Ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati për Observatorin për Ballkanin, i Fondacionit “Jean-Jaurès”

Intervistë e ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë për Observatorin për Ballkanin i Fondacionit “Jean-Jaurès”.
Cilat janë pasojat e luftës së udhëhequr nga Rusia në Ukrainë në rajonin e Ballkanit dhe në veçanti për Shqipërinë?
Ditmir Bushati, ish-ministër për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Kryetar i Bordit Drejtues të Forumit të Sigurisë së Adriatikut, diskuton impaktin në aspektin e paqes, sigurisë dhe nga pikëpamja ekonomike, sikurse për influencën e Rusisë në rajon, por edhe për debatin rreth zgjerimit që ka rihapur “çështja e Ukrainës”. Presidenca franceze e Këshillit të Bashkimit Europian mund të shërbejë – sipas tij – si një mundësi për të diskutuar të ardhmen e Bashkimit Europian dhe marrëdhëniet e tij me vendet e Ballkanit Perëndimor, vendndodhja gjeografike e të cilëve është strategjike.
Florent Marciacq: Pushtimi rus i Ukrainës, i një prej vendeve kaq afër është një moment vendimtar në Europë dhe përtej. Përveç dhunës së imponuar ndaj popullit të Ukrainës, kjo luftë përbën një shkelje të rëndë të rendit europian dhe ndërkombëtar duke sfiduar paqen, lirinë dhe demokracinë. Ndaj, një faqe e re në historinë e Europës do të duhet të shkruhet tani. Por, ndërsa shkalla dhe shtrirja e implikimeve të kësaj lufte mbeten ende të paqarta, është e sigurtë se vala e saj ndjehet tashmë në të gjithë Europën, përfshirë natyrisht edhe Ballkanin Perëndimor.
Çfarë ndikimi ka lufta në Ukrainë tek vendet e rajonit dhe çfarë risqesh paraqet në perspektivën e tyre të anëtarësimit në Bashkimin Europian? Kjo mbetet për tu diskutuar, ndaj “Observatori” po diskuton me disa prej personaliteteve më të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor për të ndarë mendimet e tyre.
Unë quhem Florent Marciacq dhe jam bashkëdrejtor i “Observatorit Ballkanik” të Fondacionit Jean-Jaurès, dhe jam i lumtur të mirëpres në këtë bashkëbisedim z. Ditmir Bushati, ish ministër për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë në vitet 2013-2019, aktualisht Kryetar Bordit Drejtues të Forumit të Sigurisë së Adriatikut.
Z. Bushati mirëseerdhët. Një pyetje e thjeshtë por një përgjigje e vështirë. Sipas jush, cilat janë implikimet më të mëdha të kësaj lufte për vendin tuaj dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor?
Ditmir Bushati: Shqipëria është një vend anwtar i NATO-s dhe një vend kandidat për në Bashkimin Europian. Vendi ynë ka një histori bindëse përsa i përket linjëzimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Si pjesë e familjes euro-atlantike, Shqipëria është e qartë në qëndrimin e saj ndaj luftës që vijon, si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë. Sigurisht që ka një frikë, të kuptueshme, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin, e cila përmblidhet në pyetjen ‘se si të mbrohemi nga Rusia dhe si të mbrohemi nga konflikte të ngjashme’. Ne kemi besuar se pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Rusia do të integrohej plotësisht në botën perëndimore. Por, në ditët e sotme jemi duke përjetuar një situatë edhe më të vështirë, krahasuar me Luftën e Ftohtë, pasi Rusia ndjehet e vetmuar dhe izoluar nga bota demokratike.
Kur vjen fjala te Shqipëria, siç e thashë, ka një ndërgjegjësim të shtuar përsa i takon çështjeve që kanë të bëjnë me lirinë dhe sigurinë, pasi më herët këto çështje merreshin si të mirëqena.
Pas këtyre zhvillimeve dramatike që po ndodhin në pjesën lindore të kontinentit, njerëzit po tregojnë më shumë vullnet për të kontribuar për sigurinë dhe modernizimin e arkitekturës së sigurisë.
Kjo krizë ka gjithashtu dhe dimensionin ekonomik. Si në të gjithë Europën, ne po përjetojmë rritjen e çmimeve dhe sigurisht impaktin e saj tek zinxhiri i furnizimit me ushqime dhe mallra, veçanërisht nafta dhe gazi, por gjithashtu produktet bujqësore, pasi rajoni dhe Shqipëria janë të ndërlidhura me Ukrainën, por edhe me Rusinë.
Kur vjen fjala tek rajoni, panorama është disi e turbullt, jo kaq e qartë sa në Shqipëri. Pasi bëhet fjalë për vende të cilat kanë linjëzuar politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me BE-në. Por, gjithashtu edhe për vende kandidate për në BE, të cilat mbajtën një qëndrim të dyzuar, në lidhje me politikën e sanksioneve ndaj Rusisë. Pra, nga njëra anë, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor e dënojnë agresionin Rus ndaj Ukrainës, çka është demonstruar qartësisht në qëndrimet e mbajtura në Kombet e Bashkuara. E kam fjalën për qëndrimet e shprehura me votë, të cilat e dënojnë sulmin.
Mirëpo, kur vjen puna tek politika e sanksioneve ndaj Rusisë, Serbia; Mali i Zi, për shkak të paralizës qeverisëse; dhe sigurisht Bosnje Hercegovina, për shkak të kompozimit të ndërlikuar të strukturës së saj qeveritare, nuk janë bashkuar me BE-në.
Le të mos harrojmë se Rusia ka jo pak influencë tek fqinjët tanë. Ajo nuk humbet asnjë mundësi për të komentuar apo për t’u pozicionuar në lidhje me zhvillime të caktuara në rajon dhe ka qenë vëçanërisht e zëshme tek të ashtuquajturat projekte të papërfunduara të shtëtësisë së Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës.
Ndaj, për të përballuar situatën aktuale, është e rëndësishme të forcohet sistemi i qëndrueshmërisë demokratike në shoqëritë dhe në rajonin tonë.
Florent Marciacq: Ju përmendët shumë elementë. Disa veç për Shqipërinë dhe të tjerë shumë të rëndësishëm strategjikisht për rajonin. Një prej të cilëve është sigurisht Bashkimi Europian, i cili ka formësuar disi zhvillimet në rajon gjatë këtyre dy dekadave. Më konkretisht, Këshilli i ka dhënë statusin kandidat Shqipërisë në 2014 dhe në 2018 Komisioni rekomandoi në mënyrë të pakushtëzuar hapjen e negociatave të anëtarësimit. Ky rekomandim ende nuk është zbatuar plotësisht, ndërkohë që kemi një metodologji të rishikuar dhe që ka hyrë në fuqi, një proces i cuar përpara nga Franca, sikurse një diskutim në rritje tek vendet e BE-së në lidhje me autonominë strategjike dhe prioritizimin e cështjeve të brendshme. A mendoni se lufta në Ukrainë dhe sfidat e sigurisë që ju përmendet do të ndikojnë në politikën e zgjerimit të BE-së? nëse po, si?
Ditmir Bushati: Unë dua të besoj se kjo krizë do të ndikojë gjithashtu edhe tek konsolidimi i projektit europian. Në disa raste refuzoj ta quaj politikë zgjerimi pasi kemi të bëjmë kryesisht me konsolidimin e një projekti që ka nisur me rënien e Murit të Berlinit në 1989, dhe që ende nuk ka përfunduar, përsa kohë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë anëtare të Bashkimit Europian.
Besoj se ka dy elemente që duhen mbajtur në konsideratë. Së pari, është vizioni që ne duhet të kemi për Europën. Jemi me fat që po e zhvillojmë këtë bashkëbisedim teksa Franca ka presidencën e BE-së. Është i njohur vizioni i Presidentit Macron për të ardhmën e Europës. Në këtë kontekst, do të zhvillohet edhe një konferencë për të ardhmen e marrëdhënieve mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Realisht shpresoj së gjatë presidencës franceze të BE-së do të kemi mundësinë të diskutojmë së bashku të ardhmen e Europës duke qenë pjesë e saj, jo vetëm duke diskutuar për këto marrëdhënie nga perspektiva e sigurisë midis BE-së nga njëra anë, dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, nga ana tjetër.
Që prej Samitit të Selanikut në vitin 2003, ende nuk kemi parë një plan strategjik dhe vizion për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Le të mos harrojmë se jemi duke folur për portën e përparme të Bashkimit Europian. Nëse BE do të jetë një aktor i suksesshsëm global, duhet më së pari ta fillojë këtë me oborrin apo porten e përparme, të quajtur Ballkani Perëndimor.
Kjo është pritshmëria ime kryesore në lidhje me implikimet e mëdha të kësaj krize me të cilat po përballet Europa dhe Bota.
Së dyti, nevojiten veprime të ndërmjetme, për të vjelur taanimë “frutet e pjekura”. Ju përmendet rastin e vonesës të fillimit të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në BE, që për fat të keq është kthyer në tërkuzë. Shqipëria është kolateral i mosmarrëveshjeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Është një rast i rrallë në historinë e BE-së që një vend bllokohet për shkak të mosmarrëveshjeve mes dy vendeve të tjera.
Ne kemi marrëdhënie të mira me këto dy vende dhe duam që këto marrëdhënie t’i forcojmë edhe më shumë në të ardhmen, por ne kemi nevojë për veprime të ndërmjetme: fillimin e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në BE; liberalizimin e vizave për Kosovën; zhbllokimin e procesit të anëtarësimit për Bosnje-Hercegovinën.
Ky do të ishte një mesazh politik i udhëheqësve të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe shoqëritë tona. Gjithashtu, angazhimi me shoqërinë civile, jo vetëm me elitën politike, siguron ndjenjën e përkatësisë europiane, si diçka vërtetë të mundshme, të arritshme dhe jo thjeshtë retorike.
Në këtë drejtim, do të doja të përfundoja përgjigjen time duke shtuar edhe një element tjetër. Ne duhet të nxjerrim disa mësime edhe nga situata me Pandeminë dhe mënyrën sesi BE-ja duhet të ndërveprojë dhe të trajtojë vendet e Ballkanit Perëndimor. Vendimi i fundit i BE-së për të krijuar një platformë për blerjen e përbashkët të burimeve të energjisë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor është një zhvillim i mirëpritur, pasi jo vetëm do të forcojë qëndrueshmërinë energjetike në rajonin tonë, por edhe ndërlidhshmërinë shumë të nevojshme mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Florent Marciacq: Ju përmendet nevojën për të mbajtur gjallë idenë e “përkatësisë Europiane” dhe bërjen sa më të besueshme të perspektivës europiane përmes progresit në këtë drejtim.
“Përkatësia Europiane” është gjithashtu formulimi në Traktatin e Versajes që asociohet edhe me tre vendet, Gjeorgji, Ukrainë dhe Moldavi, të cilat së fundmi kanë dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE dhe po kërkojnë një procedurë të përshpejtuar anëtarësimi. Vendet anëtare të BE-së po tregojnë shumë ngurrim për t’i dhënë rrugë kësaj ideje, por ato e njohin sensin e përkatësisë europiane të tyre.
Cili është mendimi juaj, duke qenë se jeni nga Ballkani Perëndimor, për aplikimin e këtyre vendeve për anëtarësim?
Ditmir Bushati: Ju përmendet pak më herët rishikimin e metodologjisë së zgjerimit dhe gamës së instrumenteve, që nga pikëpamja teknike është mjaft e pasur, kur bëhet fjalë për marrëdhënien mes BE-së dhe vendeve me perspektive anëtarësimi në BE.
Mendoj se do të ishte e mencuar nga ana e Bashkimit Europian të rinovonte “politikën e partneritetit”, sidomos me vendet e Lindjes, pasi veçanërisht në këto vende Unioni po përballet me një rrjet konfliktesh të ngrira, shto këtu dhe konfliktin kinetik në Ukrainë, të shkaktuar nga pushtimi Rus. Kjo do të thotë se politikat e partneritetit me pjesën Lindore të Europës të hartuara një dekadë më parë nga BE-së, nuk janë më të vlefshme.
Vështruar nga ky prizëm, lëvizjen politike të këtyre tre vendeve e shoh si një vullnet të qartë politik për të lëvizur drejt Bashkimit Europian, për të përqafuar vlerat europiane dhe perëndimore.
Është interesant fakti se edhe në mes të kësaj krize të madhe, qytetarët e këtyre tre vendeve janë të etur për t’u anëtarësuar në BE. Ky është një tregues se projekti europian është ende tërheqës, ndonëse ne jemi mësuar ta kritikojmë dhe në disa raste të ankohemi për mungesën e unitetit apo mënyrën e vendimmarrjes në BE. Në fund të fundit, joshja për anëtarësim në BE është ende e fortë.
Pak rëndësi ka nëse e quajmë “procedurë të përshpejtuar“ apo diçka tjetër, ndonëse nuk besoj se kjo do të ndodh në BE, por dua të mbetem optimist duke thënë se, është gjithashtu në interes të Bashkimit Europian ta bëjë realitet ëndrrën për vende të cilat kanë shprehur vullentin e tyre politik për tu bashkuar me Unionin.
Florent Marciacq: Pra, sic thoni ju, të mos u kthejmë shpinën njerëzve që ndajnë idealitet tona.
Shumë faleminderit për diskutimin tuaj sa i takon impaktit në siguri dhe sfidat në çështjet ekonomike dhe rajonale.
Ajo që dua të nënvizoj janë këto dy elemente.
Së pari, ne kemi nevojë për një vizion strategjik afatgjatë sesi duam të ndërtojmë marrëdhënien mes fqinjëve dhe integrimin në familjen e përbashkët europiane.
Së dyti, ne kemi nevojë për sinjale të qarta politike nga BE në planin afatshkurtër.
Këto shkojnë së bashku ndërsa në muajt e ardhshëm po i afrohemi konferencës për të ardhmen e Europës dhe konferencës për vendet e Ballkanit në Qershor.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?