Ish-kreu i Policisë Ahmet Prençi: Aleanca me pushtetin po fuqizon bandat në Shqipëri
Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, shpreh shqetësimin për situatën e rendit në vend, e cila sipas tij po shkon drejt degradimit të pandalshëm. Prençi thotë për “Gazeta Shqiptare” se shkaqet e kësaj situate i kanë rrënjët te keqqeverisja e majtë. “Vetë qeveria – shprehet z.Prençi – nuk e ka të qartë ku është kufiri ndarës ndërmjet saj dhe krimit”.
Ish-kreu i policisë apelon se siguria në vend është e kërcënuar seriozisht, pasi grupet e krimit të organizuar kanë në administrim pushtet të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, dhe më e keqja, kanë në administrim shumë para të pista, që mendoj se konkurrojnë me buxhetin e shtetit. Ai akuzon drejtpërdrejtë se aleanca me pushtetin po fuqizon bandat në Shqipëri. Ahmet Prençi ka bindjen e plotë se shkëputja e lidhjeve politike sjell kapitullim të krimit. Ish-kreu i Policisë së Shtetit flet edhe për mundësinë e sulmeve terroriste në vendin tonë, për të cilat shprehet se rreziqet eksitojnë…
Z.Prençi, pse kaq problematike situata e sigurisë në vend? A janë shqiptarët të sigurt në vendin e tyre?
Siguria dhe rendi në vendin tonë faktikisht është në një degradim ritmik e të pandalshëm. Shkaqet tashmë janë të njohura dhe publike. Rrënjët ato i kanë në një qeverisje, që problemet e popullatës janë në një optikë të largët dhe e rëndësishme për të është korrupsioni, dhuna dhe propaganda. Shumica e reformave në polici janë lënë përgjysmë. Vetë qeveria nuk e ka të qartë ku është kufiri ndarës ndërmjet saj dhe krimit. Kurse policia ka humbur çdo të drejtë morale dhe autoritetin e saj të bashkëpunojë me publikun si rezultat i inkriminimit të saj masiv në vitet e kanabizimit në masë të vendit dhe veprimeve të njëanshme represive, në interes të partisë në pushtet si gjatë manifestimeve të opozitës, edhe në përdorimin e dhunës së tepruar ndaj banorëve gjatë prishjeve të ndërtesave të tyre. Vetëm në kohë lufte banorët dhe fëmijët e tyre dëbohen nga banesat e tyre me përdorimin e gazit lotsjellës.
Sa komplekse është ajo…?
Në situatën e krijuar, problematika është shumë komplekse. Po të analizojmë me qetësi fenomenet që janë shfaqur gjatë qeverisjes së këtyre gjashtë viteve, do të vihet re se fenomenet e krimit janë sofistikuar dhe janë shfaqur me një qasje të re; më të organizuar, më të fokusuar te paratë, më në aleancë mes tyre, më të qetë e të patrazuar në veprimtarinë e tyre, shumë të mbrojtur e të sigurt dhe në aleancë të ngushtë me pushtetin. Mendoj se siguria në vend është delikate dhe e kërcënuar seriozisht, pasi grupet e krimit të organizuar kanë në administrim pushtet të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë dhe më e keqja, kanë në administrim shumë para të pista, që mendoj se konkurrojnë me buxhetin e shtetit. Kjo është në çdo kohë një kërcënim serioz për qytetarët dhe shtetin.
Çfarë i fuqizon bandat në Shqipëri? A mendoni se politika po ndikon në fuqizimin dhe mbrojtjen e grupeve kriminale?
Aleanca me pushtetin. Fuqizimi financiar, lidhjet me pushtetin dhe pastrimi i parave i ka bërë grupet kriminale shumë të fuqishme dhe me të sofistikuara në veprimtarinë e tyre. Për më tepër kur ato përdoren edhe për motive politike si blerja e zgjedhjeve, ato kthehen në bashkëqeverisëse. Jo pak koncesione u janë dhënë ish- trafikantëve të kokainës dhe më gjerë. Pra, fuqizimi i bandave presupozon bandat në një anë dhe shteti në anën tjetër që i lufton. Në rastin tonë nuk bëhet fjalë thjesht për fuqizim, por bashkëpunim mes tyre dhe shtetit, pra bandat kriminale sot janë pjesë e vendimmarrjes publike. Edhe në ditët e sotme kemi drejtues të lartë të partisë në pushtet dhe deputetë me damkë publike, vendosur nga Departamenti i Amerikan i Shtetit si të korruptuar dhe nuk ka asnjë reagim nga qeveria. Edhe sot që flasim kemi tre kryetarë bashkish të vërtetuar që kanë të kaluar kriminale të padeklaruar dhe asnjë reagim, asnjë pendesë e asnjë masë nuk merret. Disa ndërmarrje kriminale si trafikimi i drogave të forta me sasi të madhe dhe me financim po ashtu të konsiderueshëm nuk bëhen pa mbështetjen e politikës që qeveris në mbarë vendin.
Si jepet kjo mbështetje…?
Në vendin tonë askush nga institucionet nuk të jep mbështetje dot në të tilla raste, pasi institucionet në pikat e kalimit kufitar si policia, dogana, SHISH-i etj. nuk mund të marrin përsipër veç e veç që të ndihmojnë e të japin garanci në këtë veprimtari kriminale pa pasur një visto nga pushteti, nga kupola drejtuese, që i ka në varësi të gjitha këto institucione.
Sipas jush, si mund të fitohet kjo betejë?
Çelësi i suksesit të policisë për të fituar betejën me krimin e organizuar është vetëm vullneti politik. Shembulli më i mirë është goditja e grupeve kriminale në të gjithë vendin pas vitit 2005.
Si mund të “çlirohen” institucionet ligjzbatuese në këtë rast?
Do e përsërisja disa herë, vetëm vullneti politik. Shkëputja e lidhjeve politike sjell kapitullim të krimit. Kjo krijon kushtet që institucionet ligjzbatuese të çlirohen e të jenë me duar të zgjidhura. Demokracia ka dhënë shembuj që situata ndryshon në mënyrë të menjëhershme vetëm me rotacion politik. Kali i betejës së opozitës është ndarja e politikës nga krimi. Ajo ka dhënë prova e shembuj të shumtë, përfshi edhe nismat e saj ligjore të dekriminalizimit.
Policia e Shtetit dhe qeveria e konsiderojnë si arritje faktin që kapet më pak drogë. Kjo sipas jush tregon se në Shqipëri mbillet dhe kalon më pak drogë, apo tregon se ka rënë forca zbuluese dhe goditëse e policisë?
Këto janë propagandë dhe justifikime. Kur kishte shumë drogë, thuhej se nuk ka dhe se është perceptim i gabuar i publikut. Qeveria kishte tendencën e mohimit të këtij fenomeni të rrezikshëm, ndërkohë që denoncohej pareshtur nga opozita dhe media. Tani që kapen në mënyrë sporadike pak kilogramë, krenohen. Nuk i shqetëson aspak fakti se me dhjetëra tonelata i kapin autoritetet ligjzbatuese të Italisë dhe Greqisë, në mënyrë pothuajse të përjavshme. Me vjen keq ta them, por vendi ynë është tashmë një vend që ka krijuar kushtet, ka përgatitur terrenin e përshtatshëm që të transformohemi në një vend garant të grumbullimit dhe të shpërndarjes së kokainës. Janë të shumta faktet dhe rastet që tregojnë se Shqipëria tashmë është një furnizues me kokainë i tregut në Europë. Për të arritur këtu, grupet kriminale u pasuruan me kultivimin dhe trafikimin e tonelatave të kanabisit e tashmë avancuan në shkallën më të lartë, në atë të trafikut e kontrollit të trafikut të kokainës. Kjo ka ndodhur edhe në Kolumbi në fillim të këtij aktiviteti kriminal.
Përse ndodhi kjo?
Sepse ai që u quajt dekanabizim i vendit goditi vetëm ca kultivues të thjeshtë dhe jo financuesit dhe organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale. Këta të fundit u pasuruan dhe nuk prekën. Nuk preken. Dhe që t’i përgjigjemi direk pyetjes nëse ka më shumë apo më pak drogë, tani i referohemi asaj që thamë pak më lart, pra u goditëm kultivuesit e thjeshtë, por grupet kriminale vazhdojnë të kontrollojnë territoret që u interesojnë dhe kemi kaluar nga një kultivim relativisht masiv, në një kultivim të organizuar nga grupet kriminale. Pra, grupet kriminale vazhdojnë të qetë kultivimin e trafikun, duke u fuqizuar gjithnjë e më shumë financiarisht. Dua të theksoj se në Shqipëri deri në vitin 2013 sipas statistikave sekuestroheshin nga policia shqiptare mesatarisht 10 kg kokainë në vit. Tashmë, në Shqipëri sekuestrohen sasi kokaine me kuintal. Që në vitin 2014 u identifikua me sa mbaj mend nga autoritetet gjermane një laborator kokaine në Xibrakë të Elbasanit, më pas prokuroria me hetime proaktive në bashkëpunim me partnerët e huaj zbuloi e goditi në Shijak një grup kriminal që merrej me këtë lloj trafiku, më pas në Shkodër, në Has etj. Ju më evidentoni faktin se qeveria krenohet që kap pak drogë. Ky është një tregues shumë i keq, që më përforcon bindjen që policia është e paralizuar për të goditur brenda vendit këtë fenomen. Këtë që them, e mbështes te raporti mes tonelatave që trafikohen nga Shqipëria dhe kapen në Itali apo Greqi dhe kilogramëve sporadikë që kapen në vendin tonë, që është burim i prodhimit të kësaj lënde. Të mos harrojmë se ato tonelata që sekuestrohen nga autoritetet e huaja janë vetëm 10% e sasisë që kalon, rreth 90% e sasisë ikën në destinacionin final. Të gjitha këto tonelata përkthehen në para, që ndodhen në duart e pjesëtarëve të krimit të organizuar. E përmbledhur, përgjigjja ime është se këtu prodhohet shumë drogë dhe vullneti për ta luftuar këtë fenomen mungon.
Si e konsideroni vetingun në polici?
Vetingu në polici po përngjason me pëlhurën e Penelopës. Vetëm shtyhet. Të presim. Unë e kam deklaruar publikisht që është një proces i panevojshëm. Në fakt, me arnimet që i bënë ligjit dhe zvarritjet e aplikimit të tij duket se është një proces që përveç propagandës, nuk ka sjellë asnjë produkt. E kam thënë edhe herë tjetër që ka mekanizma ligjorë që monitorojnë punën e policisë. Po të funksionojnë ato siç duhet, nuk ka nevojë të harxhojmë para për këtë proces. Një drejtues policie ose punonjës i thjeshtë me integritet të cenuar procedohet penalisht ose administrativisht, përjashtohet nga policia. Ekziston kuadri ligjor, ekzistojnë edhe mekanizmat dhe institucionet ligjore. Pse duhet të paguhen 3 ose 4 milionë euro për ta bërë këtë gjë?!
Sa është e përfshirë policia dhe bandat në krimin elektoral, ku ju nuk keni nguruar të denonconi me emra konkretë personat e inkriminuar, që mblodhën vota për PS-në në zgjedhjet e Shkodrës?
Kjo gjë nuk ka ndodhur vetëm në Shkodër, përgjimet e prokurorisë na dhanë një panoramë të qartë se kjo gjë ka ndodhur në shumë rrethe të vendit. Më së miri aty duket qartë koordinimi i pushtetit, krimit, policisë dhe administratës së shtetit për të vjedhur zgjedhjet. Kjo është shumë e rëndë dhe e patolerueshme. Fatkeqësia më e madhe është qëndrimi i nënshtruar i prokurorisë, që me veprimet e mosveprimet e prokurorëve, të cilët janë marrë me këto raste, kanë hedhur në greminë reputacionin e institucionit dhe kanë minuar besueshmërinë me publikun. Ata prokurorë nuk ngurojnë të dënojnë qytetarë që s’kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike apo që kanë bërë pa lejë rrethimin e pronës së tyre dhe heshtin e prodhojnë manovrime nga më të shëmtuarat për të mos reaguar ndaj veprave kaq të rënda, që cenojnë dhe deformojnë krejtësisht demokracinë në vend.
Çfarë duhet të bëjë PD-ja nesër në pushtet për zgjidhjen e situatës së kriminalitetit në vend, goditjen e bandave kriminale?
Atë që ka thënë në mënyrë të përditshme e me zë të fortë, shkëputjen e politikës nga krimi dhe luftën pa kompromis kundër krimit.
Pse është PD-ja dyshuese rreth vendimit të qeverisë për burgje private në Shqipëri, sipas së cilës, është një rrugë e re për të vjedhur ca para publike?
Si fenomen njihet në vendet anglo-saksone me tradita dhe përgjegjshmëri të lartë sociale në raport me detyrimet ligjore. Kjo lloj trashëgimie anglo-saksone nuk është e zhvilluar as në shumë vende të fuqishme të BE-së dhe jo më të flitet në vendin tonë, ku ka dhe ekzistojnë biznese me burim të parave të krimit. Për më tepër, nisma të tilla merren në një kuadër të ndërtimit të shtetit liberal si koordinator i sigurisë, jo si ofertues. Ne vendin tonë shteti nuk i ofron garancitë e duhura as si ofertues dhe sidomos si koordinator për këtë çështje.
Nisur nga lajmi i bërë publik ditët e fundit nga Policia e Shtetit për celulë terroriste, që sipas së cilës do të sulmonte muxhahedinët në Shqipëri, sipas jush a ekziston një rrjet agjenturor që synon akte terroriste në Shqipëri?
Njoftimi publik i policisë për këtë ngjarje dëshmoi mungesë serioziteti nga ana e saj, sepse policia fillimisht tha se zbuloi një rrjet dhe më pas e quajti celulë. Nuk janë e njëjta gjë. Rrjeti ka në përbërje shumë celula. Dukej më shumë një sajesë për të tërhequr vëmendjen e publikut, por nga ana tjetër edhe kriminale sepse përhap panik. Të flasësh pas më shumë se një viti për një ngjarje që s’ka asnjë të arrestuar, më duket një zhurmë e panevojshme në rastin më të mirë dhe një propagandë për të hapur panik në rastin më të keq.
Po gjatë kohës që ju drejtonit Policinë e Shtetit, a keni pasur raste të tilla, apo sinjale për ndonjë sulm terrorist në vendin tonë?
Policia e Shtetit në atë kohë ka pasur një strukturë të veçantë antiterrori, që vepronte ngushtësisht me SHISH-in dhe partnerët tanë strategjikë. Di që kapacitet e kësaj strukture janë shtuar dhe është bërë gjë e mirë. Nuk mbaj mend të kishim ndonjë ngjarje të rëndë terroriste, por puna e kësaj strukture është e rëndësishme edhe pa ndodhur ngjarje të tilla.
A besoni se ka vërtet një plan terrorist për të sulmuar anëtarët e opozitës iraniane në Tiranë?
Rreziqet ekzistojnë, por në më të shumtën e rasteve aktet terroriste synojnë përhapjen e panikut, duke shkaktuar sa më shumë viktima të pafajshme. Kurse goditja që mund t’i bëhet opozitës iraniane, mendoj se nuk është e thënë të jetë me karakter vetëm terrorist.
Sa e rrezikuar është Shqipëria nga terrorizmi?
Asnjëherë rreziku nuk është zero./GSH.AL