Ish prokurori Eugen Beci: Kur kishte nga Opozita në SPAK, mazhoranca fërkonte duart. Tani që e ka te dera kundërshton…

Ka folur ish-prokurori Eugen Beci për debatin mazhorancë–SPAK. Sipas tij, heshtja absolute e SPAK në këtë rast është unike. Beci thekson se një nga pikat kyçe të dezinformimit ka qenë ngatërrimi i qëllimshëm mes konceptit të “pezullimit nga detyra” të zyrtarit dhe “dhënies së autorizimit për heqjen e imunitetit”.

“Banaqet mediatike nxorën edhe analistë të rinj, të cilët sfidonin jurisprudencën, sfidonin profesionalizmin dhe herë pas here e thoshin troç që unë jam jurist më i mirë se ty. E morën Kodin e Procedurës Penale, e morën Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ndoshta nga ato zyrat e propagandës, dhe dhanë shpjegimin e tyre. Çfarë bënë? Dezinformimi i parë: ngatërruan problemin e pezullimit me problemin e dhënies së imunitetit”, u shpreh Beci.

Paralelisht, manovra më flagrante politike, sipas tij, është tentativa e mazhorancës për të ndryshuar nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale. Ky veprim interpretohet nga ish-prokurori si një përpjekje për të krijuar një pengesë ligjore në hetim, duke i hequr prokurorisë një mekanizëm të rëndësishëm procedural.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai shton: “Së pari duhet të sqarojmë, nga pikëpamja mediatike, politike dhe juridike, ç’kuptojmë me dezinformim në këtë rast. Është interesante të vëresh se në shumë dosje sensitive të Prokurorisë së Posaçme kanë dalë edhe presja edhe pika nga aktet materiale. Ndërsa në rastin e zëvendëskryeministres kemi një hermetizim total. Nuk kemi asnjë element të dalë nga aktet procedurale apo nga provat.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kjo dosje ka kaluar edhe në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë. Ne e dimë shumë mirë si ndodh nxjerrja e sekretit hetimor. Megjithatë, dezinformimi ka mbetur vetëm në nivel procedural. U krijua një konflikt për procedurën e pezullimit të një ministri dhe u çua çështja në Gjykatën Kushtetuese. U tha se pezullimi dhe imuniteti janë të lidhura. Nuk janë. U bë qëllimisht për të arritur në një konkluzion tjetër: të pritet Gjykata Kushtetuese përpara se të shprehemi për imunitetin.

Më pas u hap debati për ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale. U bë një zhurmë e madhe, por u harrua diçka: nëse thua që Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme kanë vepruar gabim, pse kërkon të ndryshosh nenin? Nëse e ndryshon për të krijuar qoftë edhe një pengesë të vogël, po i heq një instrument hetimi Prokurorisë së Posaçme. Nëse në vitin 2012 u reduktua një pjesë e imunitetit, tani po shtohet një mekanizëm pengues.

Nëse ke pesë masa sigurimi dhe heq njërën, mbeten katër. Edhe në mënyrë empirike e kupton që është pengesë. Nuk mund të thuash që nuk pengon hetimin. Relacioni për imunitetin dhe ai për ndryshimin e nenit 242 kanë një element të përbashkët: thuhet që nuk po pengohet hetimi, por në fakt po reduktohen mjetet e tij.

Një tjetër problem është mungesa e informacionit konkret nga dosja. Nuk ka dalë asnjë material hetimor dhe nuk është e drejtë të bëhet debat mbi prova në studio televizive. Kur lë hapësirë për mjegull, ajo mbushet me mesazhe dhe denigrime.

Në fund, çështja lidhet me parimin e prezumimit të pafajësisë. Mazhoranca këtë parim e ka përmendur shpesh kur çështja ka ardhur në derën e saj. Më parë, në raste të tjera, bëhej gjyqi publik përpara se të fillonte procesi. Sot flitet për teprinë e masave të sigurimit dhe për burgun si masë ekstreme. Këtë e thotë Strasburgu, e thonë qytetarët, e thonë juristët. Por paralelisht kërkohen edhe ndryshime që kufizojnë hetimin.

Pyetja mbetet: a kërkon mazhoranca më pak masa shtrënguese dhe më pak të paraburgosur, apo po shton mekanizma që ndikojnë drejtpërdrejt në procesin hetimor?”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ftesa e Trump e shpëton Ramën nga sulmet e brendshme politike?