Ish-gjyqtari Luan Daci: GJKKO më dënoi për “falsifikim intelektual”, kjo vepër nuk ekziston në asnjë legjislacionin penal
Ish-gjyqtari Luan Daci ka cilësuar si të padrejtë dhe të pabazuar në ligj vendimin e GJKKO për dënimin e tij me 6 muaj burg, të konvertuar në 12-muaj shërbim prove, për veprën penale të deklarimit të rremë për tu zgjedhur si gjyqtar në KPA.
Përmes një konference të jashtëzakonshme për media, Daci shprehet se ky vendim është i pabazuar në Kushtetutë dhe në Kodin Penal, pasi ai është dënuar për “Falsifikim intelektual”, një term që as nuk ekziston në legjislacionin shqiptar. Sipas tij ai nuk ka kryer asnjë falsifikim në dokumentet e dorëzuara në komision për të zgjedhur si pjesë e KPA.
“Unë jam dënuar pa fakte, pa vepër të parashikuar në legjislacionin shqiptar. Është fakt që nuk kam falsifikuar asnjë dokument, i gjithë dokumenti i dorëzuar prej meje është i rregullt. E dyta nuk kam falsifikuar asnjë dokument të kërkuar nga organi i procedurës siç vërtetohet me dokumentet e dyanshme. Theksoj se kam aplikuar për të tre pozicionet e vetingut dhe i kam fituar të treja. Gjithçka që tregon ky dokument i dyanshëm është se nuk kam kryer asnjë falsifikim, jam dënuar pa fakt penal, pa ligj. Jam dënuar nga GJKKO për “falsifikim intelektual” që nuk është e parashikuar në legjislacionin shqiptar, ky është shkaku që unë kam thirrur këtë konferencë.
Dy gjyqtarët e Shkallës së Parë, dy gjyqtarët e Apelit dhe dy gjykatësit e Gjykatës së Lartë nuk i janë nënshtruar ligjit, kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjin që i obligon të bazohen në Kushtetutë dhe të mos krijojnë norma të reja ligjore.
Edhe shkarkimi është bërë pa ligj në shkelje të Kushtetutës. Në mos respektimi të Kodit Penal, gjykata ka shpikur termin “falsifikim intelektual”. Vepra e falsifikimit quhet kur kryhet veprim konkret mbi dokument, nuk ka definicionin tjetër, falsifikim është veprimi mbi dokumentin.
Unë do të isha përballë akuzës së falsifikimit nëse do të kisha falsifikuar vendimin e KLD-së të vitit 1997, të cilin as nuk e kam prekur dhe as nuk e kam parë”, tha Daci.
KOHA JONË SONDAZH

