Ish prokurori, letër Tahirit e Llallës: Më tregoni si ma vrau Xhuvani djalin
Ish –prokurori Skënder Demiraj, babai i Arbër Demirajt, njërit nga katër viktimat e Kostandin Xhuvanit, pretendon se policia nuk ka ndërhyrë në kohë për t’i dhënë ndihmë djalit të tij. Ai ka dërguar një letër Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në të cilën shprehet se policia duhet ta kishte dërguar Arbrin menjëherë në spital dhe nuk duhet ta kishte lënë në makinë, në pritje të autoambulancës.
Skënder Demiraj ankohet edhe për hetimet. Sipas tij, policia dhe prokuroria nuk e kanë zbardhur ende mekanizmin e vrasjes së djalit të tij. Ish –prokurorit thotë se familja e tij nuk është sqaruar se si mbeti i vrarë Arbri 19 –vjeçar. Ai pretendon gjithashtu se djali i tij nuk ka mbajtur ndonjëherë pistoletë dhe se arma për të cilën policia dhe prokuroria thonë se i përkiste atij, në të vërtetë është e Erald Sidës. Demiraj shkruan se pistoleta i është faturuar Arbrit për të devijuar provat dhe hetimet. Prokuroria i ka mbyllur hetimet për këtë çështje dhe ka dërguar në gjykatë si të dyshuar për të katërta vrasjet, Kostandin Xhuvanin. Erald Sida akuzohet për dhënie ndihme autorit të krimit. Gjyqi ndaj tyre pritet të nisë të enjten.
KOHA JONË SONDAZH

