Italia vendos rekordin tragjik. Numri i të vdekurve kalon atë të Kinës, mjekët kinezë: U veprua gabim!

Italia vendosi një rekord tragjik të enjten: numri i viktimave të koronavirusit në fqinjin tonë përtej Adriatikut mbërriti në 3.405 brenda katër javësh, duke kaluar atë të Kinës që 3.245 të vdekurit e saj nga koronavirusi i ka shënuar në një periudhë prej tre muajsh.

I treti në listë vjen Irani me 1,284 vdekje, një shifër kjo që është vënë në diskutim nga ekspertë të shëndetësisë, Spanja me 767 dhe Franca me 264. Sistemi i shumëlavdëruar shëndetësor i Italisë është sot në buzë kolapsi, sidomos në veriun e pasur të vendit, ku është dhe përqëndrimi më i madh i infektimeve.

Njerëzit po trajtohen deri dhe në spitale fushore, e nëpër korridoret e atyre publike për shkak të mungesës së shtretërve. Mjekë e infermierë janë duke u infektuar prej mungesës së pajisjeve të duhura mbrojtëse, thekson CNN. Autoritetet italiane po diskutojnë shtyrjen e mbylljes së shkollave përtej datës 3 prill, ndërsa thuhet se izolimi do të vazhdojë.

Mjekët kinezë që kanë mbërritur atje për të ndihmuar thonë se masat e marra në Lombardi nuk ishin “të rrepta mjaftueshëm”.

“Gjendja është e ngjashme me atë që përjetuam ne në Wuhan përpara dy muajsh”, tha zëvendëspresidenti i Kryqit të kuq kinez Sun Shuopeng në një konferencë për shtyp në Milano.

“Në Wuhan, një muaj pas karantinës, rastet filluan të binin, por këtu izolimi nuk po respektohet sic duhet: transporti publik ende funksionon dhe njerëzit vazhdojnë të lëvizin. Duhet që cdo qytetar të përfshihet në luftën kundër Covid 19 dhe të zbatojë rregullat”, deklaroi ai.

SHKARKO APP