Ishulli i Korfuzit dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri

 
 

Ministri i Qeverisë “Rama” Saimir Tahiri po sulmohet këto ditë me të gjitha bateritë, të cilat as opozita nuk i ka përdorur kundër tij. Ndërkohë që ka një orkestrim të mirëpërgatitur për ta dërmuar ministrin tani në vjeshtën e këtij viti ku priten ndëshkime të forta ligjore në bashkëpunim me Prokurorinë  të një grupi të stërmadh trafikantësh të lidhur me politikën.Bile edhe politikanë. Pikëpyetje të forta ngrihen pse pikërisht Saimir Tahiri sulmohet kaq egër nga disa qarqe të lidhura me politikën? Ka prekur ndonjë interes të madh privat të ndokujt? Apo ndonjë lojë brenda mazhorancës para ndryshimit të kabinetit prej Edi Ramës në këtë sezon të ri parlamentar? Në të vërtetë Saimir Tahiri është ministri më i suksesshëm nga gjithë ministrat, kjo nuk ka nevojë të diskutohet. Mund të ketë gabime në punë çdo njeri i suksesshëm, por në çështjet kryesore mbetet ministri që krenohet qeveria. Edhe opozita e thotë nëpër dhëmbë nëpër lokalet e Bllokut, pavarësisht se në parlament bëjnë sikur bëjnë namin. Nuk kishte ministër tjetër, natyrisht me mbështetjen e Ramës, që mund  t’i hynte një dueli me “Republikën e Lazaratit” siç veproi Tahiri. Aty ka qenë Lazarati tash 25 vjet dhe nuk guxoi njeri nga qeveritë të ndeshej me mafian gjigande të Lazaratit. A nuk ishte ky ministër që kapi dhe shkatërroi rrjetin e drogës në Elbasan? Atëherë, pse sulmohet në pushimet e gushtit ministri i Brendshëm? Apo lobe brenda PS-së, si deputetë e biznese, janë prekur nga operacionet e tij antidrogë? Mediat online shkruajne se “nuk paska qenë e thënë që ministri Saimir Tahiri t’i kalonte dy ditë të qeta pushimi edhe jashtë Shqipërisë”. Mediat zbuluan, sipas tyre, se ai gjendet në një hotel të shtrenjtë në Korfuz, gjë që do të mjaftonte për ta vënë përpara përgjegjësisë së dorëheqjes, nëse raportimi i tyre është i vërtetë. Ndërkohë që burime të besueshme afër ministrit pohojnë se ai ka qenë vetëm një natë aty dhe më pas ka fjetur në ishullin grek në një hotel normal përkarshi Sarandës, bile më saktë Ksamilit.

Mësohet se po kërkohet një unitet mediash për ta goditur ministrin e Brendshëm, në këtë rast, që thonë se e kanë “kapur mat”, pra që ka shfrytëzuar postin për të pushuar në Korfuz. Por kjo nuk faktohet, përderisa nuk ka video të tij apo fatura të paguara nga ministri në shuma të tilla në hotel. Nëse gjendet një faturë apo pagesë e tij në shuma marramendëse siç thuhet atëhere ai duhet të flasë e shpjegohet. Por mbetemi në fazën e hamendjeve. Edhe dy deputetë të PS po investojnë për ta njollosur ministrin, sepse ka informacione se po përgatitet kapja e autorëve të vrasjes së Artan Santos dhe një politikani që ka qenë sponsori kryesor.

Diçka po luhet ndaj ministrit të Brendshëm, e nëse Rama bie viktimë e këtij sulmi, do të jetë shumë keq për kryeministrin. Nga ana tjetër i pyetur mbrëmë ministri Tahiri për çka shkruhet e thuhet ai tha shkurt për "Koha Jonë" se "vazhdoj punën dhe nuk tërhiqem nga presionet e askujt. Zbatoj ligjin".

Pra, kush po e dirigjon goditjen: politika, biznesi, apo të dyja bashkë? Nga brenda mazhorancës dhe biznesit të PS-së po i vjen goditje Saimir Tahirit? 

A do të jetë këtë radhë po aq i fortë, sikurse i rezistoi sulmit dhe presionit të Tom Doshit kur deputeti shkodran ishte mik i kryeministrit dhe sulmonte ministrin?

SHKARKO APP