Ishte dënuar për vrasjen me thikë të shokut, ekstradohet nga Italia 50-vjeçari

Një i dënuar për vrasje është ekstraduar sot nga Italia për në vendin tonë. Mësohet se nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, u krye ekstradimi nga Roma, drejt vendit tonë i shtetasit Fiqiret Seferi, 50 vjeç, banues në Kavajë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, Gjykata e Apelit Tiranë, datë 2 nëntor 2011, ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë të vitit 2009, e cila e ka dënuar me 18 vjet burg Seferin, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes së kryer në bashkëpunim”.

Ngjarja për të cilën është dënuar 50-vjeçari ka ndodhur më 6 mars të vitit 2006. Rreth orës 22:30, Fiqiret Seferi ka qenë së bashku me shtetasin Lutfi Kibja dhe me shtetasin A. M. duke pirë në lokal, ku kanë konsumuar sasi alkoli dhe shtetasi A.M ka qenë në gjendje të dehur.

Në këtë gjendje, pas një keqkuptimi në bisedë, shtetasi A.M., ka qëlluar me pëllëmbë në fytyrë shtetasin Fiqiret Seferi, i cili i ka thënë “nesër do përgjigjesh se këtë nuk ta fal”.

Pas mesnatës janë larguar të tre me të njëjtën makinë, por pa arritur në shtëpi dhe të nesërmen shtetasi A.M. është gjetur i vrarë me mjete prerëse, thikë me tetë plagë në trup. Shtetasi Fiqiret Seferi veprën penale e ka kryer në bashkëpunim me të dënuarin tjetër, Lutfi Kibja.

Fiqiret Seferi, i ndaluar 2 vjet më parë nga policia italiane, ishte shpallur në kërkim edhe nga prokuroria e Parmës, e cila e kishte dënuar me 3 vjet e 8 muaj për përdhunim.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin Nënë Tereza në Rinas ky shtetas iu dorëzua përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

SHKARKO APP