Ish-deputetja e PS, Blerina Gjylameti merr zyrtarisht detyrën si drejtoreshë e AKU-së
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi këtë të enjte Drejtoreshën e re të Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Blerina Gjylameti, në një takim me ekipin drejtues të institucionit. Gjylameti u emërua ditën e djeshme në krye të AKU-së, ndërsa sot ish-deputetja e PS Gjylameti mori zyrtarisht detyrën.
Salla vuri theksin te rëndësia e drejtimit dhe menaxhimit efikas të institucionit, si dhe te roli kyç i sigurisë ushqimore në procesin e integrimit europian. “Ndamë me ekipin drejtues rëndësinë e menaxhimit efikas të punës dhe vëmendjen e shtuar ndaj sigurisë ushqimore, e cila mbetet një prioritet kombëtar dhe një shtyllë thelbësore e procesit tonë të integrimit në Bashkimin Evropian,” u shpreh ministri.
Salla theksoi se AKU do të vijojë të forcojë rolin e tij institucional në funksion të qytetarëve dhe biznesit. ”AKU do të vijojë të forcojë besimin e publikut dhe rolin e tij kyç në garantimin e ushqimit të sigurt dhe cilësor, përmes kontrolleve të bazuara në risk dhe rritjes së profesionalizmit të inspektimeve, në shërbim të konsumatorëve dhe biznesi”,- theksoi Salla.
KOHA JONË SONDAZH

