Italia dëbon Alban Elezin, nuk ka prova se ka rekrutuar njerëz për ISIS

Autoritetet italiane kanë vendosur të dëbojnë shtetasin shqiptar Alban Elezi.

Vendimi erdhi pasi gjykata italiane liroi 38-vjeçarin e arrestuar pak kohë më parë në Shqipëri dhe i ekstraduar në Itali me akuzën si rekrutues i luftëtarëve të rinj në ushtrinë e Shtetit Islamik.

Gjykata italiane ka hedhur poshtë akuzën e Prokurorisë, duke pranuar rekursin e avokatit mbrojtës të Alban Elezit dhe lënien në gjëndje të lirë të klientit të tij nga burgu i Kanton Mombello i qytetit të Breshës, ku mbahej i izoluar prej momentit të ekstradimit.

“Ka mungesë provash reale të aftësisë së Alban Elezit në vendosjen e raporteve me ISIS për të garantuar një rekrutim të vërtetë të luftëtarëve të rinj të Shtetit Islamik drejt Sirisë”, thuhet në vendimin e Gjykatës italiane.

Një muaj më parë shqiptari 38-vjeçar nga Rashbulli i Kavajës u ekstradua nga Shqipëria drejt Italisë me vendim të Prokurorisë italiane e të prokurorit Leonardo Testi, nën akuzën e terrorrizmit në kuadër të operacionit “Ballkan Conection”.

Ky operacion i policisë italiane çoi në arrestimin e Alban Elezit në Shqipëri më 25 mars të 2015 e të nipit të tij në Elvis Elezi në Torino të Italisë.

Alban Elezi ashtu dhe nipi i tij Elvis Elezi janë tashmë në gjëndje të lirë me vendim të marrë nga drejtësia italiane.

SHKARKO APP