Ishte fshehur në bagazhin e një makine, arrestohet autori i dyshuar për vrasjen e francezit në Ksamil (Pamjet)
Është arrestuar në Fier S. Vata, autori i vrasjes së 20-vjeçarit francez Miguel Mendes mëngjesin e sotëm në Ksamil.
Ai u arrestua në Fier, ku ishte fshehur në bagazhin e një makine e cila drejtohej nga një vajzë dhe pasagjer ishte edhe një person tjetër.
Mësohet se fill pas krimit autorin e kanë larguar nga vendngjarja dy turq, një djalë dhe një vajzë. Këta të fundit e kanë futur 29-vjeçarin në bagazhin e një makine dhe më pas janë larguar.
Megjithatë policia kishte futur në përgjim telefonin e autorit dhe me anë të valëve e ka ndjekur deri në Fier, ku e arrestoi.
Autori i dënuar në Angli në vitin 2024 për trafik droge e kishte goditur 20-vjeçari disa herë me thikë në shpinë dhe në kraharor dhe vdekja e tij ka qenë e menjëhershme.
Njoftimi i Policisë:
Kapet dhe vihet në pranga, pas 5 orësh nga vrasja, autori i dyshuar i vrasjes së 20-vjeçarit, në Ksamil
Kapja e tij u bë si rezultat i koordinimit dhe bashkëpunimit të shërbimeve të Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Autori i dyshuar u kap nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e forcës “Shqiponja” të DVP Fier, në pikën e përbashkët të kontrollit të ngritur për kapjen e tij, në aksin rrugor “Levan-Fier”.
Autori i dyshuar, shtetasi S. V., 29 vjeç, ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke, ndërsa në automjet udhëtonte si pasagjer edhe një 38-vjeçar, shtetas turk.
Autori i dyshuar dhe dy shtetasit turq u shoqëruan në DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
KOHA JONË SONDAZH

