit të legalizimeve.
Për Agron Hysenlliun, drejtor i institutit të ndërtimit, ndërhyrjet, si në ambientet në katet e para ose shtesat kanë ndikuar në mënyrë të dukshme në objektet e vjetra dhe kanë prishur strukturat e objekteve. Duke u ndalur tek banesa e familjes Lala, më e prekura e tragjedisë që humbi 8 anëtarë nën rrënoja, Hysenlliu tha se ka pasur probleme të llogaritjeve statike të konstruksionit.
Diskutimet
Diana Bardhi: Pas tërmetit të ‘79 ne nuk kishim ende një IGJEUM, nuk kishim një institut sizmit që maste sizmicitetin. madje valët e sizimicitetit i ka matur Mali i Zi në kohën e ’79. Pas kësaj kushtet teknike të projektimit që janë ende sot në fuqi janë për 8.5 të shkallës Rihter.
Ervin Paci: 8.5 të shkallës rihter nuk ka mundësi praktike fizike të bjerë në Shqipëri, as ato nuk janë. Shqipëria mund të gjenerojë tërmete, me gjithë studimet që kam bërë deri në 6.5 Rihter që është një magnitudë lokale. Ky ishte 6.4. Gjenerimi është në bazë të tektonikës së një vendi që mund të bëhet. 8.5 Rihter mund të bëhet në Kili. Do një përplasje pllakash mijëra kilometra.
Avenir Kika: Pallatet e pas viteve ‘91 i rezistuan nga pikëpamja statike shumë mirë tërmetit, sot njerëzit në këto pallate duhet të flenë të qetë. Për sa i përket muraturave as sot nuk kemi një standard që duhet me urgjencë të bëhet se si duhet të bëhen muraturat e pallateve me kollona betoni.
Ervin Paci: Kur bëhet llogaritja ne e çojmë se përndryshe do duhet të bënim të tërë bunker që të mos ketë asnjë çarje, tërmeti llogaritës duhet t’i ofrojë strukturës mundësi që të shkëputet pjesa… ta themi tek strukturat që janë me skelet beton arme, ndryshe ta themi tek muratura e tullës mbajtëse…duhet të ofrohet që të shkëputet se përndryshe ka forca shumë të mëdha, futen elementë të tjerë. Kështu që gjithë këto plasaritjet janë normale dhe ne e llogarisim, pjesa e projektimit është për dëmtueshmëri të madhe. Problemi është që të mos dëmtohet struktura kryesore po themi kolona, muret mbajtëse, betoni që të shkojë në kolaps të godinës dhe pjesa që do dëmtohet tek muret të jetë me riparime të vogla, të themi e ribanueshme. Të gjithë kodet e botës, bazohen në këtë filozofi.
Agron Hysenlliu: Ndërhyrjet, si në ambientet në katet e para ose shtesat kanë ndikuar në mënyrë të dukshme në objektet e vjetra dhe kanë prishur strukturat e objekteve. Janë të rrezikshme. Të gjithë skeletet kanë rezistuar. Projektimi ka qenë në mënyrë më të madhe elastike që të mos çahen strukturat dhe objektet të mos shkojnë në kolaps. Gjithë dëmin e kanë ngrënë muraturat. Këto muratura janë bërë jashtë çdo lloj standardi. Nuk janë bërë lidhjet e mureve çdo 60 cm, me dy shufra hekuri.
Vila e Lalajve ka pasur probleme të llogaritjeve statike të konstruksionit. Kemi 8 vila që do të prishen që kanë të njëjtin problem. Janë punuar kolonat me 4 fije hekur 12.
Avenir Kika: Tërmeti ishte vdekja e ligjit të legalizimeve. Ky ligj sot duhet të ketë marrë fund. Edhe një vilë 1-2 katëshe duhet të ketë konstruktorin, duhet të ketë shpimin gjeologjik, duhet të ketë sizmologun. Instituti duhet të ndryshojë kodet urgjentisht. Të fusë eurokodet, të fusë normativat e mureve.