Irani rrezikon të përballet me SHBA në Botëror!
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se “nuk i intereson fare” nëse Irani do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, në një moment kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar në konflikt të hapur ushtarak në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për POLITICO, Trump u shpreh: “Nuk më intereson nëse Irani merr pjesë. Mendoj se Irani është një vend i mundur keq. Janë në fund të forcave të tyre.” Deklarata e tij vjen në një kohë kur operacionet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit kanë ndezur një përballje të drejtpërdrejtë në rajon.
Irani ishte skuadra e parë që siguroi kualifikimin për Botërorin 2026, por mungoi në një takim organizativ të thirrur nga FIFA në Atlanta këtë javë. Mungesa e delegacionit iranian ka ngritur pikëpyetje serioze nëse Teherani do të dërgojë ekipin në turneun që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut, ndërkohë që rajoni po përballet me përshkallëzim të luftës dhe sulme të ndërsjella.
Sipas kalendarit aktual të turneut, Irani pritet të luajë ndaj Zelandës së Re më 15 qershor në Los Anxhelos, ndaj Belgjikës më 21 qershor po në Los Anxhelos dhe kundër Egjiptit më 26 qershor në Seattle. Ekziston edhe mundësia e një përballjeje direkte me SHBA-në në fazën me eliminim direkt, nëse të dyja skuadrat përfundojnë të dytat në grupet respektive.
Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, ka deklaruar se pas sulmeve ushtarake dhe përshkallëzimit të konfliktit “nuk mund të pritet që ta shohim Botërorin me shpresë”, duke lënë të hapur mundësinë e një tërheqjeje nga turneu.
Ndërkohë, çështja e vizave mbetet një tjetër problem i ndjeshëm. Irani është pjesë e listës së ndalimeve të udhëtimit të vendosura nga administrata Trump, edhe pse ekipet pjesëmarrëse në Botëror mund të përfitojnë përjashtime. Megjithatë, vendimet për zyrtarët apo tifozët iranianë merren rast pas rasti nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Drejtori i Task Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Botërorin, Andrew Giuliani, theksoi se në këtë situatë prioritet mbetet siguria: “Duam një Kupë Bote të sigurt dhe të mbrojtur. Do të ishte naive të mendonim se do të hapnim kufijtë pa marrë parasysh situatën aktuale.”
Në këtë mënyrë, lufta në zhvillim mes SHBA-së dhe Iranit rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt edhe në një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë, duke e kthyer pjesëmarrjen e ekipit iranian në Botërorin 2026 në një çështje të ndjeshme gjeopolitike.
KOHA JONË SONDAZH

