Ish-deputetja e PD: Fëmijët tanë janë terrorizuar nga forcat e policisë
Ish-deputetja e Partisë Demokratike Orjola Pampuri, me anë të një postimi në “Facebook” shprehet se fëmijë dhe adoleshentë janë terrorizuar këta ditë proteste nga Policia e Shtetit.
Pampuri thekson se të rinjtë që ishin në protestë janë fëmijët tanë, ndërsa shtoi se trauma që iu është lënë atyre, mund t’ju mbetet gjithë jetën.
Postimi i ish-deputetes së PD-së Orjola Pampuri:
Po dal në këtë orë të vonë të mbrëmjes jo për të bërë politikë, por si grua dhe si nënë. Jam tepër e shqetësuar për dhunën që sot u përshkallëzua në menyrë jo propocionale ndaj një numri të madh të rinjsh, kryesisht minorenë.
Ata janë femijët tanë, që gjatë këtyre ditëve janë terrorizuar dhe keqtrajtuar në kundërshtim me ligjin nga forcat e policisë. Sot në mbremje ishim dëshmitarë të një terrori policor krejtësisht të panevojshëm.
Ata femijë, që tani që unë po flas janë të ndaluar në komisariat, janë fëmijë nënash, janë femijët tanë. Si psikologe, jam e tronditur sepse e di shumë mirë që trauma që po u shkaktohet këtyre adoleshentëve, mund të lërë gjurmë për gjithë jetën.
Avokati i Popullit deklaroi sot se pas një inspektimi në komisariatet e policisë së Tiranës, ndaj minorenëve deri në 13 vjeç është ushtruar dhunë psikologjike, duke i marrë në pyetje pa praninë e avokatit dhe pa praninë e psikologut, në kundershtim të hapur me ligjin.
Nga dëshmitë që raportoi Avokati i Popullit, është ushtruar edhe dhunë fizike gjatë ndalimit dhe shoqërimit të adoleshentëve në rajonet e policisë.
E thashë në fillim se nuk jam këtu për të bërë politikë, por për t’i bërë një thirrje edhe humane dhe ligjore Policisë së Shtetit, që të ndalë menjëherë keqtrajtimin dhe dhunën ndaj të rinjve. Ata që sot kanë dalë në rrugë janë femijët tanë, por janë dhe femijët e tyre. I bëj një kërkesë dhe medias që të jetë e vëmendshme dhe e ndjeshme ndaj këtij fenomeni, që mund të traumatizojë një brez të tërë.