Izolimi i Berishës në banesë, Gjykata e Posaçme zbardh vendimin e plotë. Rrezikon deri në 12 vite burg

Këtë të mërkurë Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimin për Sali Berishën, i cili që prej fundit të dhejtorit është në ”arrest shtëpie”. Mësohet se janë kontaktuar avokatët e tij për ta tërhequr dhe raporti pritet që t’i përcillet më pas Berishës. Dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai janë shprehur se nga hetimet e deritanishme Sali Berisha, rezulton se ka konsumuar veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionareve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë” në bashkëpunim, vepër që dënohet nga Kodi Penal me 12 vite burg.

Në çështjen konkrete objekt shqyrtimi, rezulton se shtetasi nën hetim Sali Berisha, në mënyrë të qëllimshme, nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur detyrimet që i ngarkohen nga ligji procedural penal, në zbatim të vendimeve gjyqësore, për caktimin e masave shtrënguese personale ndaj tij, duke mos u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.

Pretendimet e shtetasit nën hetim Sali Berisha lidhur me masat e sigurimit të caktuara ndaj tij nga ana e gjykatës, nuk duhet të ishin të orientuara drejt mosrespektimit të tyre, e cila eventualisht ka formuar mosbindjen ndaj autoritetit gjyqësor, por në çdo rast, bazuar në rregullat e normuara të procedurës penale, ndaj tyre mund të ushtrohet ankim në një gjykatë më të lartë. Për më tepër, nga ana e personit nën hetim Sali Berisha, nuk është paraqitur asnjë arsye e qenësishme që të justifikojë shkeljen e detyrimeve të përcaktuara në vendimet e gjykatës.

Pretendimi i kërkuesit se arsyeja e moszbatimit të vendimit të gjykatës, lidhet me argumentimin se duhet të ishte dhënë autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë për heqjen e lirisë së tij, para se të caktoheshin masat e sigurimit të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, nuk qëndron, për sa kohë ligji ka parashikuar në mënyrë të qartë të drejtat dhe detyrimet e palëve në këtë situatë faktike: të drejtën e ankimit ndaj vendimit të gjykatës, por edhe detyrimin për ta zbatuar atë.

Referuar rrethanave më sipër gjykata vlerëson se nevojat e sigurimit në ngarkim të të hetuarit Sali Berisha, lidhur me rrezikun e dëmtimit të provave për sqarimin e fakteve penale, janë të tilla që të justifikojnë masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, pasi çështja ndodhet ende në fazën e hetimeve dhe nga ana e prokurorisë duhet të kryhen ende veprime hetimore dhe procedurale në funksion të këtij hetimi.

Për faktin e ndodhur po zhvillohen hetime në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave të faktit dhe për shkak të funksionit që ka ushtruar më parë shtetasi nën hetim Sali Berisha në kohën e kryerjes së veprës penale, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, por edhe funksionit të tij aktual si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, shtetasi nën hetim i lartpërmendur, për shkak të marrëdhënieve të krijuara si rezultat i ushtrimit të funksioneve të mësipërme dhe influencave që mund të ketë tek persona të tjerë, vijon të ekzistojë mundësia që të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen apo asgjësimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, çfarë do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë të faktit penal objekt gjykimi.

Në lidhje me rrezikun e ikjes, Gjykata pasur parasysh rrethanat që kanë të bëjnë karakterin e personit nën hetim, ndikimin që mund të ketë qoftë në institucione shtetërore (lidhur me administrimin e provave shkresore), por edhe tek dëshmitarët, llojin e veprës penale që dyshohet të ketë kryer dhe sanksionin që parashikohet për këtë vepër penale, personalitetin e tij, që lidhet pikërisht me moszbatimin e vendimeve të gjykatave, lidhjet me persona me influencë, si dhe duke marrë në konsideratë kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit personal, parë dhe në këndvështrim të jurisprudencës së GJEDNJ, sa i përket diskutimit të rrezikut të largimit, në raport me faktin penal për të cilin ai dyshohet, çmon se këto rrethana vijojnë të jenë ende ekzistuese.

SHKARKO APP