Ish-ushtarakëve u falen borxhet
Kuvendi ka miratuar projektligjin për faljen e të gjitha borxheve të krijuara nga sigurimet e pashlyera për pensionet nga ish-ushtarakët. Një propozim ky i kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, draft i cili do të lehtësojë ndjeshëm barrën e pensionistëve.
Sipas relacionit, drafti parashikon faljen e 110.7 milIonë lekëve, detyrime pa kosto financiare për buxhetin e sigurimeve shoqërore të krijuara si diferencë nga rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi.
Janë ndryshimet e shpeshta të skemës së sigurimeve të ndërmarra ndër vite ato që kanë çuar ushtarakët në dyert e gjykatave. Sipas ligjit ushtarakët e dalë në rezervë apo liri pas vitit 1991 mund të merrnin një pension të parakohshëm deri në arritje të moshës së pleqërisë.
Për çështje që janë paraqitur në gjykatë specifikon drafti, duhet të merret vetë Instituti i Sigurimeve Shoqërore për të bërë faljen e borxhit për secilin përfitues. Nga detajet e relacionit të draftligjit, aktualisht janë në proces gjyqësore për rishqyrtimin e pensionit të parakohshëm 650 ushtarakë.