ISIS publikon pamjet e shkatërrimit të tempullit 2000 vjeçar [FOTO]

 

Tashmë janë publikuar nëpër rrjetet sociale imazhet e para të shkatërrimit të tempullit 2000vjeçar, në qytetin historik Palmira, nga xhihadistët e ISIS’it, në Siri

Më parë, ISIS pati publikuar imazhe propaganduese, duke paralajmëruar shkatërrimin e këtij qyteti. Në fotografitë e publikuara shiheshin militantët e ISIS duke vënë eksplozivë rreth tempullit historik të Palmiras.

Në fotografitë e fundit të publikuara të tempullit, shihet se objekti nga një tempull madhështor është shndërruar në vetëm një grumbull gurësh, transmeton Gazeta Express shkrimin e The Guardian.

Sidoqoftë, deri më tani asnjë nga mediat ndërkombëtare nuk kanë mundur ta verifikojnë vërtetësinë e këtyre fotografive, mirëpo meqë mbajnë logon që ISIS zakonisht e vendos në publikimet e veta atëherë mendohet se bëhet fjalë për to.

Në anën tjetër, kryesuesi i agjencisë kulturore të Kombeve të Bashkuara, UNESCO, e ka përshkruar shkatërrimin e këtij qyteti si krim lufte.

Irina Bokova ka thënë se ky shkatërrim është një krim i ri lufte dhe një humbje e përmasave të mëdha për popullin sirian dhe njerëzimin në përgjithësi.

“ISIS po vret njerëz dhe po shkatërron qytete, por ata nuk mund ta heshtin historinë dhe nuk do të mund ta fshijnë këtë kulturë të mrekullueshme nga kujtesa e botës”, ka shtuar ajo.

Një javë më parë, militantët e ISIS’it e vranë Khaled al-Asaad, arkeologun 82vjeçar të Palmira.

Shkatërrimet e fundit që ka bërë ISIS në këtë qytet vënë në pikëpyetje ekzistencën e këtij qyteti që njihet si oazë antike, një nga qytetet klasike më të ruajtura në këtë regjion i cili gjithmonë ka qenë i goditur nga konflikte e luftëra civile.

SHKARKO APP