Italia ndihmon Shqipërinë me një ekip mjekësor, Manastirliu: Eksperiencë e vyer në këto momente të vështira

Italia ndihmon Shqipërinë me një ekip mjekësh dhe infermierësh, që do të japin asistencën e tyre në vendin tonë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, së bashku me ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci kanë pritur në Rinas delegacionin i cili do të ofrojë eksperiencën e vyer për vendin tonë.

”Kur disa muaj më parë ju gjendëm pranë Italisë mike në një moment tejet të vështirë, nuk e kishim menduar se do të na e kthenit ndihmën kaq shpejt. Ishte një gjest solidar që erdhi natyrshëm dhe jam shumë e kënaqur që sot na gjendeni pranë në një moment të vështirë për ne, ku eksperienca që ju keni fituar do të jetë mjaft e vlefshme për ne dhe për sistemin tonë shëndetësor. Kjo pandemi na ka mësuar se lufta nuk fitohet i vetëm, por vetëm me solidaritet mes vendeve”.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri deklaroi se ky shtë një gjest për një vend mik, i cili ju gjend pranë Italisë në një moment shumë të vështirë. ”Qeveria italiane është shumë e lumtur që po ndihmon Shqipërinë, pas gjestit të madh që bëri Shqipëria për Italinë në muajin mars. Edhe Italia nuk I harron miqtë në nevojë”.

Task-Forca e Emergjencave Civile italiane e përbërë nga shtatë ekspertë do të zhvillojë një veprimtari dypalëshe për një periudhë 14 ditore. Grupi i ekspertëve do të zhvillojë veprimtari konsulence dhe do të ndihmojë me qëllim formimin e veçantë të homologëve shqiptarë për çështje që kanë të bëjnë me aspektin shëndetësor specifik në diagnostikimin dhe luftën ndaj Covid-19.

Grupi përbëhet nga një mjek urgjence, një anestezist dhe nga një funksionar i Emergjencave Civile të Qarkut të Puglia-s, nga një mjek dhe një infermier urgjence i Qarkut të Lombardisë, një mjek infeksionist i Qarkut të Lazio-s dhe nga një infermiere urgjence e Qarkut të Piemontes, e cila është nga Shqipëria. Krahas grupit të mjekëve dhe të infermierëve në Aeroportin e Rinasit ka mbërritur edhe një sasi prej 500.000 maskash kirurgjikale në ndihmë të vendit tonë.

SHKARKO APP