Iranianët i kthyen Shqipërisë “kusurin” e MEK?
Sulmi i bërë nga Irani korrikun e vitit të kaluar drejt sistemit kibernetik shtetëror shqiptar, ka qenë i ngjashëm si dy pika uji me sulmin kibernetik që vetë Irani ka pësuar më herët nga hakera të dyshuar si të lidhur me anëtarët e grupit MEK në Manzë. Duket si një kundërsulm me të njëjtën armë dhe të njëjtën strategji.
Fakti bëhet i ditur në dosjen e SPAK në lidhje me hetimin e nisur ndaj një bërthame hakerash brenda ambienteve të kampit MEK në Shqipëri, që kishin kryer sulme drejt Iranit. Për këto dyshime u zhvillua edhe kontrolli i së martës në kamp, që u kundërshtua nga disa prej anëtarëve rezidentë në Shqipëri. Referuar të dhënave të dosjes së SPAK, në mars dhe në qershor të vitit 2022, gati një muaj para se Shqipëria të binte pre e sulmeve kibernetike, institucionet të rëndësishme shtetërore në Iran janë sulmuar nga hakera.
Tipologjia e sulmeve ka qenë e ngjashme. Një prej shënjestrave në Teheran, e dyshuar si e bërë nga Manza në Shqipëri, nga një grupim hakerash i vetëquajtur “Kryengritja deri në përmbysje” ka qenë ministria e Jashtme e Iranit. Sipas një publikimi në gjuhen angleze në faqen “Iran International”, thuhet se ky grupim hakerash i lidhur me grupin opozitar në Shqipëri ka publikuar qindra dokumente identifikimi, procesverbale të takimeve, korrespondencën e ministrisë, numrat e telefonit të zyrtarëve të ministrisë dhe emrat e 11 mijë punonjësve.
Publikimet janë bërë në një grup në aplikacionin Telegram, bashkangjitur me slogane ku kërkohej vdekja e liderëve aktualë të Iranit dhe foto të tyre me kryq të kuq. Mes dokumenteve të publikuara ishin edhe korrespondencat e Republikës Islamike të Iranit me zyrtarët europianë në lidhje me një marrëveshje për shkëmbim të burgosurish, që do të lironte një diplomat iranian të burgosur në Belgjikë.
Si në pasqyrë, hakerat iranianë në korrik sulmuan portalin qeveritar e-Albania, duke e nxjerrë jashtë funksionit për disa ditë dhe dy javë më vonë edhe sistemin TIMS. Në vijim, kohë pas kohë, në grupin “Homeland Justice” në Telegram u publikuan të dhëna sensitive të sistemeve të policisë, emra e foto personash të hetuar, video të kamerave shtetërore të sigurisë, inbox-in e e-mail-it të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, si edhe hyrje-dalje në kufi të zyrtarëve të lartë të shtetit. /A2cnn/