Islami: Sondazhi që “shpalli” kthimin e besimit dhe ndryshimi që theu mitin e Rilindjes

Prof. Dr. Kastriot Islami, ish-Kryetar i Kuvendit dhe bashkë-hartuesi sistemit elektoral të 2013-s, i në intervistën për gazetën “Telegraf” analizon sondazhin e e IPR Merketing, duke pohuar se 80 % e shqiptarëve janë revoltuar nga keqqeverisja e Rilindjes Socialiste dhe e kryeministrit Rama. Prof. Islami, duke analizuar treguesit e sondazhit thotë se maxhoranca e re PD – LSI mund të marrë 77 – 80 mandate, sepse në këtë moment, nëse kryheshin zgjedhje deri në 55 % e elektoratit do të votonte mazhorancë të re.

 Zoti Islami, a i besoni gjetjeve të IPR Marketing dhe a është një kjo një kompani serioze?

Instituti IPR Marketing ka zhvilluar disa herë sondazhe në Shqipëri dhe rezulton të jetë një kompani serioze në kuptimin që gjetjet e tij, së paku për “orientimin e votës”, pra sesi do të votonin shqiptarët, kanë qenë të sakta, që ndryshe do të thotë se gjetjet e IPR Marketing janë përputhur në mënyrë të kënaqshme me rezultatet që partitë kryesore kanë pasur në zgjedhje (natyrisht kjo kompani s’mund të sondojë nivelin e blerjes së votës). Ky fakt të çon në përfundimin se sa herë kjo kompani kryen sondazhe ato duhen marrë me seriozitet, pra duhen konsideruar si gjetje realiste (natyrisht të zhveshura nga deformimet që vijnë nga blerja e votës), të cilat mund të përdoren si një bazë e shëndoshë për analiza e interpretime politike apo mund të përdoreshin edhe nga partitë politike për të përcaktuar strategjitë e taktikat e tyre elektorale.

 A mund të thuhet se edhe gjetjet e 3 prillit 2019 janë po ashtu të sakta si edhe herët e tjera? Çfarë përfundimesh do të mund të nxirreshin prej tyre?

Nisur nga historia e sondazheve të mëparshme, pra nisur nga përfundimi se IPR ka qenë të të shkuarën kompani serioze, mund të thuhet pa rezerva se gjetjet e saj janë të sakta edhe për rastin e fundit, pra edhe për gjetjet e publikuara në televizionin Ora News, në datën 3 prill 2019. Unë besoj se s’ka si të ndodhë ndryshe edhe në këtë rast. Nga analiza e këtyre gjetjeve serioze e të sakta rezulton se shqiptarët janë të mërzitur, madje shumë të revoltuar, në masë mbi 80 për qind, me gjendjen e krijuar nga qeverisja aktuale kur deklarohen “se nuk mund të jetohet në Shqipëri”. Madje revolta e tyre është aq ekstreme sa që mbi 60 për qind e tyre shprehen se “janë të gatshëm të largohen nga vendi” pra të emigrojnë. Fatkeqësisht, nga njëra anë; ku deklarim krijon përshtypjen se shqiptarët janë të pashpresë. Por nga ana tjetër, po të njëjtët qytetarë, në masën 55-57 për qind, janë shprehur pra në shumicë në favor të aleancës opozitare (PD plus LSI dhe aleatët e tyre), duke shpalosur kështu “besimin” për maxhorancën e re, PD+LSI dhe aleatët e tyre opozitarë. Kjo gjendje me dy pamje, nga njëra anë “revoltë për gjendjen e dëshirë për emigrim” dhe nga ana tjetër “besim te maxhoranca e re” natyrisht përbën një sfidë të madhe për maxhorancën e re, e cila për të kthyer realisht në forcë qeverisëse mbështetjen potenciale qytetare, duhet të vazhdojë të ndërmarrë edhe disa hapa të tjerë (ndërtimi i ekipit të ri, formulimi i një programi shprese, dhe organizimi gjithëpërfshirës, pra hartimi i një platformë, që në periudhën afatmesme synon përse jo edhe konceptimin e ndërtimin e një sistemi të ri politik), që së bashku me besimin tashmë të fituar ti kthejnë shqiptarëve edhe shpresën e munguar.

Zoti Islami, ku e bazon opozita cilësimin e kuvendit si ilegjitim? Si kanë ndikuar në gjetjet e sondazhit qëndrimet e maxhorancës që e kundërshton këtë cilësim të opozitës?

Cilësimin e maxhorancës aktuale si ilegjitime e ka bërë opozita, jo thjesht përmes një taktike politike, por duke dhënë prova e fakte të pakundërshtueshme. Nga ana tjetër, shqiptarët dhe ndërkombëtarët, janë bërë me dije me zë e figure, nga media vendase e ajo ndërkombëtare, se “maxhoranca e Rilindjes” është ilegjitime; që ndryshe do të thotë se Rilindja nuk zotëron 71 mandate të pastra, pra mandatet e saj nuk janë siguruar përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ky perceptim është kthyer në bindje se Rilindja është kapur duke blerë votat dhe këtë vjedhje e kanë parë me sytë e tyre të gjithë pa përjashtim. Për rrjedhojë, edhe qeveria Rama dhe vetë Rama si kryeministër janë jo vetëm ilegjitime por akuzohen edhe si aktorët kryesorë që kanë blerë votat dhe kanë përfituar pushtet nga blerja e votave. Thënë ndryshe, Rama dhe kupola e Rilindjes janë shkaktarët kryesore të kësaj gjendjeje që duhen ndëshkuar natyrisht jo vetëm politikisht, por autorët konkrete të ideimit dhe të vjedhjes së votave duhet të ndëshkohen edhe penalisht. Ndërkohë opozita ka kërkuar që legjitimiteti i kuvendit të vendoset përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme të garantuara nga një qeveri tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër, duke ngulur këmbë njëkohësisht për ndëshkimin e shkaktarëve të këtij ilegjitimiteti. Kjo është refuzuar me kokëfortësi por edhe me hile e marifete nga Rama, duke tentuar, ndër të tjera, të zëvendësojë opozitën reale me një opozitë fasadë. Pikërisht në këtë moment shpallen gjetjet e një sondazhi të kryer nga Instituti IPR Marketing, që evidenton drejtësinë e qëndrimeve të opozitës dhe qëndrimet e gabuara të Ramës.

A mundet zoti Islami të thuhet se sondazhi evidenton faktin që shqiptarët kërkojnë një maxhorancë të re, të ndryshme nga kjo aktuale…?

Nga analiza e gjetjeve të sondazhit të IPR Marketing rezulton qartësisht se “votuesit shqiptarë janë të gatshëm të votojnë për një maxhorancë të re. Legale e legjitime që del nga zgjedhje të lira ë të ndershme. Një maxhorancë të qenësishme e solide, që ka mandatet e mjaftueshme, pra që garanton mirëqeverisje legjitime dhe stabilitet. Sepse qytetarët janë të revoltuar si nga vjedhja e votave ashtu edhe nga qeverisja antipopullore të Ramës. Maxhoranca e re që mbështesin shqiptarët, e “fotografuar” nga sondazhi i IPR Marketing, është në vlerë mbi 53-55 për qind dhe mund të arrijë të zotërojë 77-80 mandate. Ky sondazh parashikon edhe formësimin e një opozite reale e legjitime, në përmasa të qenësishme prej 44 për qind që mund të arrijë të sigurojë deri në 60-63 mandate. Duhet pasur parasysh se ky përfundim s’është një parashikim por vetëm interpretimi i gjetjeve të sondazhit për “orientimin e votës” të publikuara nga IPR Marketing në Ora News.

Zoti islami ku e mbështesni ju përfundimin që IPR Marketing është fondacion serioz?

Fondacioni italian IPR marketing, ka bërë prej disa vitesh disa sondazhe për shumë çështje, por gjetja kryesore që i ka mundësuar të fitojë cilësimin “serioz” është ajo që lidhet me “orientimin e votës”, pra që ka të bëjë me përgjigjen e pyetjes se “për cilën parti do të votonin shqiptarët”. Dhe ky fondacion mund të them se është bërë i famshëm nisur nga fakti që rezultatet e sondazhit për “orientimin e votës” janë përputhur deri më sot, në mënyrë të kënaqshme, me rezultatet zgjedhore. Është e rëndësishme pra të theksohet se serioziteti i tij është bërë evident nga sondimi i saktë i “orientimit të votës”. Prandaj unë gjykoj se gjetja nga IPR Marketing për “orientimin e votës” përbën një nga shtyllat kryesore të këtij sondazhi mbi të cilën duhet të mbështeten analizat dhe interpretimet politike.

Por për gjetjet e tjera a mund të thuhet e njëjta gjë, pra, nëse ato janë të sakta?

Janë edhe tri sondime të tjera që tregojnë gjendjen e brendshme dhe reale të qytetarëve dhe jo thjesht perceptimin e tyre për çështje të ndryshme. Ndërkohë që për të gjithë çështjet e mbetura, gjetjet e sondazhit kanë të bëjnë kryesisht me perceptimet e qytetarëve, të cilat jo gjithnjë përputhen plotësisht me realitetin dhe në shumicën e rasteve formësohen në mendjen e qytetarëve si nga veprimi i medias ashtu edhe nga propaganda/marketingu i partive politike. Kjo nuk do të thotë se gjetjet e tjera janë të pasakta, por këto janë gjetje që kanë të bëjnë me perceptimet dhe prandaj kanë nevojë për analizë të thelluar e ndoshta edhe sondime të tjera më të thelluara, për të zbuluar prej tyre lidhjen që ato kanë me realitetin.

Cilat janë tri sondimet e tjera që pasqyrojnë realisht gjendjet e brendshme të qytetarëve…?

Tri sondimet që pasqyrojnë në sondazhin aktual gjendjen e brendshme të qytetarëve kanë të bëjnë me:

  • Me “lumturinë e qytetarëve” (pra kur ato i përgjigjen pyetjes sesi “jetohet në Shqipëri”;
  • Me “lumturinë relative”, pra që ka të bëjë me pyetjen “sesi jetohet në Shqipëri krahasuar më tre vjet më parë” dhe
  • Me tentativën e tyre për të gjetur zgjidhje, që ka të bëjë me përgjigjen e pyetjes “a keni ndërmend të emigroni”.

Përgjigjet e këtyre tre pyetjeve shprehin më shumë gjendjen e brendshme të qytetarëve dhe më pak perceptimin e tyre të krijuar edhe nga veprimi i faktorëve të jashtëm, të tilla si media apo propaganda e partive. Përfundimisht mund të thuhet se 4 shtyllat e themelore, mbi të cilat duhet të mbështetet analiza objektive e gjetjeve të sondazhit të IPR Marketing do të ishin tri shtyllat e fundit dhe ajo që ka të bëjë me orientimin e votës.

Ku e mbështesni përfundimin se gjetja për “orientimin e votës” është i saktë?

 Po ripërsëris atë që thashë pak më sipër, vetëm gjetja për “orientimin e votës”, e sonduar disa herë nga fondacioni IPR Marketing, ka rezultuar gjithnjë e njëjtë me rezultatin zgjedhor. Prandaj gjykoj se ajo është praktikisht shtylla e kryesore mbi të cilën do të duhet të bazohet analiza politike. Natyrisht askush nuk pengon që të analizohen edhe të gjithë gjetjet e tjera. Por duhet pasur parasysh se gjithçka tjetër e thënë në të gjithë sondazhet e mëparshme për të gjithë gjetjet e tjera përveç asaj të “orientimit të votës”, s’ka pasur mundësi të ballafaqohet asnjëherë me realitetin. Përfundimi për mua është i qartë: nga të gjithë gjetjet e sondazheve të IPR Marketing, vetëm ajo për “orientimin e votës” është testuar dhe ka rezultuar e saktë. Gjetjet e tjera nuk janë ende testuar për sa i përket saktësisë, pra është e vështirë të konsiderohen apriori si të sakta ashtu edhe të pasakta; personalisht do të orientohesha ti konsideroja të sakta, por që kërkojnë një analizë integrale e komplekse për shkak se ato masin më shumë perceptime që nuk janë të përputhura me realitetin, pra perceptime që duhet të “zhvishen” nga ndikimet e medias dhe të propagandës partiake.

A janë të sakta gjetjet e tjera? Dhe nga çfarë do të varej saktësia e gjetjeve të tjera?

Saktësia e gjetjeve të tjera, përveç atyre të lidhura me orientimin e votës, do të varej fuqimisht nga mënyra sesi ishte drejtuar pyetja…dhe mbi të gjitha nga alternativat e mundshme që janë lënë për përgjigje…ndërkohë që pyetja se “për cilën parti do të votosh” është e qartë, e thjeshtë dhe direkt, po ashtu edhe përgjigja është pa ekuivoke… Nga ana tjetër, interpretimi i të dhënave të tjera, përveç atyre të lidhura me orientimin e votës, është më kompleks dhe duhet të bëhet integralisht, domethënë, duke pasur parasysh edhe të gjithë të dhënat/përgjigjet nga pyetjet e tjera, përfshi edhe ato që lidhen me orientimin e votës… Aq më tepër që në të gjithë këto interpretime komplekse duhet të përfshihet edhe ai rezultat që lidhet me qëndrimet/përgjigjet “neutrale” të themi në formën se “s’e di”, apo se “s’do të shprehet”, e tjerë.

Cilat janë gjetjet më të rëndësishme të sondazhit të 3 prillit 2019?

Referuar më sipër, pra duke konsideruar me prioritet përgjigjet e katër pyetjeve “themelore” do të kishim këto gjetje kryesore:

  1. 62 % e shqiptarëve duan të largohen nga vendi….
  2. 59,7 % e shqiptarëve deklarojnë se “jetohet keq” në Shqipëri…
  3. 39,7 % e shqiptarëve deklarojnë se “jetohet me keq se 3 vjet më parë” dhe 40,5 % deklarojnë se “jetohet po aq keq sa 3 vjet me parë”,
  4. 44 % e shqiptarëve, pra 4 % më pak se në 2017, votojnë për PSSH;
  5. 39 % e shqiptarëve, ose mbi 10 %më shumë se në 2017, votojnë për PDSH;
  6. 14 % e shqiptarëve, pra po aq sa në 2017, votojnë për LSI.

Çfarë përfundimesh mund të nxirrni nga analiza e këtyre gjetjeve…?

Nga të dhënat e sondazhit mund të nxirren disa përfundime të rëndësishme. Më i rëndësishmi prej tyre është se opozita aktuale është shndërruar në maxhorancë duke ngjallur besim, në rrugën për të krijuar shpresë për një qeverisje të mirë që garanton mirëqenien e qytetarëve dhe integrimin evropian të vendit. Më konkretisht nga të dhënat e sondazhit mund të nxirren përfundimet e mëposhtme:

  1. PD është rritur dhe ka arritur të mbushë “hendekun” me rezultatin e saj më të mirë, të krijuar në 2013 dhe të thelluar në 2017;
  2. LSI mbetet një forcë politike, konstante, që zotëron çelësin e “maxhorancës”, para mbetet një forcë “king-maker”; aleatët e tjerë opozitarë mbeten të rëndësishëm për siguruar moralin dhe rritur forcën e maxhorancës së re;
  3. E gjithë opozita aktuale, PD, LSI dhe forcat e tjera opozitare, rezultojnë aktualisht maxhorancë qeverisëse, me një madhësi prej 53-57 për qind të votave në shkallë kombëtare;
  4. Referuar raportit mes përqindjes së votave dhe mandateve, maxhoranca e re, në varësi të ndershmërisë së zgjedhjeve si dhe të sistemit zgjedhor, do të zotëronte 77-80 mandate;
  5. Shqiptarët e pa shpresë nga qeverisja Rama, nga njëra anë, në masën 60 për qind mendojnë se aktualisht nuk jetohet dot në Shqipëri dhe në masën 62 për qind duan të largohen nga vendi, nga ana tjetër i kanë dhënë besimin një maxhorancë të re qeverisëse, konkretisht opozitës aktuale, në madhësi të qenësishme prej rreth 80 mandatesh, për kryerjen e reformave të thella që siguron një qeverisje të mirë dhe realizimin e të gjithë detyrave të shtëpisë për integrimin e vendit në BE.

Intervistoi Danja Zere. Gazeta “Telegraf”

SHKARKO APP