Ja cilët janë emrat që pritet të rikonfirmohen nga Basha në pozicionet drejtuese

 

Një pjesë e kandidatëve të Partisë Demokratike për kryetarë bashkish në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit pritet të marrin pozicione drejtuese në strukturat e kësaj partie, pavarësisht se rezultojnë humbës në garën përballë kandidatëve të koalicionit të majtë Aleanca për Shqipërinë Europiane.

Halim Kosova, Enkelejd Alibeaj, Grida Duma dhe Ardjan Turku janë 4 prej emrave që pritet të marrin pozicione drejtimi qoftë në nivelin lokal, si drejtues degësh, ashtu edhe në drejtimin e departamenteve në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike. Burime nga PD theksojnë se 4 kandidatët vlerësohen nga kreu demokrat Lulzim Basha si emra potencialë dhe me ndikim në strukturat e partisë më të madhe në opozitë, ndaj edhe angazhimi dhe kontributi i tyre në organizimin dhe ripërtëritjen e strukturave për zgjedhjet parlamentare të 2017 konsiderohet i domosdoshëm.

Halim Kosova, kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, edhe pse humbi përballë Erjon Veliajt me një diferencë të thellë votash, arriti të marrë mbi 40 mijë vota më shumë se Partia Demokratike. Veç kësaj Kosova u vlerësua për mënyrën e të bërit fushatë, sikundër pati një mesazh mbështetës edhe nga Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu. Burime ngta PD konfirmojnë se tashmë Kosova dhe Basha kanë rënë dakort për një angazhim të ish-ministrit të Shëndetësisë jo vetëm në stafin e ngushtë të kreut demokrat, por edhe në organizimin e strukturave të PD-së për Tiranën.

Grida Duma, gjithashtu një nga emrat karizmatikë në PD, pritet të jetë ndër figurat kryesore të kësaj partie. Humbja në Bashkinë e Durrësit me rreth 13 mijë vota përballë vangjush Dakos duket se nuk ka lëkundur aspak pozicionin e Grida Dumës në Partinë Demokratike. Përkundrazi prej disa kohësh përflitet se ajo mund të marrë drejtimin e degës së PD-së në qytetin bregdetar, gjë që sipas burimeve është kërkuar nga vetë kandidatja për Bashkinë e Durrësit.

Ardian Turku, emër i njohur në Partinë Demokratike dhe i pakontestueshëm nga grupimet e ndryshme në këtë parti, pritet që gjithashtu të angazhohet në strukturimin e forcës më të madhe opozitare.

Turku, ish-deputet, garoi përballë Qazim Sejdinit në Elbasan, por ai vijon të mbetet një nga emrat më të pëlqyer për bazën e Partisë Demokratike të qytetit, sikundër ka mbështetjen e Lulzim Bashës.

Enkelejd Alibeaj, ish-ministër dhe ish-deputet, garoi në Fier për Bashkinë e qytetit, por humbi përballë Armando Subashit, kandidatit të propozuar dhe mbështetur nga ASHE. Alibeja pas zgjedhjeve u përfshi në një debat me strukturat lokale të PD-së, të cilat i akuzoi për mospërfshirje në fushatë, por debate u shuajt shpejt për shkak të ndërhyrjes së Lulzim Bashës, kreut të Partisë Demokratike. Gjithsesi Alibeaj pritet të jetë një nga emrat që do të ofrohet nga Bashan ë strukturat drejtuese, kjo edhe për shkak të mbështetjes që ka nga forumet e kësaj partie. Alibeaj garoi për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD përballë Arben Ristanit dhe Eduard Selamit, ndërsa u rendit i dyti në garë për numrin dy të partisë me një diferencë të vogël votash nga Ristani.

Partia Demokratike do të përfshihet në një proces të thellë analize dhe nuk përjashtohet mundësia e riorganizimit të saj në disa prej departamenteve dhe strukturave të tjera drejtuese kjo për faktin se në zgjedhjet e fundit PD pati një rrudhje të votave në elektorat, ku krahasuar me zgjedhjet vendore të 2013, kishte një diferencë prej 211 mijë votash më pak. Sipas burimeve nga PD, tashmë ka përfunduar dokumentacioni krahasues mes rezultateve zgjedhore të 3 zgjedhjeve të fundit (2011, 2013, 2015) dhe pritet që në shtator të nisë analiza sipas degëve(Bota sot)

SHKARKO APP