Ja kënga që Gjergj Luca i ka dedikuar Giorgia Melonit dhe popullit italian, si urim për Krishtlindje
Biznesmeni, Gjergj Luca ka zgjedhur një mënyrë unike dhe siç di vetëm ai, për të uruar Krishtlindjet dhe për të shprehur mirënjohjen ndaj popullit italian. Një këngë dedikuar kryeministres italiane, Giorgia Meloni, një himn i kalvarit të viteve të vështira të eksodit biblik të shqiptarëve drejt Italisë.
Në këngë theksohen marrëdhëniet e mira mes dy popujve. Ndërsa, vetë biznesmeni Luca shkruan për lidhjet historike mes dy popujve dhe rolin e Italisë në momentet më të vështira për shqiptarët, si pritja gjatë eksodit masiv të vitit 1991.
“Në këtë prag Krishtlindjeje urimi më i mirë i familjes Luca dhe familjes së madhe Rozafa për popullin vëlla italian, vjen me një këngë të ndjerë në respekt të asaj çka Italia ka bërë për ne shqiptarët 500 vjet më parë me mikpritjen e arbëreshëve dhe 467 vjet më pas me eksodin e madh të vitit 1991. Falënderimi është pak, dashuria është shumë!”
Duke iu drejtuar Giorgia Melonit, ai thekson: “Ne jemi dy brigje, në të njëjtin det. Dikur Italinë si dritare e shihnim, kur dolëm një ditë nga ferri, na pritët krahë hapur.”
Kjo këngë është një urim i veçantë që kujton lidhjet e forta historike që bashkojnë dy popujt dhe një dritë në kujtesë, një dritë që na tregon rrugën e ikjes nga ferri komunist dhe gjetjen te populli fqinj, një pritje të përzemërt.
Kujtojmë, që Luca ka hapur në Shëngjin një lokal të veçantë dedikuar kryeministres italiane Giorgia Meloni, një risi e cila u bë subjekt i trajtimeve në mediat botërore.
Gjergj Luca, ka zgjedhur Krishtlindjen për të përcjellë përmes një klipi, mesazhin e mirënjohjes për Giorgia Meloni, dhe popullin italian, për mikpritjen e mijëra shqiptarëve, të cilët gjetën në Itali atdheun e dytë të tyre dhe te populli italian gjetën ndihmë dhe mbështetje, mundësi dhe shanse, shpresë dhe besim.
Klipi e përgatitur si një kartolinë urimi, tregon ditët e vështira, hapat nëpër të cilën rendi dhe u formësua në një dimension të ri miqësia vëllazërore e popullit shqiptar me atë italian. Atëherë ishte kohë e ikjes, për të gjetur tokën e premtuar në Italinë fqinje, për të gjetur të ardhmen, atë që sot është shndërruar në një garanci progresi dhe zhvillimi.
AV