Itali, nxirren nga gërmadhat 215 persona të gjallë dhe 257 të vdekur
Ndërkohë që, në Italinë Qendrore vazhdojnë kërkimet në gërmadha për të shpëtuar të mbijetuarit e tërmetit të 24 gushtit 2016, deri në orët e pasdites së djeshme numërohen 215 persona të shpëtuar. Lajmi është konfirmuar nga prefekti Bruno Frattasi dhe kreu i departamentit të zjarrfikëseve. Por, fatkeqësisht numri i viktimave deri tani ka shkuar në 250 dhe Italia i druhet një bilanci shumë më të keq se ai i shkaktuar nga tërmeti i Aquilas në 2009-ën, pasi numri i viktimave është rritur në mënyrë të frikshme. Zyra e Mbrojtjes Civile konfirmoi se, mes viktimave ka shumë fëmijë. Ndërkaq, 368 të tjerë janë lënduar nga tërmeti.
“Kjo nuk është shifra përfundimtare e viktimave”, ka thënë kryeministri italian Matteo Renzi, duke paralajmëruar se ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë gjithë natës për të gjetur të mbijetuar të tjerë. “Dhimbja për këtë ngjarje nuk ka kufi”, ka thënë tutje Renzi. Shumë njerëz besohet se janë të varrosur nën rrënoja dhe shumica e personave të zhdukur janë shtetas të huaj dhe turistë, të cilët po vizitonin këtë zonë historike. Por lëkundjet duken se nuk kanë të ndalur.
E fundit është regjistruar në orën 14:36 minuta të enjten në mëngjes me magnitudë 4.3. Pallati i Sportit, i cili përdorej për të strehuar të pastrehët apo ndihmat për ta është evakuuar. Gërmimet nuk janë ndërprerë gjatë gjithë natës në Amatrice, Accumoli, Pescara del Tronto dhe Aquata dhe janë ngritur kampe strehimi për 2500 të pastrehë. Instituti sizmik konfirmon një lëkundje të re tërmeti të regjistruar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në shkallën 4.5 ballë të shkallës rihter. Sipas specialistëve të këtij instituti, aktiviteti sizmik vazhdon të jetë ende i fuqishëm në këtë territor. Tërmeti me magnitudë 6.2 ballësh në orët e para të mëngjesit të së mërkurës goditi edhe veriun e Romës, duke shkaktuar dëme të mëdha në qytetet Accumoli, Amatrice, Posta dhe Arqueta del Trono.
E ndërsa numri i të vdekurve arrin në 257, sipas bilancit të fundit të publikuar nga departamenti i Policisë Civile, viktimat thuhet se janë 190 në Reatino dhe 57 në Ascolano. Të pastrehët janë me mijëra, ndërkohë që është vazhduar të gërmohet me shpresën për të gjetur të mbijetuar. Situata sizmike në këtë zonë vazhdon të jetë me një aktivitet të lartë me shumë tërmete që pasojnë njëri-tjetrin. (a.gj)

KOHA JONË SONDAZH

