Ishte në arrest shtëpie, arratiset ish-shefi i Antidrogës së Fierit

Arratiset ish-shefi i Trafiqeve në Policinë e Fierit Dritan Zagani.

Zagani ka patur masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’, ndërkohë që arratisja u konstatua gjatë mungesës së tij në seancën e sotme në Gjykatën e Fierit. Zagani fillimisht gjykohej nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por pas rrëzimit të një akuze dosja kaloi në Fier.

Ish-shefi i Trafiqeve akuzohet për shpërdorim detyre pasi dekonspironte kolegët e tij duke i dhënë informacione një grupi prej 7 personash që trafikonte drogë në Itali.

Ngjarja u zbulua në Maj të 2014 dhe bëhet fjalë për një ngarkesë prej 900 kg marijuanë që u sekuestrua në Dhjetor të vitit 2013 që ishte nisur nga Lazarati në drejtim të Italisë.

Forca të shumta policie janë vënë në lëvizje për kapjen e Dritan Zaganit pas arratisjes së tij disi të çuditshme. Ndërkohë që ka dyshime se ish-shefi në Komisariatin e Fierit mund të jetë larguar jashtë shtetit.

SHKARKO APP