Ishte varrosur në Romë, kthehen në atdhe eshtrat e ish-prefektit të Tiranës Qazim Mulleti
Kthehen në atdhe nga Roma eshtrat e ish-prefektit të Tiranës Qazim Mulleti. Arkëmorti me eshtrat e Mulletit ka mbërritur në Portin e Durrësit.
Ishte shoqata ‘Tirona Intellectum’, e cila njoftoi pak ditë më parë se eshtrat e ish-prefektit të Tiranës do të kthehen në Shqipëri.
Ish-Prefekti i Tiranës, familja e të cilit pësoi një persekutim të egër nga regjimi komunist dhe mbi të cilin u hodh baltë nga histografia komuniste, ishte varrosur në një magazinë në një qytezë në periferi të Romës.
Familjarët e ish-prefektit e kanë pritur arkëmortin në Port, të shoqëruar nga kreu i shoqatës “Tirana”, ish-prefekti i Tiranës Sadi Vorpsi si dhe juristi Shkëlqim Hajdari, i cili ka qenë koordinator i procesit për kthimin e eshtrave të tij.
Ceremonia e rivarrimit të tij do të mbahet në 28 gusht në Shish-Tufinë.
Kush ishte Qazim Mulleti?
Qazim Mulleti lindi në lagjen “Sulejman Pasha” në Tiranë, më 20 dhjetor 1893 dhe vdiq më 28 gusht 1956 në Vicolo delle Grotte Romë. Ka qenë prefekt i Tiranës gjatë pushtimit fashist. Studimet e para i kreu në Manastir, i vazhdoi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe së fundmi kreu studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallata Saraj” të Stambollit, me medalje ari. Ai ishte poliglot. Dinte turqisht, osmanisht, arabisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbo-kroatisht dhe greqisht.
Në 1912-ën, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë merr pjesë në ngritjen e flamurit në Tiranë dhe Vlorë. Në 1914-ën është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Aty, me ndërhyrjen direkte të mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës.
Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur Kryeqytet. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, Mytesim Këlliçit, Abdi Toptanit dhe Qazim Mulletit, si dhe të delegatëve të tjerë të Tiranës në kongres, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë).
Më vonë, në bisedat e Kuvendit Kombëtar, Qazimi mbron dhe argumenton pse Tirana duhet të ishte Kryeqytet i Shqipërisë. Pozita gjeografike, strategjike dhe klimaterike ishin më të favorshme se ato të qytetit të Durrësit. (Tirana, de jure u bë Kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925). Në shtator të vitit 1920, është Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë.
Më 25 prill – 3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia–Zgjimi”, së bashku me z.Hafiz Ibrahim Dalliu dhe z.Musa Maçi, si përfaqësues të shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe z.Avni Rustemi të shoqërisë “Bashkimi”. Në Qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan Nolit, pati një detyrë të rëndësishme, si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të Revolucionit largohet nga Shqipëria.
Familja e Qazim Mulletit vuajti persekutimin e përndjekjen më të egër nga regjimi komunist vetëm për shkak të bindjeve dhe idealeve të tyre të lirisë e besimit.