Iu gjet thesi me hashash në shtëpi, policia arreston një grua
Një grua ka rënë në prangat e policisë, pasi i është gjetur një sasi e konsiderueshme lënde narkotike në banesë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Nuaj, në Krujë.
Siç mësohet zyrtarisht, në kërkim është shpallur djali 27-vjeçar i gruas së arrestuar, ndërsa në gjendje të lirë është proceduar i moshuari i shtëpisë, Xh.M., 73-vjeç.
Në banesën e 47-vjeçares policët gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 kg lëndë narkotike, e dyshuar si Cannabis sativa.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në bashkëpunim me SHÇBA-në në DVP Durrës, pas informacioneve të grumbulluara se në një banesë, në fshatin Nuaj kishte lëndë narkotike organizuan dhe zhvilluan operacionin policor të koduar “Noja”.
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasja:
D. M., 47 vjeçe, banuese në Krujë dhe u shpall në kërkim djali i saj shtetasi C. M., 27 vjeç.
Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasi Xh. M., 73 vjeç, banues në Krujë.
Gjatë kontrollit në banesën e tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 kg lëndë narkotike, e dyshuar si Cannabis sativa.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.