ISP: PS deklaron të dhëna fiktive të anëtarësisë, që shërbejnë si alibi për të justifikuar prurjet financiare në parti
Partia Socialiste në pushtet prej 2013 zhvilloi këtë fundjavë zgjedhje të anëtarësisë me parimin “1 anëtar – 1 votë”. Kjo parti e ka aplikuar këtë model zgjedhor edhe më 2009 (për kryetarin) dhe më 2016 (referendumi në parti), ndaj drejtuesit e saj deklaruan se “PS tregoi se nuk është jo vetëm partia më e madhe dhe më e organizuar, por edhe partia më moderne në Shqipëri”. Votimi i kësaj fundjave ishte gati formal, sepse kishte të bënte me zgjedhjen e delegatëve, megjithatë ai një rëndësi tjetër, pasi PS prej qershorit 2019 është e para parti politike më 100% pushtet në nivel qendror (ekzekutiv) dhe 100% në nivel lokal (bashki e qarqe). Në zgjedhjet lokale 2019 ajo fitoi 564679 vota nga 110120 anëtarë të saj, pra 5.1 vota për 1 anëtar, – një nga përqindjet më të larta të një partie të madhe politike në Europë.
Instituti i Studimeve Politike vlerëson se të dhënat e votimit të nëntorit 2019 tregojnë se zyrtarisht PS deklaroi 76,068 votues ose 26,988 votues më pak sesa numri i anëtarëve në Regjistrin e Partisë. Në total në zgjedhjet e vitit 2019 nuk morën pjesë në votimin e brendshëm në PS 26% e anëtarëve, shifër e njëjtë në referendumin e saj partiak më 2016 dhe shifër më e ulët sesa mungesa e 32% të anëtarëve në votimin 1 anëtar – 1 votë më 2009. Diferenca e madhe midis numrit të deklaruar të anëtarëve dhe numrit të të deklaruarve në votim është tregues i hendekut të madh midis gjendjes reale të partive politike dhe deklarimeve të tyre publike. PS nuk bën përjashtim, përkundrazi. PS ka organizim shumë më solid sesa PD në aspektin e disiplinës dhe regjistrit, megjithatë shifrat e ofruara mbeten problematike në disa drejtime.
Vetë subjektet, përfshirë PS, deklarojnë se një pjesë e anëtarëve nuk marrin pjesë në votimet e brendshme për shkak se ka anëtarë në emigracion, për shkaqe subjektive apo për shkaqe të tjera teknike. Këto argumente qëndrojnë, por nga ana tjetër të dhënat që ofrohen si votues nga partitë, përfshirë PS, nuk janë 100% të vërteta. Një monitorim i referendumit 2016 nxori në pah shifra fiktive që arrinin deri në 20-30% pjesëmarrje fiktive, dhe për sa kohë nuk ka monitorim publik dhe as mekanizëm transparence, edhe shifrat aktuale të pjesëmarrjes në votim në parti duhet të merren me rezerva. Për shembull, pyetja është: si është e mundur që 100% të anëtarëve të mobilizohen dhe të sigurojnë + 5 vota per person në zgjedhjet lokale pa kandidatë rivalë (30 qershor 2019) dhe 26% e tyre të mos angazhohen dhe të mos marrin pjesë në zgjedhjet me konkurrentë 5 muaj më vonë (nëntor 2019)?
Sipas Institutit të Studimeve Politike më e rëndësishme sesa kaq është pasoja për publikun dhe demokracinë përfaqësuese. Partitë deklarojnë të dhëna fiktive të anëtarësisë dhe më pas deklarojnë se këto anëtarë kanë financuar partinë me kuota anëtarësie, pra shifrat fiktive shërbejnë si alibi për të justifikuar prurjet financiare në parti sidomos në fushata elektorale, si kontribute të anëtarëve dhe të ardhura të ligjshme nga kuotat e anëtarësisë. E njëjta situatë edhe me partitë e tjera të majta e të djathta, të cilat deklarojnë anëtarësi fiktive dhe bashkë me to edhe financim fiktiv. Për pasojë, fiktiviteti në deklarimet e anëtarëve shoqërohet me fiktivitet në deklarimet financiare dhe kjo e fundit përbën shkelje të nenit 9 të Kushtetutës dhe një vepër penale, për të cilën shumë qytetarë shqiptarë mund të përfundojnë përpara drejtësisë.
A ka një mekanizëm transparence / zgjidhës? Po. Një vend ish komunist si Estonia ka database online të të gjithë anëtarëve të partive politike, kuotave të tyre të pagesës në parti dhe donacioneve të tyre për partinë/fushatën elektorale. Estonia nuk e quan këtë “të dhëna personale” por “të mirë publike” dhe transparencën e Regjistrit e konsideron standard demokracie dhe kriter për integritetin e një partie politike. A mund ta bëjmë këtë në Shqipëri? Natyrisht që po. Përfitimet do të ishin të shumëfishta: partitë do të ishin më transparente, financimi elektoral e partiak do të ishte më transparent, sistemi përfaqësues do të ishte më transparent, kufiri ndarës midis militantëve në parti dhe administratës publike do të ishte më i qartë, mbështetja nga individë me rekorde kriminale apo burime informale do të ishin më transparent dhe nga ana tjetër, angazhimi në parti nuk do të kishte vlerën e përfitimit të vendit të punës/tenderave/privilegjeve/statusit social/imunitetit siç e ka në Shqipëri, por do të kishte vlerën e përgjegjësisë personale dhe vizionit për të kontribuar për shoqërinë e vendin.
Burimi: Instituti i Studimeve Politike