Ish-Prokurori i Përgjithshëm Maks Haxhia: A e njohin shqiptarët pushtetin e tretë?
Nga Maks Haxhia
(botuar në KOHA JONE me 7 prill 1993)
Me dispozitat kryesore kushtetuese, u sanksionua de jure për herë të parë ndarja e pushteteve në atë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Natyrisht, fiksimi në ligj i ndarjes së pushteteve përbënte një arritje të demokracisë, por nuk do të thotë ende që ajo u bë realitet dhe e pranueshme me lehtësi në praktikë. Zbatimi në praktikë, duhet pranuar se është tepër larg fiksimit juridiko-legjislativ. Këtu arsyet janë të shumta. I rëndësishëm është veçimi i faktorit politik. Forcat politike, të cilat sot kanë pushtetin, të nisura nga pasione politike që kanë në bazën e tyre mungesën e kulturës mbi shtetin dhe të drejtën, si dhe forca e traditës 50-vjeçare, të kultivuara këto mbi një shtrat botëkuptimor nën diktatin e shtetit totalitar, dashur pa dashur shkojnë në përdorimin e po atyre formave, mjeteve, metodave e koncepteve tashmë të njohura e të përdorura nga vetë shteti monist lidhur me zbatimin në praktikë të konceptit të ndarjes së pushteteve. Po ashtu nuk mund të lëmë pa vlerësuar edhe faktorin traditë. Po t’i referohemi historisë, shumë pak e kemi provuar demokracinë. Kjo na ka hequr mundësinë për të krijuar traditën dhe eksperiencën tonë demokratike lidhur me konceptin e ndarjes dhe funksionimit të pushteteve. Populli shqiptar vazhdimisht është edukuar nëpërmjet detyrimit që të drejtën ta gjejë jo në rrugën e apelit të shkallëzuar brenda të njëjtit pushtet, por tek një forcë e tretë jashtë pushteteve e që qëndronte mbi pushtetet (tek bajraktari, tek mbreti, tek sekretari i partisë etj.).
Kompleksiteti i këtyre faktorëve bën që reforma në drejtësi, jo vetëm të vështirësohet, por të krijojë një situatë çorientuese e shfryrëse të pasioneve të shtresave dhe individëve të caktuar ndaj pushtetit të tretë: atij gjyqësor. Një gjë është e qartë, që pa reformë në drejtësi, që do të thotë pavarësi e pushtetit gjyqësor, nuk ka e nuk mund të ketë demokraci të vërtetë. Reforma në drejtësi duhet konsideruar si reformë në tre drejtime: reformë në kuadrin ligjor, reformë në organizimin institucional dhe reformë lidhur me kuadrin specialist.
Reforma në kuadrin ligjor
Është i njohur fakti se legjislacioni ynë është i orientuar dhe i bazuar në legjislacionin e vendeve të Europës Lindore e kryesisht në legjislacionin e ish-Bashkimit Sovjetik, i ngritur mbi parimet e luftës së klasave e në parime të luftës proletare. Vendosja e parimeve demokratike në bazën e organizimit të shtetit dhe të së drejtës, shtron domosdoshmërinë e ristrukturimit të të gjithë legjislacionit, pra krijimin e një kuadri ligjor demokratik. Kjo domosdoshmëri hasi në lindjen e një kontradikte të madhe që ekziston midis koncepteve, parimeve e kërkesave demokratike dhe legjislacionit në fuqi. Nga njëra anë u vendosën dispozitat kryesore kushtetuese, ndërsa nga ana tjetër, zbatohen dispozitat e kodeve të trashëguara, si ato të fushave penale, civile, të punës, administrative, familjare etj. Zbatimi në praktikë i këtyre kodeve ka shkaktuar një çoroditje në praktikën e organeve të drejtësisë si dhe acarimin e shumë problemeve të mprehta sociale. Shpesh gjenden zgjidhje të sforcuara duke bërë klasifikime juridike të imponuara nga rryma politike, ose imponime të pushtetarëve, aq sa neni 106 i Kodit Penal të shpërdorimit të detyrës është kthyer në të famshmin nen 55 të agjitacionit e propagandës. Të gjithë jemi dëshmitarë të zbatimit nga gjykata të masave penale që u ka ikur koha e që janë pjellë e sistemit totalitar, si: riedukimi nëpërmjet punës, qortimi shoqëror, lënia për edukim kolektiv, shtyrja e afateve të atestimit, gjobat qesharake etj. Po përse nuk përgatiten kodet? Kjo pyetje zbulon kontradiktën tjetër; atë të mungesës së kushtetutës, e cila mbetet imperativ i kohës. Sot janë angazhuar grupe specialistësh me specialistë të vendit e të huaj. Në punën për përpilimin e legjislacioneve po vërehet një fenomen tepër shqetësues, ai i dominimit të traditës të njërit apo tjetrit legjislacion të huaj. Pra po mungon një konsekuencë në marrjen e kësaj tradite. Do të ishte me interes që në përgatitjen e projekt-ligjeve të merrej si mbështetje një legjislacion për bazë orientuese, natyrisht pa lënë mënjanë traditën tonë. Mbështetja për një projekt-ligj në disa legjislacione të huaja është tepër e dëmshme, pasi dihet që shkollat amerikane, angleze, franceze, italiane etj. janë të ndryshme dhe në shumë institute konvergojnë.
Reformë në organizimin institucional
Paralelisht me përgatitjen e kuadrit ligjor, mbetet i domosdoshëm krijimi dhe organizimi i institucioneve të organeve të drejtësisë nga qendra në bazë. Gjatë periudhës 1-vjeçare, mosstabilizimi i legjislacionit është shoqëruar me mosstabilizimin e organizimit të organeve të drejtësisë. Ditët e fundit u miratua kreu mbi liritë dhe të drejtat themeltare të shtetasve. Midis të tjerave, u vendos që kontrolli i banesave të bëhet me lejen e gjykatës, pra iu hoq prokurorisë kjo e drejtë. Kjo solli një ndryshim të madh në riorganizimin e prokurorisë dhe të gjykatës, si dhe hedh idenë e organizimit të prokurorisë brenda Ministrisë së Drejtësisë, siç është në Amerikë ose në sistemin italian, pranimi i gjyqtarit hetues. Shihet qartë se ndryshimet kushtetuese sjellin domosdoshmërinë e hartimit sa më parë të normave procedurale, të cilat bllokojnë zbatimin e ligjeve materiale, siç janë kushtetuta e kodet.
Reforma lidhur me kuadrin specialist
Kjo përfaqëson sot një nga pikat më kritike të reformës në drejtësi. Reforma lidhur me kuadrin është dhe bëhet e domosdoshme kur është përfunduar reforma në të dy aspektet e sipërpërmendura. Për të ndikuar mbi atë opinion që ekziston lidhur me punonjësit e drejtësisë, bëhet e domosdoshme reforma. Së pari, të gjithë janë pro largimit nga organet e drejtësisë të të komprometuarve në procese politike të montuara, ata që kanë kryer veprime keqtrajtuese duke përdorur dhunën fizike e psikike, ata që kanë zgjidhur çështjet si urdhëruar nëpërmjet telefonit, si dhe ata që janë të kompromentuar moralisht e ekonomikisht dhe gjithë personelin e paaftë. Por a po largohet praktikisht kjo kategori punonjësish nga drejtësia? Shumë të kamufluar ndodhen akoma, në të njëjtën kohë kur mjaft juristë me figurë të pastër e njerëz të aftë janë larguar. Kur mendojmë se së shpejti do të punësohen në këtë lëmë besnikët e pasioneve politike, të cilët pas mbarimit të kurseve do të punojnë në organet e drejtësisë, precedent i paparë në historinë botërore, fare qartë krijohet imazhi i të ardhmes së drejtësisë? Është për të ardhur keq për injorimin që i bëhet drejtësisë, fakultetit të drejtësisë, gjithë plejadës së juristëve me hapjen e këtyre kurseve famëkeqe. Akoma më keq të vjen për indiferentizmin e Gjykatës Kushtetuese, Ministrisë së Drejtësisë, Shoqatës së Juristëve, kur me ligj ndalohet punësimi në organet e drejtësisë pa arsimin e lartë juridik e kur bota e moderuar edhe pas mbarimit të fakultetit nuk të lejon të punosh po nuk u specializove 6 apo 9 muaj ose edhe një vit në profile të caktuara. Për një gjë jemi e do të jemi të sigurt, që këta kursantë mund të japin çdo gjë por drejtësi jo, pasi u provua një herë kjo eksperiencë në kohën e Enverit. Sot organet e drejtësisë janë vënë nën goditjen e masmedias, të politikanëve, pushtetarëve etj. Nuk janë të paktë rastet që janë goditur me të drejtë. Pozita kërcënuese e asistencës sjell konformizmin e, në shumë raste, shmangien e marrjes së çështjeve delikate. Për të lehtësuar këta punonjës në punën e tyre si dhe për realizimin e një drejtësie objektive, ndoshta ka ardhur koha të kalohet në sistemin e gjykimit me juri, të përbërë prej 6, 8 ose 12 vetë. Kalimi në sistemin akuzator, sjell si domosdoshmëri pozicionimin e ri të gjyqtarit. Jurisë i mbetet të vendosë për problemin themelor, atë të fajësisë. E në këtë mënyrë mundësia e kompromentimit është minimale, pasi kemi të bëjmë me shumë persona të zgjedhur, në vend të një gjyqtari të vetëm të emëruar. Vështrimi i funksionimit të pushtetit gjyqësor në këtë drejtim, gjithnjë me sensin për t’i shërbyer drejtësisë e demokracisë, të zhveshur nga pasionet me sensin për të ndërtuar e jo për të prishur, do të ndihmonte shumë reformën në drejtësi, që ajo me të vërtetë të quhej reforma demokratike. (7 Prill 1993)