Iu shkatërrua shtëpia nga tërmeti, “Fundjavë Ndryshe” u ndryshon jetën nënë e bijë
Mes emocioneve të shumta, lotëve të gëzimit është transmetuar puntata e parë e emisionit “Historia e Fundjavës”. Në drejtimin e Mirela Milroit, shoqëruar nga drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari janë publikuar disa histori të ndryshme.
Rrëfimi i parë më të cilin u hap edhe emisioni, ishte i familjes Plaku. Xhoana me nënën e saj jetonin në fshatin Eminas i Vogël, në afërsi të Shijakut. Veç problemeve të shumta shëndetsore, gjendja e tyre ekonomike ishte shumë e vështirë. Sikur të mos mjaftonte kjo, banesa e tyre u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 dhe u detyruan të jetonin në çadër për disa kohë.
“Sa u ngritëm ne, ranë gurë, suvatime, pllaka, tulla… ranë te jastëku, te krevati që ishte mami. Aty kisha frikë më shumë, qoftë për mamin, qoftë për vete.”
E diagnostikuar me sindromën Marfan, shëndeti i Xhoanës është shumë i rënduar, pasi ka kryer një sërë operacionesh.
“Jam operuar 17 vjeçe në zemër. Është një diagnozë që është e lindur. Ajo ndikon te zemra, te shikimi edhe tek kockat. Shikimin ta dëmton. Një sy e kam operuar tre herë… këmbën me hekur po. Tani ka ndikuar shumë edhe shtylla kurrizore, kam deformim, më kanë thënë për operim. Por ajo kushton 18 mijë Euro, për mua është e pamundur. Do eci në këmbë 1 orë për çdo gjë, jo ushqime, jo ilaçe”.
“Fundjavë Ndryshe” është sensibilizuar me këtë rast. Fondacioni u ka ardhur në ndihmë sapo u sinjalizuan për këtë familje. Fillimisht i larguan nga çadra dhe i vendosën në një banesë me qira.
Më pas, nisën procedurat për blerjen e një shtëpie në Durrës dhe arredimin e saj me të gjitha kushtet bashkëkohore.
Tashmë çdo gjë ishte gati dhe familja Plaku do të gëzonte banesën e tyre të re në qytetin bregdetar, sikurse kishin shprehur edhe vetë dëshirën për t’u zhvendosur në Durrës, pasi duan të jenë pranë disa të afërmve të tyre.
Bamirësia nuk të varfëron!