Ish-kryeministri i Suedisë: Reforma në Drejtësi e rëndësishme, por duhen rezultate
Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bild, është shprehur se me shpalosjen e Strategjisë për Ballkanin, Brukseli ja ka bërë të qartë rajonit se dera e unionit mbetet e hapur, e megjithatë, shprehet se vendet ballkanike duhet ta kuptojnë rëndësinë e këtij momenti pozitiv dhe ta shfrytëzojnë siç duhet.
Bild: Unë e shoh strategjinë si një hap për t’a bërë të qartë vendeve të Ballkanit se dera është e hapur. Por kjo kërkon hapa të sigurt reformash dhe punë nga të gjitha shtete në mënyrë individuale. Une do dëshiroja që procesi i zgjerimit duhet të kishte ecur më shpejt. Por, BE-ja ka qënë e zënë me disa çështje të tjera, përfshirë këtu krizën ekonomike, të gjitha problemet në Lindjen e Mesme, problemet me Rusinë, etj. Por tani, më në fund, vëmendja po kthehet tek Ballkani. Në këtë udhë, unë mendoj se është shumë e rëndësishme që Ballkani t’a kuptojë rëndësinë e momentit.
Më tej, në intervistën dhënë për Ora News, Bildt e vlerësoi nisjen e reformës në drejtësi si pozitive, por shtoi se ajo duhet të japë rezultate.
“Ajo që ju keni parë është ngritja e sistemit, pra fillimi i vetingut etj. Kjo gjë po fillon dhe unë mendoj se është impresionuese. Por është gjithashtu e rëndësishme të demonstrosh se ky sistem funksionon dhe sjell drejtësi, sjell veprimet ndaj personave mbi të cilët duhet të ketë veprime. Ne nuk jemi ende në këtë fazë, por mendoj se ka kohë përpara”– tha ai.
Sa i përket problemit të krimit të organizuar në Ballkan dhe konkretisht në Shqipëri, Ish-Kryeministri i Suedisë tha se Brukseli kërkon të shohë nga Tirana jo vetëm vullnet pozitiv për të luftuar bandat kriminale, por edhe aftësi në këtë proces.
Ndërkaq, i pyetur për Kosovë, ai u shpreh se Prishtina zyrtare duhet të shënoje progres të konsiderueshëm për të mbërritur standartet europiane.
Çështjen e demarkacionit ai e quajti një problem të krijuar nga vetë Kosova, ndërsa u shpreh se kjo problematikë është për të ardhur keq duke parë situatën aktuale.
Intervista e plotë:
-BE-ja ka paraqitur një strategji të re për Ballkanin Perëndimor. A e shihni këtë hap si një meritë për atë që vendet e rajonit kanë arritur apo e shihni si një hap të shpejtë të Brukselit për të parandaluar ndërhyrjet nga të ashtëquajturat palë të treta, ku mund të permendim Rusinë, Kinën nga ana ekonomike dhe Shtetin Islamik për radikalizmin?
Bild: Jo, unë e shoh si një hap për ta bërë të qartë vendeve të Ballkanit se dera është e hapur. Por kjo kërkon hapa të sigurt reformash dhe punë nga të gjitha shtete në mënyrë individuale. Nëse ka një rrezik, unë do të thoja që është më shumë rreziku i nacionalizmit, i cili është edhe problemi kryesor që kemi parë në këtë rajon më herët. Kjo mund të cojë në konflikte të tjera midis vendeve.
-Keni qenë Përfaqësues Special i BE-së në Ish-Jugosllavi dhe i Ngarkuar më punë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Ballkanin. Kjo do të thotë se e njihni mirë situatën. Çfarë ka ndryshuar në Ballkan në dekadat e fundit?
Bild: Ajo që ka ndryshuar… Unë do dëshiroja që procesi i zgjerimit duhet të kishte ecur më shpejt. Por, BE-ja ka qenë e zënë me disa çështje të tjera, përfshirë këtu krizën ekonomike, të gjitha problemet në Lindjen e Mesme, problemet me Rusinë, etj. Por tani, më në fund, vëmendja po kthehet tek Ballkani. Në këtë udhë, unë mendoj se është shumë e rëndësishme që Ballkani ta kuptojë rëndësinë e momentit.
-Shqipëria ka nisur një proces reformimi për sistemin gjyqësor. Por deri më tani nuk kemi parë rezultate të dukshme. Sa e rëndësishme do të jetë për Shqipërinë që të japë rezultate?
Bild: Ajo që ju keni parë është ngritja e sistemit, pra fillimi i vetingut etj. Kjo gjë po fillon dhe unë mendoj se është impreisonuese. Por është gjithashtu e rëndësishme të demonstrosh se ky sistem funksionon dhe sjell drejtësi, sjell veprimet ndaj personave mbi të cilët duhet të ketë veprime. Ne nuk jemi ende në këtë fazë, por mendoj se ka kohë përpara.
-Në Shqipëri ka një debat të nxehtë sa i përket krimit të organizuar, kultivimi i drogës. A mendoni se partnerët evropiane hezitojnë të hedhin hapin e radhës për Ballkanin, por edhe për Shqipërinë në rastin konkret, e cila pret hapjen e negociatave?
Bild: Mendoj se është e qartë dhe shumë e rëndësishme se BE kërkon të shohë jo vetëm vullnetin por edhe aftësinë e Shqipërisë për të zgjidhur këtë problematikë. Krimi i organizuar ka qenë një problem në të gjithë Ballkanin. Kemi patur probleme të prodhimit dhe të trafikimit të drogës. E kemi këtë problem edhe në Shqipëri prej disa vitesh dhe kjo çështje duhet të zgjidhet.
-Një pyetje e fundit për Kosovën. Ju keni qenë Ministri i Parë i Jashtëm që vizituat Kosovën si shtet i pavarur në 8 Mars të 2008-ës. Si e shihni progresin që Kosova ka bërë dhe a mendoni se një Kosovë e pavarur përkthehet në stabilitet për rajonin?
Bild: Duhet të përkthehet si stabilitet, por me kalimin e kohës. Kosova është në një situatë të vështirë dhe kjo ishte e qartë që prej fillimit në termat e ekonomisë pasi është një vend disi i izoluar. Ka një strukturë shumë të pazhvilluar ekonomike, mungesë infrastrukture. Ata kanë shënuar një progres në 10 vitet e fundit, por qartësisht u duhet të bëjnë më shumë. Fakti që ata krijuan vetë një problem me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi është krejtësisht për të ardhur keq.
/Ora News
KOHA JONË SONDAZH

