Ja ç’mendonte Frrok Çupi për Sali Berishën 29 vite me parë, me 9 gusht 1991

Botuar në gazetën KOHA JONE , e premte, 9 gusht 1991

Intervistë e ish-Kryeredaktorit të Gazetës “Rilindja Demokratike”, z.Frrok Çupi, dhënë Kryeredaktorit Nikoll Lesi për Gazetën “Koha Jonë” dhe gazetarit shqiptar me punë e banim në Stokholm Milaim Zeka për shtypin e Evropës.

Aktualisht është ngritur shumë pluhur rreth largimit tuaj nga detyra e Kryeredaktorit të Gazetës “Rilindja Demokratike”, ku ishit Kryeredaktori i parë dhe njëri nga themeluesve kryesorë të saj. Të tjerët flasin, ju keni heshtur. Pse?

Jo gjithnjë heshtja është memece. Heshtja ka dhe gjuhën, edhe filozofinë e vet. Heshtja ime, më duket, ishte e kuptimtë. Në radhë të parë tregonte për një dhimbje. Çfarëdo që të flisja në kohën kur ju thoni se heshta, përderisa domosdo do të thosha të vërtetën, kjo do të shkaktonte dhimbje se nuk ka veçse 7-8 muaj që me gjithë shpirt, bashkë me disa shokë, sikurse është Saliu, Preçi, Gramozi, Mitro, hymë në një zjarr e në një luftë së bashku. Aty u bëmë më shumë të tjerë. Tani për çfarë të flas? Kundër vetes? Kundër shokëve? E vërteta është kundër disave prej këtyre. Kjo dhimbje njerëzore nuk më la të flas, por njeriu herë-herë del edhe nga dhimbja. Atëherë të flisja? Shpesh në këto çaste të shkarkuara u ndodha para një gjëje që s’e besoja. S’e besoja që kishte ndodhur pikërisht ashtu: që shoku im i afërt me të cilin hymë për të sakrifikuar gjithçka, tani, mbasi ishte davaritur qielli, më është sulur pikërisht mua nga mbrapa shpine. Nuk mund ta besoja aq shpejt.

Këto ishin ditët e para të heshtjes. Më vonë përsëri heshta, por me një mendim më të ftohtë: Prita që shokët e mi të thoshin një fjalë për atë çfarë ndodhi ose çfarë bënë. Pas disa ditësh këtë gjë e kërkuan edhe disa gazeta në faqet e tyre. Atëherë ata folën publikisht sikurse e keni lexuar në Gazetën “RD”. Por për fat të keq, me një gjuhë që po i them vetëm cinike tej e tej.

Do të heshtja më tej, ndoshta po qe se ju nuk do të më kishit kërkuar këtë intervistë. Heshtja dhe mosheshtja këto ditë më kanë munduar shumë. Ju falënderoj që më nxorët nga ky siklet. Disa e disa njerëz vinin e më thoshin: ç’bën, pse nuk e thua një fjalë, se ato që shkruajnë në “RD”e që thonë nëpër mbledhje, sikur nuk na bindin.  Disa e disa të tjerë vinin e më thoshin: të lutem duro, duro gjer në fund, e dimë se ke të drejtë, por mos thuaj gjë. Sepse po fole, dëmtohet demokracia, dëmtohet rëndë!

Mirëpo ndërkohë në rrethe bëheshin mbledhje të aktivistëve të demokracisë dhe kërkohej të dinin nga të deleguarit e Partisë Demokratike, se pse kishte ndodhur kjo gjë me Kryeredaktorin e Gazetës “Rilindja Demokratike”.  Shpjegimet, me sa di unë, janë dhënë nga më të ndryshmet. Diku-diku është thënë se e kemi ngritur në përgjegjësi, diku-diku se do ta dërgojmë Ambasador, diku se nuk na dëgjonte dhe gazetën nuk e kemi në dorë, diku-diku se nuk ka sakrifikuar sa duhet. Tjetër është thënë në mbledhje, tjetër në Hotel “Dajti”, tjetër në divanin e një dhome pritje, tjetër në një vesh me zë të ulët. Këto të gjitha me detyruan që unë vetë ta them të vërtetën si ka ndodhur. Jam i bindur se edhe kjo e vërtetë veçse do ta ndihmojë demokracinë dhe nuk do ta dëmtojë atë.

Opinioni, me të drejtë, ka pritur që ju të shpjegoni arsyet e largimit tuaj, sepse ju jeni ai i cili më së miri mund të na flisni për këtë.

Do të doja sinqerisht që të kisha një arsye, qoftë edhe kundër meje. Mjaft që të kisha një arsye për të qenë dhe t’u thosha njerëzve: kjo është arsyeja. Dhe do të ndahesha shpejt me ta, ata të qetë e unë i qetë. Nuk ka më keq sesa kur nuk ke se çfarë i thua tjetrit, sepse detyrohesh të mbllaçitësh fjalë nëpër gojë për të fshehur të vërtetën. Mirëpo kjo të torturon tmerrësisht. Torturon edhe tjetrin me të cilin flet. Në këtë vështirësi me duket se nuk kam qenë vetëm unë por edhe shokët e mi, drejtuesit e Partisë Demokratike.  Ç‘thanë një herë, nuk e thanë një herë tjetër; ç’tha njeri, se tha tjetri për këtë problem. Në mbledhjen e komisionit drejtues të Partisë Demokratike kur u diskutua për këtë gjë, u tha vetëm se “gazeta është e dobët”.  Mirëpo të nesërmen u thanë të tjera, në gazetë nuk u tha fare kjo gjë, te “Dajti”u tha puna e titujve të gazetës. Vërtet siklet e mbllaçitje fjalësh dhe copëtim arsyeje.

Mirëpo ka një të vërtetë që për fat të keq nuk thuhet. Është konceptimi i gazetës “Rilindja Demokratike”nga disa drejtues të Partisë. Ata e kishin menduar dhe e donin doemos vegël të tyre. Në kuptimin shumë vulgar që: dola nga shtëpia unë, gazeta të shkruajë që zoti filan doli nga shtëpia në kohën kur qielli ishte plot me re e pritej shi i rrëmbyer; zbrita nga makina unë, udhëheqësi: menjëherë gazeta të shkruajë se në kohën kur u hap dera e makinës, sikur u hap lumturia e vërtetë në fytyrat e njerëzve; dola në tribunë unë; gazeta të botojë edhe fotografi edhe lajm të madh se një program i ri u hap nga kjo tribunë. Mirëpo unë si një prej drejtuesve të gazetës (sikurse edhe e kishim bërë programin e gazetës që ajo të mos kthehej në një vegël të thjeshtë partiake), nuk mund ta lejoj këtë.

Arsyeja e vërtetë kjo është, Gazeta as do të ngrinte kulte, as do t’i bënte shërbimin ndonjërit, përveçse shërbimin ndaj lëvizjes për demokraci e ndaj shtypit të vërtetë demokratik. Po përse të mos thuhet kjo arsye hapur edhe nga drejtuesit e Partisë Demokratike. Kjo do t’i lehtësonte ata, por edhe mua. Sepse, në fund të fundit, është e vërtetë dhe e vërteta ndihmon e lehtëson. Ama, në qoftë se ata kanë të vërtetë tjetër, që nuk e thonë dhe e fshehin, qoftë edhe me mendimin për të më ruajtur mua, atëherë po ju them edhe sot që mundësisht ta thonë hapur, në faqet e gazetës, të buletinit, a të radios; por të vërtetën.

Flitet se linçi i organizuar kundër jush zgjati vetëm 3 orë. Si është kjo?

Po, vetëm tri orë. Dhe orët më të vështira të ditës. Që nga ora 15:00, tre e ditës pra. Po bëhesha gati të largohesha nga zyra, kur shoh që po vinte drejt derës një fare Napoleon Roshi. Pak si duke u përdredhur, si me fytyrë të thartuar, siç e bën shpesh kur fsheh diçka nën lëkurën e tij, me një zë si prej plake dhe më thotë: “Ja Frrok, ky është materiali që është bërë për analizën e Gazetës. Mbledhja bëhet sot në orën 6”.  Dhe bën të largohet. Unë u befasova: – çfarë analize? – i them. Mua s’më ka njoftuar njeri për këtë, as më ka marrë mendim njeri, as më ka ardhur njeri këtu për një mendim. Ç’është kjo?

A, unë nuk e di, e di Doktori këtë punë. Mua ç’më thua, a derëbardhë, – u përdrodh prapë Napoleoni.

Po, mbas tri orësh do të bëhet mbledhja? Unë nuk kam kohë ta lexoj këtë material, pale pastaj ta analizoj, ta diskutoj me shokët e redaksisë ose ta pranoj a ta kundërshtoj.

-Të drejtë ke Frroku, të drejtë por ja, doktori më tha, – lëpiu ca fjalë Napoleoni, fshiu dhe një herë djersët e u rrëshqit shkallëve.

Që pas këtij minute mbeten vetëm tri orë. Tri orët e lodhjes dhe të vapës. E hap atë material të shkruar nga vetë dora e Napoleonit në emër të një ekipi dhe bëj ta lexoj. Po ç’t’i lexoj? I zi komplet. Vetëm zi për gazetën. Nuk mund ta lexoja gjer në fund (po ta shtyjë kureshtja lexuesin, ndoshta ta botoj diku), e hodha në çantë dhe u nisa për në shtëpi… Në orën 6 filloi mbledhja. Kushedi se çfarë kishte ndodhur me ata gjatë këtyre tri orëve, por për mua çdo gjë tashmë ishte e qartë dhe e thjeshtë. Vërtet një linç, ndoshta i pari linç në këtë kohë që po e quajmë demokratike.

A ngjajnë spastrime të tilla me ata të kohës së Enverit?

Shumë udhëheqës të Partisë Demokratike në raportet me Enver Hoxhën që është diktatori më i egër, që ka njohur ky vend, qëkurse ka mbirë lisi i parë, sot qëndrojnë në raporte interesante.  Njihen fjalët, fjalimet, tubimet, deklaratat e tyre për të demaskuar diktatorin. Por sot, për mendimin tim, ata ndodhen në këtë pozicion me të: përfytyro Enver Hoxhën mbi një karrocë  që ecën ende rrugës së tij. Pikërisht në bri të karrocës së Enverit ecën karroca e këtyre udhëheqësve demokratë. Këta demokratë kanë hipur në këtë karrocë jo për të shoqëruar Enverin, por për ta pasur sa më afër që ta godasin me kamxhikët e tyre. Megjithatë, dashur pa dashur janë duke ecur fare pranë në të njëjtën rrugë, ndonëse në dy karroca të ndryshme, ndonëse të zemëruar e të rrahur me njeri-tjetrin. Vetëm kështu mund të konceptohet në mënyrën më reale raporti që kanë sot këta udhëheqës demokratë me Enver Hoxhën. Këto raporte do të kenë gjersa të dinë të ndahen në një kthesë rruge nga karroca e Enverit, pra gjersa të gjejnë rrugën e vërtetë të demokracisë, me metoda demokratike.

Sepse shpesh përdoren ato metoda të Enverit, ose paralele me metodat e Enverit. Merr dhe shiko metodën që u përdor ndaj meje: ishte një puç i vërtetë i stilit të Enverit ose edhe të Stalinit mund të thuash. Unë ndodhesha me një delegacion në Amerikë, kur këtu paska qenë pjekur çdo gjë. Sapo zbres në Shqipëri, diçka dëgjoj se është mbushur vendi me fjalën që “atë do ta heqim sa të vijë”.  Kjo është tamam si në kohën e Enverit që përpara se të kritikohej hapur e mandej t’i pritej koka njërit nga bashkëpunëtorët e Enverit, psikoza hapej me një si thashethem. Në numrin e parë të gazetës që do të nxirrja unë pas ardhjes nga Amerika, natën vjen Valiu në shtypshkronjë dhe vetëm sa më jep majat e gishtave. (Punëtorët thanë se “u zbut, mbasi të pa ty por përpara ulërinte: ku është ai, çfarë bëhet këtu?”). Pastaj thotë në formë urdhri që të hiqet ky shkrim e të vihet ky tjetri.

Ikjen e tij e kisha parë në teatralizimin e ndonjë sekretareje të parë vetëm pak kohë para se aty rreth e rrotull të fillonte stuhia e qarkullimit të kuadrit. Midis punëtorëve mbeti varur mendimi se “midis këtyre çdogjë paska marrë fund”. Veçse nuk folëm.  Pastaj lajmërimi i menjëhershëm për mbledhje, ai linçi prej tri orësh sikurse thamë.  Shumë i shëmtuar e i tupshëm. Por jo si i Enverit, se Enveri të njoftonte shumë kohë përpara, të vinte edhe njerëz që të të ruanin në kohën kur përgatiteshe etj. Më e turpshme dhe krejt prej puçi paska qenë mënyra e hartimit të raportit. Paska qenë ngarkuar një farë Napoleon Roshi për të bërë raportin si specialist që mund ta nxijë punën e gazetës. Ky Napoleoni që në atë mbledhje zuri një vend si në fund të sallës dhe herë më bënte mua shenjë që “ja këta s’e marrin vesh gazetën”), e herë u lëpihej të tjerëve. Rrinte si i bukuri shejtan, engjëll thoshe. Ky Napoleoni që erdhi e iu betua gazetarëve të RD se “ju betohem që nuk kam gisht në komplotin që i bënë Frrokut”. Mirëpo kur shkova, këto ditë rastësisht në zyrën ku kishte punuar ai, gjeta sa e sa fletë të shkruara prej tij ku ishte stërmunduar me ditë të tëra për të hartuar planin e për të bindur partinë se gazeta është e dobët, nuk është gazetë e partisë, ka dalë doret partisë etj., dhe kështu të bëhej ndryshimi në drejtimin e gazetës. Pra, ai të zinte vendin. Më kishte ardhur dhe një herë me copa letre nëpër duar sikur ishin vërejtje nga masat por unë meqë e njihja që kur si punonjës i gazetës “Bashkimi”, u solla urtë e i thashë: “mirë, lëri aty në tavolinë”. Se do të merresha vesh ndryshe. Ç’ishte ky që e bënte këtë as anëtar i komisionit drejtues të partisë, as anëtar i këshillit botues të gazetës, asgjë. E lëmë këtë Napoleonin, e kthehemi te puçi. I pastër puç, e kam thënë edhe aty. Mblidhet komisioni drejtues i partisë në orën 18.00 dhe thotë se analizojmë gazetën. U thanë fjalë për gazetën. Por jo për kryeredaktorin. Kur papritur më thonë: “dilni pak jashtë se ne kemi punë”.  Dola, të nesërmen në mëngjes ishte e diel, më thërret  kryetari i partisë dhe më thotë se vendosëm që të të lirojmë nga detyra, vendin tënd e zë Napoleoni. Si kështu? Unë jam vendosur si kryeredaktor me vendimin e këshillit drejtues të gazetës dhe ai këshill duhet të më lirojë,- i them.  Po kush e bën këtë punë, mua as mu dëgjua fjala për këtë, as u pyeta, as u pashë.  Kështu kemi vendosur ne, partia,- tha kryetari.

Këshilli botues as që dinte gjë se ç’po ndodhte. As iu kërkua mendim e as qëndrim.  As mua jo. As gazetarët nuk u pyetën e as u dëgjuan. Redaksia ishte zhvleftësuar plotësisht. Të nesërmen në mëngjes shkova në zyrë. Mendova se do të vinte dikush nga udhëheqësit e partisë, të bisedonte të paktën tani me redaksinë, të dëgjonte; mendova se me kryeredaktorin e ri (tani është në prag të pensionit) do të pinim një kafe, do të shkëmbenim ndonjë fjalë miqësisht. Por jo. Përpiqem të hap zyrën, por çelësi nuk punonte. Brenda në zyrë kishte hyrë kryeredaktori i sapoemëruar. Kishte ardhur që me natë, i kishte marrë çelësin punonjëses së shërbimit të redaksisë dhe ishte ulur në karrigen ku isha ulur unë.

-Po ti? – i them Napolonit.

-Ja, më thanë për kryeredaktor, por ti rri ca, lëre dhe çantën sa për sot.

-Mirë çantën, – i them, por redaksia do të mblidhet, do të njoftohet apo jo?

Andej i foli Arben Imami. Fjalët e Napolonit: “Mbledhim këta që ndodhen, o derëbardhë. Dy fjalë, dy fjalë”. Makina e Arbenit nuk u vonua. Arbeni tha se kishte ardhur vetëm për komunikim.

Pra, ja shefat e kuadrit, emërimet nga lart. Ju thatë për Enverin por ta merrte vesh Enveri se dikush i ka shkelur edhe kompetencat e organikave, namin e bënte. Njëri nga redaktorët u ngrit e tha se kjo i dukej e padrejtë, prandaj “kërkoj të mos punoj më në këtë redaksi”. Nuk kaluan vetëm dy orë dhe e thirrën këtë gazetar e i komunikuan: “pushohesh nga puna”.  Më duket se më pyetën për spastrimet e stilit enverist.

Partia juaj ju bëri akuza të rënda, bile ju akuzon për një injorim të çështjes së Kosovës. Çfarë mbrojtjeje keni për të paraqitur para prokurorëve publikë?

Kur kam lexuar në gazetë këtë formulim për problemin e Kosovës, kam provuar dy ndjenja njëra pas tjetrës; një herë m’u duk një shaka që mund ta ketë bërë Valiu kur ka formuluar atë paçavure në gazetë. Pastaj mora vesh se atë formulim e ka bërë Napoleoni, dhe, atëherë provova tmerr. Unë e injoroj Kosovën?! Dhe aq më keq që këtë e thotë një grek, Napoleon Roshi.  Nëse ka për të mbrojtur njeri çështjen kosovare këtë e bën së pari e mbi të gjithë shqiptari dhe shqiptarët.

Si mund të akuzojë një grek një shqiptar, përse nuk do Shqipërinë, pra Kosovën.  Dhe na vjen ky grek, i cili dikur ka mohuar edhe kombësinë e vet për t’iu servilosur regjimit të Enver Hoxhës, për të marrë në mbrojtje çështjen shqiptare të Kosovës.  Ky nuk është vetëm absurditet. Më duket më tej. Më kujtohet debati ca ditë më parë në Parlament e në shtyp për vërshimin e një klani grek në lëvizjen e sotme demokratike kombëtare shqiptare dhe kam për detyrë ta mbaj mend. Tani Shqipëria është si një lehonë dhe të tjerët e shohin shumë të favorshme që të fusin infeksionin e vet, të fusin edhe njerëz si Napoleoni që jo pa qëllim e nis me sulmin publik kundër një ose disa demokratëve e intelektualëve shqiptarë për t’i kundërvënë me kombin e tyre. Pas disa ditësh ky Napoleon shkruan në RD një shkrim ku u përgjërohet zotërinjve qeveritarë italianë: “mos i ktheni  djemtë shqiptarë në Atdheun e tyre”. Doemos e tha Koci Xoxe atëherë: “pse duhej të më dhimbseshin shqiptarët, unë s’jam shqiptar”. Vetë ardhjen e këtij farë Napoleoni në krye të shtypit të demokracisë e shoh shumë me dyshim, me dyshim të mëtejshëm, pikërisht për çështjen kombëtare.

Ndërsa po ta kishte formuluar Saliu këtë, do të më dukej vërtet një shaka e tij. Sepse ai e di sa i lidhur jam unë edhe personalisht me Kosovën. Ai e di se sa miq të përbashkët kemi në Kosovë, e kosovarë nëpër botë. Ai e di se nga i merrja dikur edhe fshehur gazetat e Kosovës për t’i lexuar me dashuri. Ai e di se sa herë jemi takuar për një kafe, për Kosovën kemi folur më shumë.

Ndërsa për atë që ka bërë gazeta për çështjen kosovare këtë e dinë të gjithë. Vetë emri i gazetës “Rilindja Demokratike”, u shkëput nga fjala e njërit prej intelektualëve të shquar shqiptarë nga Kosova, prof. Rexhep Qosja. Që në faqen e parë të numrit të parë të gazetës botohet shkrim nga Kosova. Që në kryeartikullin e parë, gazeta deklaron se i shërben e do t’i shërbejë zgjidhjes së çështjes së bashkimit e të pajtimit. Gazeta ka pasur shkrime e informacione nga intelektualët kosovarë, nga të tjerët për Kosovën etj.  Kosova në gazetë ka qenë ajo pjesë që hynte menjëherë sapo e shikonim se është duke ardhur.

Por në qoftë se me akuzën e injorimit të Kosovës në gazetë bashkohet jo Partia (se ndoshta e bëtë jo fort të qartë pyetjen), por Komisioni Drejtues i saj atëherë kjo të zgjon edhe një mendim tjetër: Unë si kryeredaktor akuzohem edhe për injorim të fshatit.  Kjo është tamam e stilit të vjetër. Sa herë çalonte puna në një sektor, Enver Hoxha do të bënte një kurban, do t’ia linte fajin atij dhe do të krijonte përshtypjen që çdo gjë u zgjidh me kaq.  Kur faji i vërtetë ndodhej në vijën e tij drejtuese e në dështimet e saj. Si mundet që një Parti t’ia kërkojë gazetës që t’i zgjidhë punën e fshatit? Më duket se RD-ja e mësoi keq udhëheqjen e partisë: i hapi rrugën, i tha herë pas here se si duhet ecur, cila është mirë e cila është keq. Tani kërkohet që gazeta të bëjë edhe mbjelljet e vjeshtës, se ne po rrimë në Tiranë.

Në vendet e vërteta demokratike gazetat e partive janë në opozitë me partitë. Në rastin tuaj konkret, gazeta “RD”a ka guxuar të kritikojë veprimet e këqija të PD?

Vetëm një ditë para se të dilte gazeta “Rilindja Demokratike”kam dhënë një intervistë në “Zërin e Amerikës”, ku kam thënë se gazeta do të kthehet ne oponencë të partisë së saj, që të pastrojë e të ndihmojë partinë dhe vetë demokracinë që  po përpiqemi të bëjmë. Ky ishte një nga synimet që kishim vënë në programin e gazetës. Një ditë pasi doli numri i parë i gazetës, qëlloi që erdhi këtu dhe më kërkoi në një takim gazetarja e njohur Elene Paukku, nënkryetare e Shoqatës Ndërkombëtare të Gazetarëve. Afërsisht këtë pyetje që më bëtë ju më bëri edhe ajo.  Dhe unë i dhashë përgjigjen që kisha dhënë edhe në intervistën e parë. Atëherë ajo m’u kthye e më tha: Nuk ke frikë se partia jote do të ta këpusë kokën? E bëri këtë pyetje e pastaj filloi ta zbutë: – Se kështu ka ndodhur midis partive të opozitës dhe gazetave të tyre në Lindje.

-Jo, i thashë, nuk kam frikë, sepse nuk jam vetëm unë që e bëj këtë. Ne jemi një këshill botues i gazetës, disa intelektualë që i kuptojnë mirë e bukur raportet parti-gazetë. I shpjegova se përse e kishim ngritur këshillin botues, pikërisht me qëllimin për të amortizuar goditjet e partisë ndaj gazetës drejtpërdrejt. Mirëpo partia gjeti rastin që këshilli botues u shpërndau ca nga punët qeveritare, ose s’e pati dhe aq vëmendjen dhe partia shkeli mbi të e bëri këtë që bëri.

Për funksionin e këshillit botues u pata folur edhe disa gazetarëve evropianolindorë, që erdhën këtu dhe e patën vlerësuar shumë këtë masë tonën duke më thënë se edhe ata kishin probleme me bajraktarizmin e partive të tyre. E shpjegova sa herë më ra rasti edhe në Perëndim, edhe me gazetarët perëndimorë që erdhën këtu, dhe shikoja që mbeteshin të menduar para kësaj praktike. I tregova edhe prof. Rexhep Qoses kur isha në Amerikë dhe ai më dëgjoi me shumë vëmendje e më pyeti disa herë si e kishim bërë ne. Ju duk e mrekullueshme ideja se si shtypi të mos shtypet nga partia, sikurse ishte dukur e mrekullueshme edhe vetë gazeta. Ndërsa për ta kritikuar drejtpërdrejt partinë, kjo na u duk shpejt dhe partia shumë njomëze. Ndoshta e thyenim me kritikat tona. Tani do të fillonim.

Ju, zoti Çupi, akuzoheni për devijim të rëndë ndaj linjës redaktoriale të gazetës RD, pastaj sikurse thamë më lart edhe për injorim të Kosovës. Pas këtyre akuzave krijohet një përshtypje sikur ju keni marrë një post akoma më të rëndësishëm. Pse ndodh kështu?

Përballë një të paqene qëndron vetëm një e paqenë, ose e kundërta. Sikurse nuk janë të vërteta akuzat që bëhen, s’është e vërtetë edhe që unë kam marrë poste. Jam gazetar i thjeshtë i “Rilindjes Demokratike”. Por këtë e bëjnë përsëri sipas ligjit të vjetër: të godasim e bëjnë sikur të japim poste. Dhe vërtet janë gati të më japin ndonjë post, për të thënë se ja s’kemi gjë me ty. Unë nuk dua poste. Më lini vetëm postin e gazetarit që e kam profesion dhe nuk dua asgjë. Madje kështu qemë betuar të gjithë kur themeluam Partinë Demokratike: nuk duam poste, të gjithë do të kthehemi shpejt në profesionet tona.

Jeni gazetar i persekutuar në kohën e Enverit. Keni ëndërruar fitoren e demokracisë. Po ju lutemi, na thoni ku janë shkaqet që shumë veta edhe të opozitës vazhdojnë me avaze të vjetra?

Kam shumë frikë nga kjo që thoni ju, se shumë veta që brohorasin për demokracinë në thelb janë bajraktarë, nopranë, harbutë, karrieristë e diktatorë. Shoh shumë të vërteta në këtë që thoni ju. Frikën e kam jo për vete, por më vjen tmerr për ata njerëz që janë me mijëra të cilët qenë gati të bëjnë sakrifica të mëdha, të japin djalin e vajzën, të sakrifikojnë jetën, vetëm që të fitojnë demokraci, sipas fjalës që thamë ne, demokratët. Çfarë t’i themi popullit ne po qe se dalim jo demokratë, por diktatorë. Jam i sigurtë se vetë populli do të kërkojë të ngjallet Enver Hoxha, dhe ky do të ishte fundi. Sikurse po kërkojnë këto ditë të vijë Leka Zogu në monarkinë e tij sepse ka rrjedhur mjaft besim edhe nga demokracia. Ku është burimi i kësaj, thua? Burimet janë te vetë Enveri e morali i tij dhe te personat, padyshim. Ka persona që e kanë përvetësuar aq mirë taktikën e Enverit sa nuk dalin dot prej tij. Nuk kanë faj, nuk dalin dot, përdorin të njëjtën metodë.

Ja, merr persekutimin tim të parë enverist e të dytë që shumë shokë kanë filluar ta quajnë neostalinist. Ka pika ngjasimi të mahnitshme. Atëherë më 1984 u dha urdhër nga lart (nga vetë Enveri thanë nën zë) që të merreshin masat më të rënda sepse shkrova të vërtetën në gazetë atëherë: “Nuk mund ta akuzoj më vetëm për artikullin sepse faktet janë të vërteta. Por e akuzojmë se ka diskredituar shtetin tonë”. Pastaj shpikën ca shpifje për biografinë. Pastaj thanë se nuk bëri mirë punën në prodhim. Lëshonin një degë, kapeshin në tjetrën.

Sot: një herë është gazeta e dobët. Mirëpo u tërhoqën shpejt se ndryshe mendonte lexuesi, se ndryshe kishte thënë Ismail Kadare e mendimtarë të tjerë të vërtetë. Pastaj shpikën titujt, kryeartikujt. Pastaj postin e rëndësishëm. Pastaj u shpikën ato që lexova në gazetë, të cilat nuk i kisha dëgjuar kurrë.  Pra e shikoni ngjasimin?! Edhe atëherë korrik ishte, data 12. Po afrohej mesnata kur bie telefoni në shtëpi. Kryeredaktori i atëhershëm i “Zërit të Popullit”(një gjysmë i çmendur sikurse njihet) kishte urdhëruar që të fillonte mbledhja e kolegjiumit për të më dënuar mua sipas porosisë nga lart. Në mes të natës ishin mbledhur urgjent njerëzit e kolegjiumit. Si hije i gjeta që rrinin rrëzë derës së kryeredaktorit. Sapo hyj në zyrën e kryeredaktorit, hyn aty djali i Enver Hoxhës, Sokoli, bashkë me të shoqen Lilianën. Të gjithë ngrinë nga… respekti. Ishte e qartë: kryeredaktori A.Xh. që i kishte miq të ngushtë si Lilianën edhe Sokolin i paska telefonuar në mes të natës që të vinin aty menjëherë për t’u thënë njerëzve: “Hë, më dilni dot kundër të mbroni Frrokun”. Pra unë do të isha kurbani në sy të trashëgimtarëve të Enverit. Po ata nuk mund të duronin mbledhje të gjatë dhe ikën. Iku edhe kryeredaktori me ta për një kafe te “Dajti”. Dënimi do të bëhej të nesërmen. Dëgjoja që në zyrën time binte shpesh telefoni. Me siguri ishin fëmijët që u tromaksën nga ajo ikje natën.

Kështu ika edhe kësaj here nga shtëpia. Ishte e shtunë mbrëma kur gjithë bota mblidhej në shtëpi. Aq më shumë që nuk isha çmallur ende me fëmijët që nga ditët e qëndrimit në Amerikë. Sa të vrejtura i pashë ato fytyra ato ditë! Saliut i dhembte dhëmballa, por iku e hoqi shpejt e shpejt dhe porositi që të na gjente aty. Sa më trishtojnë këto ngjasime. E vetmja frikë që kam, o popull i dashur.

A ju duket sikur ëndrrat tuaja për demokraci qenkan vështirë për t’u realizuar. 

E vështirë po, por jo e pamundur. Këtë e kam ditur gjithnjë. Një gjë do t’u thosha njerëzve që i falënderoj tek më dëgjojnë fjalën: të mos dëshpërohen e të mos tërhiqen nga puna demokratike kur dikush që thotë që është demokrat, bën veprime jo prej demokrati. Unë nuk ndiej asnjë inat me drejtuesit e Partisë Demokratike për këtë që bënë. Inati i keq është antidemokratik, inati i keq ta pret ëndrrën për demokraci. Jo pengesa tjetër, as diktatura, as plumbi, as shpifja. Vetëm vetja jote, brendavetja. Në të vërtetë, fyerjen më të rëndë e kam ndjerë kur një shoku im i redaksisë duke dashur të më vlerësojë, por në stilin skolaresk, tha se kam vetëm një vërejtje për Frrokun, se “është shumë demokrat…”. Te këta është duke vdekur ëndrra për demokraci.

Në një emision te RTV skandinav kam theksuar (M.Zeka) se në Serbi dhe Shqipëri nevojiten edhe 20 vjet kohë që njerëzit të mësohen për të diskutuar në mënyrë demokratike. Sa kam pasur të drejtë?

Një kohë të përcaktuar nuk mund të jap. Por në qoftë se caktojmë një kohë, kur të diskutojmë në mënyrë demokratike, këtu në Shqipëri, do të vijë më parë se në Jugosllavi. Duhet ta mëshirojmë popullin kosovar që ka mbi kokë vrastarët e Serbisë dhe duhet ta ndiejnë veten të lumtur me njëri-tjetrin, shqiptari me shqiptar, dhe të gjejmë një gjuhë për të folur demokratikisht. Kam shumë shpresa te brezi që po vjen, te mosha e djalit tim 15-vjeçar. A i keni vërejtur mirë? Kanë fytyrë të butë, vështrim të qartë, inat të përmbajtur, fjalor të pasur, nuk i durojnë rast e pa rast gishtat përpjetë. Këta janë shpresa. Pra më pak se 20 vjet.

Rexhep Qosja para shumë e shumë vitesh ka folur në “Anatominë e Kulturës” për dialog të kulturuar. Unë për vete tmerrohem kur shoh se si sillen disa deputetë në Parlament. A keni sjellje të tilla edhe nëpër redaksitë e gazetarëve? (M.Zeka)

Pjesa më e madhe e atyre që janë sot anëtarë të Parlamentit as që e kanë lexuar “Anatominë e Kulturës”. Ka hyrë ilegalisht në kufirin e Shqipërisë. Unë e kam lexuar fshehurazi. Por nuk është kjo kryesorja. Kryesorja është që sot populli është shumë më i qetë e më i kulturuar se vetë Parlamenti i tij. Për fat të mirë në popull ka qetësi e edukatë, ndërsa në Parlament të kundërtën. Tani ti themi Parlamentit kthehu e merr shembull nga populli. Por me siguri në zgjedhjet e ardhshme nuk do dalë më ky Parlament. Se populli do të jetë me sy më të hapët e do të votojë për deputetin e jo për partinë. Jo se sot nuk ka deputet që e meritojnë plotësisht të jenë. Por këta që janë me demokratët edhe punë kanë më shumë e nuk vijnë përditë në  Parlament. Ja për shembull atë që unë e vlerësoj më shumë dhe e kam shok e bashkëthemelues te gazetës demokratike, Preç Zogaj, e shoh që vjen rrallë. Sa për redaksinë e gazetës ka apo s’ka sjellje si në Parlament?

Ka sjellje të tilla qëkurse këtu erdhi si kryeredaktor një parlamentar që rri nga fundi i sallës e thotë shpesh “Zoti kryetar, Zoti kryetar”. Ky është Napoleon Roshi. Në Parlament rri urtë, por redaksinë e ka armiqësuar plotësisht. Më sabotoni thotë, më sabotoni. Tani gazetarët bëjnë një shaka të lezetshme, por shaka politike: “Me sa duket redaksia jonë do të gëzojë partinë me zbulimin e një grupi armiqësor”.

Shumë kolegë tuaj në redaksi e pritën me indinjatë largimin tuaj. Na thoni diçka më konkretisht për përkrahjen e tyre dhe a je larguar nga partia apo nga redaksia?

Largimin tim e bëri arbitrarisht partia, pa pyetur redaksinë, pa pyetur këshillin botues, pa bërë më përpara asnjë vërejtje për gazetën as për mua. Po të mos kishte ndodhur kështu, atëherë redaksia nuk do të ishte ashtu sikurse është sot: e indinjuar dhe e fyer shumë. Po të më pyesnin ndonjëherë ata të partisë, do t’ju lutesha vetëm për një gjë: mos e prishni atë redaksi, sepse është edhe redaksi gazetarësh të talentuar, edhe grumbullim njerëzish të mirë e demokratikë. Por kanë dërguar Napoleon Roshin që po ju thotë përditë: “e ke rrogën të prerë, gjeni punë tjetër, se nuk e keni të gjatë këtu”. Sa rëndë?

Kush vendos për kryeredaktorin, partia apo redaksia?

Kur ngritëm gazetën, kishim vendosur që kryeredaktorin ta ketë nën pushtet vetëm këshilli botues i redaksisë. Mirëpo tjetër gjë, krejt tjetër gjë ndodhi: për kryeredaktorin vendosi partia. Sa kohë që partia të bëjë si t’i dojë qejfi, sa kohë që vendimi i partisë të mos pyesë për normat e tjera, sa kohë që për gazetën e për letërsinë të vendosin njerëz e forume jashtëgazetareske e jashtëletrare, nuk kemi bërë gjë tjetër më shumë se sa në kohën e monizmit. Mendoj se këto fakte e shenja duhet tí diskutojë vetë Partia Demokratike, pra një diskutim në tërë partinë, se udhëheqja po anon nga monizmi. Kjo është fatkeqësi.

Napoleon Roshi thotë se është bërë kryeredaktor për kundër vullnetit të tij. Atëherë si ndodhi kjo?

E kam dëgjuar edhe unë këtë dhe nuk jam çuditur. Nuk çuditet askush që njeh Napoleon Roshin. Ju nuk e njihni?

Ky Napoleoni ka punuar në sektorin e jashtëm të gazetës “Bashkimi”. Edhe unë kam punuar në atë gazetë. Sa fraza ka thënë ai tërë jetën kundër imperializmit amerikan! Rrezik që edhe në mëngjes duke kërkuar kafenë të ketë thënë një herë: imperializmi amerikan. Mbaj mend kur ishte në gazetën “Bashkimi”dhe e kritikoi rëndë Enver Hoxha, pse ishte treguar më i tejshëm në idenë e Enverit se sa vetë Enveri. Ky Napoleoni kishte shkruar një artikull për Konferencën e Helsinkit,  me titull “Konferenca e Mossigurimit Europian”. E shante Helsinkin (që po i përshpirtet sot), sa e bënte fije-fije. Po shante rusët e shante  amerikanët. E thoshte se nga Helsinki i vjen e keqja botës.  E thoshte se të gjitha fajet në këtë rruzull i kanë amerikanët. Mirëpo aq pa logjikë i shante amerikanët sa ishte zemëruar edhe vetë Enveri.  E bubulliu ky: ç’është ky pseudogazetar që për të më bërë qejfin mua, na shkel vijën e partisë dhe na ngatërron edhe me kinezët të cilët më janë ankuar se i keni rënë si tepër në qafë amerikanëve”. U bë atëherë Napoleoni sa një grusht, sepse iu turr edhe Mehmet Shehu në një mbledhje. Mirëpo e mbrojti kryeredaktori. I shërbeu me aq zell politikës së atëhershme, sa e bënë drejtor të radios së jashtme. Drejtor ishte kur u krijuar Partia Demokratike, në kohën e  demonstratave, në kohët e tjera të vështira. Pasi kishin nxjerrë nja 7 a 8 numra gazete i kërkoj për të botuar një intervistë.

Jo, jo, jo – më thotë ashtu duke u shtrydhur. Mos më ngatërro me atë gazetë të lutem. Pastaj dërgoi një gazetar të sektorit të tij që të merrte disa shënime në zyrën time se kishte frikë. “Mos i merr padashur shtypshkronja e dalin në gazetë”. Pas ca ditësh përsëri tek po shkonim në një festë ne Ambasadën Franceze e takoj para Liceut dhe i kërkoj të më shkruajë një shkrim për minoritetin grek, si grek që është. Prapë lëvizi dorën e kokën njëherësh në atë ajër të ftohtë dimri, për të kundërshtuar kategorikisht. Nuk e di çfarë ndodhi në prag të zgjedhjeve. Më duket se nuk i plotësonin dot listat e deputetëve dhe vunë emrin e Napoleonit. Mirëpo, marrin vesh ata të Partisë Demokratike se Napoleoni kishte vënë kandidaturën edhe si deputet i Partisë Republikane. E telefonojnë në darkë dhe i thonë se duhet zgjidhur kjo gjë. Ai qe shumë i gatshëm: “mos kini merak”, e zgjidh unë këtë punë, unë bëhem i juaji që sonte, ata të republikës i dëboj. Mos kini merak, nesër në mëngjes, unë nuk jam kandidat i tyre por vetëm i juaji. Ju betohem! Ja kështu u bë edhe deputet. Të tjera i di vetë si i bën Napoleoni. Sikurse i bëri. Ngatërroi fijet për ta bërë kështu edhe Rilindjen, bëri edhe një raport që nxiu punën e të gjithëve dhe prit kur të na dalë heroi i demokracisë. Në qoftë se ky popull i ka sytë mbyllur. Por nuk e besoj. S’është  fjala për një Napoleon por për disa renegatë që kanë hyrë në lëvizje demokratike.

Ky farë Napoleoni, që në mbledhjen e datës 5 gusht në redaksi u distancua nga komisioni drejtues i partisë dhe shau sa mundi e shpalli dorëheqjen si kryeredaktor.

Kam dëgjuar se keni kërkuar punë në “Zërin e Popullit”. Cili është komenti juaj?

Nuk është e vërtetë.

Jeni nga të parët që e goditët regjimin e Enver Hoxhës. Me dëshirë dhe entuziazëm u futët në radhët e PD-së. Tani pas kaq muajsh mendoni se idealet tuaja u tradhtuan?

Kam vënë re një gjë shumë të mirë në Partinë Demokratike. Anëtarët e saj ngado që janë, kur kanë një shqetësim për Partinë, ose një problem tjetër që lidhet me partinë, marrin rrugën e vijnë deri te kryetari i partisë. E thonë hapur mendimin e tyre pa frikë. Kjo gjë nuk ka qenë bërë dot në Partinë e Punës, një komunist nuk mund të shkonte tek Enver Hoxha e t’i thoshte nuk e ke drejt këtë gjë. Megjithatë kjo është ende shumë pak. Mendoj se duhet të presim të shohim edhe kuvendet zgjedhore te Partisë në rrethe e në qendër. Mendoj se është mirë që Televizioni Shqiptar të gjejë aq hapësirë sa t’i transmetojë direkt.  Mendoj të presim sa të freskohet udhëheqja. Mendoj të presim sa të dalë shtypi i lirë shqiptar për të cilin kemi nisur të angazhohemi disa gazetarë e shkrimtarë e intelektualë të tjerë. Mendoj të durojmë sa secili të fitojë pak pavarësi ekonomike. Mendoj të presim sa të rriten edhe pak fëmijët se i kemi nëpër duar. Mendoj të presim e të punojmë sa të bashkohet kombi këndej e andej kufirit. Deri atëherë unë jam i bindur se nuk do të më humbasë as edhe një gram shpresë në demokracinë. Përkundrazi, përditë bëhem më optimist se populli ynë do ta arrijë demokracinë. Kjo nuk tradhtohet kurrë.

Sipas mendimit tonë shqiptarët kurrë në jetën e tyre nuk kanë qenë bolshevikë.  Bajraktarizmi shqiptar ka lindur para Marksit.  Çfarë kërdie po bën ky bajraktarizëm brenda partive politike dhe institucioneve të tjera?

Kërdia që mund të bëjë ky bajraktarizëm është ky: mund të bëjë të mundur që këtu të kërkohen mënyrat e jetesës arkaike. Mund të bëjë të mundur që populli të copëtohet më keq nëpër grupe e grupazhe. Mund të bëjë të mundur që mes parcelash të bajraktarëve të hyjë çdo e keqe për kombin. Mund të bëjë të mundur që të kërkohet përsëri diktatura e Enver Hoxhës. Edhe një gjë është më e mundshmja: që vetë partitë dhe së pari populli të kërkojë që ky bajraktarizëm të fshihet nga jeta e tij dhe atëherë ai del i fituar. Mbetëm duke thënë se gjërat i ka në dorë populli, kur udhëheqësit janë kanë marrë nga duart, por këtë e ka në dorë vetë populli.

Jam njohës i mirë i Lindjes. Në Bullgari, Rumani, Serbi dhe Shqipëri, kam përshtypjen se opozitar i vërtetë quhet vetëm ai që shan Presidentin. Rrallë ose hiç fare dëgjoj të sulmojnë programet politike të njëri-tjetrit. Ju lutem sa jam i saktë në pohimet e mia?

Mbi të gjitha nuk duroj dot kur shahet në Gazetë. Ç’është kjo punë? Por unë mendoj se kjo kohë për ne shqiptarët do të kalojë shpejt. Madje do të kisha dëshirë që të ishim aq të qetë e të kompletuar sa të prisnim gjersa këta që shajnë të lodheshin. Pastaj t’u thoshim: keni më, se duam të fillojmë të ndërtojmë rendin demokratik.

Sipas jush, nëse vetes i japim të drejtën e rinovimit a duhet që këtë të drejtë ta ketë edhe Presidenti Ramiz Alia?

E drejta e rinovimit nuk i mohohet askujt. Madje as në çaste kritike ose në çaste fatlume do të thosha, se këtë e ka jo vetëm të drejtë, por edhe detyrë kushdo, qoftë edhe sikur dy ditë të ketë në karrierën politike ose edhe dy ditë t’i kenë mbetur këtu. Por ama edhe Presidenti kur të rinovohet, me këtë nuk ka të drejtë të thotë se unë nuk jam ai që isha, nuk ka të drejtë të thotë se unë nuk isha ai që isha.

Kë do të propozoje ti për President aktualisht?

Ai që mendoj unë si President aktualisht është një njeri i zakonshëm. Shëtit me ne e punon me ne së bashku. Ka të njëjtat halle në familje. Na imponohet vetëm me urtësinë, me ndershmërinë dhe me kulturën e tij. E do shumë njeriun. Respekton sinqerisht kombin. Nuk ka komplekse nga e kaluara dhe nuk mban anën e asnjë Partie. Ka një fytyrë të butë e vështrim të ëmbël. Çdo gjë e bën se e ndjen se duhet bërë dhe e kupton ashtu.  Ditën që do të zgjidhet President, ai nuk do t’i përkasë më vetes. Ditën që do ta bëjmë President, do të fillojë të ndihet realisht në jetën politike dhe ekonomike të vendit. Do t’i kushtohet vetëm punës orë e çast. Dhe njerëzit e partisë politike do t’i kushtohen porosisë së tij, udhës së tij për ta mëkëmbur vendin. Ai është përsëri po aq njerëzor dhe po aq si ne, sa ç’është edhe sot.  Këtë njeri unë e njoh. Është në popullin shqiptar. Të gjithë e njohin këtë njeri dhe e duan besoj. Prandaj këtë të kemi President.

Faleminderit

SHKARKO APP