Ish-deputeti i PS mesazh prekës: 55 ditë të vështira “luftë” me Covid-19, shumica në spital
Ish-deputeti socialist, Fatmir Toci, është rikthyer në shtëpi, pas një lufte 55 ditore me Covid-19.
Ish-deputeti, pasi u infektua me koronavirus, u izolua për 11 ditë por më pas pati nevojë për ndihmë mjekësore. Ai qendroi 44 ditë i shtruar në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.
“Sot besoj se kam dalë fitimtar dhe jam kthyer pranë familjes time të shtrenjtë”, shkruan ai ne nje postim ne rrjetet sociale.
Teksa falënderoj mjekët e gjithë stafin e spitalit Covid2, ka dhe një mesazh e thirrje për miqtë e tij.
“Jeta është e bukur dhe e vlefshme kur është e shëndetshme, ndaj të bëjmë çmos për mbrojtjen e saj!”
POSTIMI I PLOTE
PRANË FAMILJES, MË NË FUND…
Pas një lufte 55 ditore në kufijtë e të pamundurës me sëmundjen e rëndë të Covid-19 (11 ditë i vetëkarantinuar dhe 44 ditë i shtruar në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, sot besoj se kam dalë fitimtar dhe jam kthyer pranë familjes time të shtrenjtë, dashuria dhe përkujdesjet e së cilës ishin, padyshim, pjesë e rëndësishme e terapisë në luftën për mbijetësë.
Falenderime pa fund dhe mirënjohje e thellë, aq sa fjalët janë të varfëra ti shprehin deri në fund, për personelin e Spitalit “Shefqet Ndroqi”, mjekët, infermierët, specialistët, sanitaret etj., në mënyrë të veçantë prof. dr. Perlat Kapisyzi, drejtuesi i këtij institucioni të destinuar për të shpëtuar jetë njerëzish nga kthetrat e vdekjes.
Jam aq shumë i detyruar ndaj kujdesit dhe përkushtimit te tyre, sa që sot mund ta them pa hezitim e me bindje se nëse nëna ime e mirë më bëri kokën para 62-vjetëve, ata më rikthyen në jetë pas një lufte që dukej e humbur.
Me qindra të afërm, miq, shokë, të njohur e të panjohur që kanë qenë afër meje gjatë kësaj periudhe me interesimin dhe urimet e tyre për shërim të shpejtë, i falënderoj nga zemra, ma kanë lehtësuar gjendjen time shpirtërore psikologjike dhe më kanë dhënë kurajë e besim se do të dilja.
Miqtë e mi kudo që jeni, jeta është e bukur dhe e vlefshme kur është e shëndetshme, ndaj të bëjmë çmos për mbrojtjen e saj!