Italia nuk ka parë gjë akoma, OBSH: Kulmi i epidemisë COVID 19, javën tjetër

Zyrtarë të OBSH-së parashikojnë që Italia të arrijë javën e ardhshme kulmin e rasteve me koronavirus, që mund të pasohet nga një tkurrje e pandemisë. Qeveria ka ashpërsuar gjobat dhe dënimet për shkelësit e masave të jashtëzakonshme ndërsa bilanci i viktimave ka arritur në 70 mijë.

Italia pritet për një javë të përjetojë trajektoren zbritëse të rasteve të reja me Covid-19.

Teksa numri i të infektuarve ka arritur në afro 70 mijë dhe gati 7 mijë veta kanë humbur jetën, Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon që javën e ardhshme të shënohet kulmi i pandemisë.

Sipas zyrtarëve lokalë të OBSH-së, nëse qëndrohet në shtëpi, dy apo tre javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zgjidhjen e emergjencës kombëtare.

Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme, kryeministri italian Xhuzepe Konte njoftoi të martën ashpërsimin e dënimeve për shkelësit e masave të izolimit.

Ata që thyejnë rregullat e lëvizjes apo falsifikojnë lejet për lëvizjen me automjete do të gjobiten nga 400 deri 3 mijë euro, ndërsa për personat bartës të virusit që dalin qëllimisht nga karantina, dënimi shkon nga 1 deri 5 vite burgim.

“Siç e kam thënë nga fillimi, të gjithë së bashku duhet të bëjmë pjesën tonë përballë kësaj emergjence, që t’i rikthehemi jetës normale sa më shpejt,” deklaroi Konte.

Me një dekret qeverie, masat e ndalimqarkullimit dhe mbyllja e strukturave private dhe publike pritet të zgjatin deri më 31 korrik.

Sipas kryeministrit afati është hipotetik dhe gjendja me pandeminë mund të përmirësohet më herët.

Ndërsa virusi zgjeron hartën e vet, Italia vazhdon të përfitojë nga ekspertiza e shteteve si Kina, që pak javë më parë ndeshi një situatë po kaq tragjike.

Ekipi i tretë i specialistëve kinezë mbërrin të mërkurën në Milano për të ndarë dijen në fushat e parandalimit të infeksioneve, sëmundjeve respiratore dhe terapisë intensive, por për të sjellë me vete edhe dhjetëra tonë furnizime me respiratorë, veshje mbrojtëse, 300 mijë maska mjekësore dhe fytyre.

Lombardia në veri të Italisë është aktualisht rajoni më i prekur nga koronavirusi, me mbi 30 mijë raste dhe mbi 4,100 viktima.

SHKARKO APP