Historia e KOHA JONE/Ja se çfarë kanë shkruar pas fitores së PD me 22 mars 1992 gazetarët Frrok Çupi, Blendi Fevziu dhe Nikoll Lesi
Ja se çfarë kanë shkruar pas fitores së PD me 22 mars 1992 gazetarët Frrok Çupi, Blendi Fevziu dhe Nikoll Lesi
DEMOKRACIA fitoi. Si do të veprojmë me fitoren?
Botuar me 28 mars 1992
Para Qeverisë së Partisë Demokratike shtrohen këto detyra urgjente:
1-Vendosja e qetësisë publike dhe e rendit
2-Emigracioni ekonomik i menjëhershëm
3- Tërheqja e investimeve të huaja
Tashmë demokracia fitoi të drejtën legjitime të jetë e pranishme në çdo lagje, në çdo fshat, te secili, tek i humburi në zgjedhje si partiak, si dhe tek i fituari. Demokracia është e të gjithëve. Askujt nuk i njihet privilegji. Demokracia ishte në shpirtin e popullit. Po kush e zgjoi atë në heshtjen e gjatë të natës komuniste? Rikthejuni DEMOSTRATAVE të dhjetorit të vitit 90?
1-Vendosja e qetësisë publike dhe e rendit
Nuk është kaq e lehtë sa ç’thuhet në një rresht gazete vendosja e qetësisë. Nuk është e lehtë të vendosësh ligjin mbi hajdutin dhe të pamoralshmin, nuk është e lehtë të zmbrapsësh errësirën. Porse kjo duhet bërë: qetësia publike! Që njerëzit të mendojnë e të ecin lirshëm, që njeriu të ecë lirisht në rrugën e dijes, që fëmijët të mos struken qosheve, duke parë rrahje në mes të sheshit të “trimave”, të cilët nxjerrin thikat dhe pistoletat si në filmat e mbrëmjeve të vona të TV Beogradit. Ndaj Qeveria e re, pikësëpari, të jetë e pamëshirshme me prishësit e qetësisë. E në qoftë se i thyhet zemra para vagabondëve, atëherë të mos e mendojë jetën të gjatë. Nuk është diktaturë e re vendosja e ligjit demokratik. Nuk është diktaturë e re zbatimi i tij, qoftë edhe me rrasje brenda në burg, të atyre që s’duan rregull por shkatërrim. Mjaft më me djegie! Mjaft më me ankth shpirtëror! Mjaft më me vrasje në mes të rrugës!
PD do të dijë ta vendosë qetësinë.
Në rastet e kthesave rrënjësore, në të mirë të popullit, le të jetë e rreptë Qeveria! Opozita, mundësisht të mos tregohet e pandershme vetëm e vetëm për hir të interesave partiake. Opozita të jetë mbështetëse e PD në këtë pikë. Njerëzit janë mërzitur. Njerëzit duan qetësinë, por duan edhe …
2- Punë dhe emigracion
Por puna kërkon lëndë të para. Lëndët e para duan ndihmën e botës. Bota nuk vjen brenda ditës. Mos ia kërkoni PD brenda ditës të gjitha, NJERËZ! Qeveria e re të ngulmojë për fillimin e emigracionit të rregullt dhe masiv. Në këto kohë të turbullta dhe të varfërisë së gjithë pushtetshme një rrugëzgjidhje është pikërisht: EMIGRACIONI. E dhimbshme, por një ndër rrugët e vetme të shpëtimit.
3- Tërheqja e investimeve të huaja
Tashmë çdo gjë është e hapur për botën. Por bota pret miratimin e shpejtë të të gjitha ligjeve. Ajo vjen, por edhe ne duhet të dimë ta presim. Pritja më fisnike mbetet: MIRATIMI i ligjeve. E këtë e bën Parlamenti i vërtetë demokratik, ky i pas zgjedhjeve te 22 marsit, paçka se me mazhorancë tepër të theksuar porse në vetvete demokratike. Duke ju dashur të mirën, o njerëz të mërzitur nga diktatura. Mos i kërkoni të gjitha në një ditë, as në tre muaj, as në gjashtë muaj, por nga pak e përditë. Është koha për punë dhe qetësi. Ndryshe do të themi me njëri-tjetrin: Nuk ishin asgjë djegiet e para 22 marsit, kundrejt këtyre…! Besojini VOTËS tuaj të 22 marsit, disa muaj. Nëse opozita e paszgjedhjeve do të tregohet e pandershme, si në fushatën elektorale mos u besoni GREVAVE dhe ULTIMATUMEVE të nxitura prej saj. Megjithëse, opozita, me sa duket ka të tjera halle: spastrimi i radhëve të saj nga enveristët dhe ekstremistët, ashtu siç duhet të ketë punë PD me rrymën e karrieristëve dhe spekulantëve të saj./Nikoll Lesi/
4 prill 1992
Frrok Çupi: Tani është koha të kthehemi në shtëpi
Mbaroi dhe kjo punë shumë e madhe që kishim nisur: puna trazuese për të fituar demokracinë. U bë një kohë e gjatë rreth një vit e gjysmë që bëmë e çfarë nuk bëmë: dolëm në rrugë, brohoritëm, themeluam parti, gazeta, përmbysëm monumente, qeveri, brohoritëm për përmbysje të komunizmit, bëmë paqe, bëmë luftë, modeluam fraza, bëmë edhe gabime, entuziazmuam të tjerët e veten. Dhe përfundimisht, arritëm këtu, arritëm tek një fitore shumë e madhe: njerëzit e Shqipërisë e votuan demokratikisht, mëvetësisht demokracinë, pluralizmin, partinë demokratike. Bëmë edhe festën. Mbaroi kjo punë e madhe. Tani çfarë të bëjmë?
Tani, pikërisht tani, kemi shumë çfarë të bëjmë. Tani duhet të kthehemi në shtëpi. Kjo është më e shumta që duhet të bëjmë.
Duhet të kthehemi në shtëpi. Duhet të kthehemi për të gjetur ngrohtësinë dhe butësinë e shtëpisë. Shtëpia me të vërtetë të zbut, të njerëzor më shumë se çdo gjë. Ne, veçanërisht ne, dhe në këto situata kemi nevojë për një zbutje të vërtetë. Të kthehemi te fëmijët. Të kthehemi te prindërit. T’i kthehemi vetvetes.
Si mund t’i kthehemi shtëpisë e vetes? Shtëpia dhe vetja na duhen të mëkëmbur, na duhen të bukur. Atëherë t’i bëjmë kështu, t’u kthehemi me duar plot. Atëherë, pra, për t’u kthyer me duar plot, na duhet që të vijmë në shtëpi nga puna. Duhet pra të shkojmë në punë sepse pa e bërë këtë, ende nuk e kemi fituar lirinë. Liria politike që fituam nuk është liri e vërtetë pa fituar edhe lirinë ekonomike. Si mund t’i kthehemi shtëpisë e vetes? Duke u kthyer nga rruga. Jo më në rrugë. Rruga nuk jep bereqet. Rruga nuk të çon tek e ardhmja. Ka një paradoks këtu: drejt të ardhmes shkohet rrugës, por duket qëndruar në rrugë. Rruga nuk është liri, rruga nuk është institucion. Ndërsa liria e fituar tani duhet të institucionalizohet. Kjo nuk mund të bëhet pa u kthyer në shtëpi.
Në shtëpi duhet të kthehemi pikërisht për ta gëzuar atë që fituam, duhet të kthehemi të gëzojmë veten, të bëhemi fëmijë, të bëhemi baballarë, të përkëdhelim gratë, të bëhemi edhe të ashpër, të bëhemi djem e vajza nënash. Të na dojë shtëpia, të ndriten muret, të na vijnë plot miq e shokë, të këmbejmë rrugët me ta. Se ndryshe çfarë na ndaka nga ata që u kthyen nga rrugët ne 45. Edhe ata djem e vajza nënash ishin, plot mall për shtëpinë, plot ëndrra për të dashurit, plot vjersha fletoreve. Na ndan vetëm ideologjia e moskthimit në shtëpi. Që në çastet e para ideologjia komuniste tha se ne i përkasim të tërës, i përkasim komunizmit, nuk i përkasim vetes. Ata thanë se komunisti i mirë nuk është ai që përkëdhel fëmijën dhe gruan, ai që pret të dashurën në park, por është ai që në mes të natës, lë krevatin e ngrohtë, braktis shtëpinë e nënës dhe i bashkohet së përgjithshmes, revolucionit. I nderuar, për atë ideologji ishte ai që rrinte larg shtëpisë ai që “varroste birin por nuk e derdhte një lot për të”, ai që lë fëmijën tek digjet në ethe dhe ikën për të kryer detyrën e partisë. Ai që mendonte të bënte një jetë të rehatshme e komode shpallej borgjez e gati armik. Nderi iu dha sakrificës. Sakrificë për gati 50 vjet. Duhet të jetë një brez e ca që e kaloi jetën në sakrificë… Tashmë duhet të kthehemi nga rruga, nga sakrificat dhe t’u drejtohemi shtëpisë, punëve.
E përse të mos kthehemi në shtëpi!? Vetëm në qoftë se nuk kuptojmë se cili është bolshevizmi dhe cila është jeta moderne jashtë bolshevizmit, vetëm atëherë mund të mos e kuptojmë këtë e mund të na pengojë diçka. Sot për sot, vërtet diçka na pengon, diçka nga bolshevizmi. Bolshevizmi na mësoi me jetën kolektive dhe na edukoi me psikozën e shumicës. Tani ne, secili prej nesh, duhet të ndahet nga rruga, të drejtohet për në shtëpi. Aty presin punët dhe dëshirat personale, prirjet, ofertat, leverditë. Bolshevizmi na edukoi me revolucionin e pandërprerë. Revolucionet që kanë aq shumë vlerë për të përmbysur një sistem shoqëror të diskredituar, pikërisht këto revolucione të çmuara janë aq të dëmshme në qoftë se nuk ndërpriten sa më shpejt. Sa më shpejt të ndërpritet revolucioni aq më i mirë është për njeriun. Tani për ne shqiptarët, fatlumësisht, revolucioni mbaroi. Tani në vend të revolucionit është jeta jonë “e vogël” por gjëja më e mirë në botë, jeta jonë. Bolshevizmi na pat mësuar keq: të mos dimë se sa zgjat entuziazmi e sa zgjat dhimbja njerëzore, ç’fillim e ç’fund kanë festimet e puna. Ndërsa tani le të fillojmë të mësojmë, le të fillojmë duke u kthyer në shtëpi. E lehtë për t’u kthyer në shtëpi nuk është në radhë të parë për heronjtë, për ata që qëndruan në krye të lëvizjes masive për demokraci, për ata që dolën në tribuna, për ata që folën me megafon, për ata që u mbajtën në krah në grumbuj e grumbuj njerëzish. Nuk është e lehtë sepse ju duket një vogëlsirë që të kthehen tek fëmija në shtëpi, tek nëna plakë që s’ka fjalor politik, te enët e palara në kuzhinë, te gjella e drekës që pret të ndahet. Sigurisht ata meritojnë lavde të mëdha. Por jo më tej lavdet, sepse atëherë ne do të bëheshim bashkëfajtorë me ta, do t’i nxisnim të qëndronin në rrugë e në “qiell”dhe do t’i humbisnin nga vetja jonë. Ose do të ndodhte më e keqja: ata, udhëheqësit e heronjtë do të na tërhiqnin në jetën euforike, në jetën jo reale, në jetën jashtë nesh. Është sëmundje shume e keqe sëmundja e udhëheqësve. Prandaj sa më shpejt të kthehemi në shtëpi. Tani është koha./Frrok Çupi/
11 prill 1992
Blendi Fevziu: Nën pyetjet fëmijërore të gazetarëve shtetërorë mori fund de juro komunizmi
Mëngjesin e 3 prillit, nën vështrimet e çmeritura të katër gazetarëve të vendosur në një tavolinë komedianësh, me zë mortor, Presidenti Alia deklaroi dorëheqjen. Më në fund, pas 48 vjetësh hierarkie partiake dhe shtetërore, kreu aktin politik me të drejtë.
Dy orë e gjysmë përpara mbledhjes së këshillit kombëtar të PD, i cili do të vendoste të ardhmen e tij, ai deklaroi se largohej nga posti i Presidentit, i nisur nga e mira e popullit. Pikërisht nga ajo e mirë që e kishte bërë një vit më parë të pranonte detyrën e ofruar nga PPSH. Nën pyetjet fëmijërore të gazetarëve shtetërorë mori fund de juro komunizmi në Shqipëri. E gjitha kjo s’ishte tjetër veçse rrjedhim logjik i tribunave elektorale, i brohoritjeve të mijëra vetëve dhe i verdiktit popullor të 22 marsit. Simboli i fundit i komunizmit shqiptar, pjellë e një karriere të gjatë politike, ishte njëherazi edhe një nga personifikimet e dyfytyrësisë politike shqiptare këtë gjysmë shekulli. Dinak, egoist, me një butësi prej femre ai ishte gati të nxirrte çdo moment rreziku dhëmbët e hekurt të mprehur në ofiçinat bolshevike: i ndodhur midis drejtuesve të rinisë partizane dhe më pas të formacioneve luftarake të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, ai diti që midis përplasjes se klaneve kryesore të mbijetonte. Duke u gjendur gjithmonë si hije e më të fortit, pa ngjallur xhelozinë e atij arriti jo vetëm të mbijetonte, por edhe të ngjiste shkallët e hierarkisë partiake komuniste. Gjithmonë sipas motos “për të mirën e popullit” dirigjoi liberalizimet e 73 dhe po për këtë të mirë të të njëjtit popull mori pjesë në dënimin dhe persekutimin e bashkëpunëtorëve dhe miqve të tij më vonë; për të mirën e popullit rrëshqiti në përplasjen midis klaneve të Hoxhës dhe Shehut duke përfituar prej saj postin e Kryetarit të Kuvendit Popullor dhe më pas atë të Sekretarit të Parës të KQ dhe PPSH; për të mirën e popullit deklaroi rrugën e vazhdimësisë dhe shkatërroi perspektivën fatlume të marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, luajti rolin e akrobatit në marrëdhëniet diplomatike me kufomat komuniste dhe deklaroi formulën më paradoksale në historinë e Shqipërisë:
Ne nuk jemi as lindje as perëndim, ne as hapemi as mbyllemi
Me një gjakftohtësi hoqi trajtimin e arratisjes si tradhti ndaj Atdheut dhe njëherazi mbushi klonet e kufirit me kufoma: deklaroi se në Shqipëri nuk do të kishte kurrë pluralizëm politik dhe vetëm një muaj më vonë pas protestave të studentëve, mori pozën e dështuar të nismëtarit të pluralizmit; udhëhoqi PPSH-në drejt zgjedhjeve të 31 marsit dhe pas humbjes personale u ul në postin e Presidentit. Për hir të tij shkatërroi PPSH, dënoi stafin e afërt të bllokmenëve (midis të cilëve edhe Nexhmije Hoxhën), për të arritur deri aty te dy gishtat përpjetë të demokratit, pikërisht ato dy gishta, për të cilat më 11 Dhjetor 1990 u kishte thënë studentëve: po nuk i ulët poshtë do t’jua presim. Është normale që presidentët të veprojnë në të mirën e popullit që të hedhin e të presin deklarata, të nxjerrin dekrete dhe të marrin vendime të rëndësishme, por roli i tepruar i ekuilibristit mund t’i bëjë të humbin atë që është më e nevojshme, përkrahjen e dyanshme. Ishin pikërisht xhonglimet politike që e zhvleftësuan Presidentin Alia në sytë e njerëzve, që ia ngarkuan më tepër ndërgjegjen mëkatare të së shkuarës, që e kthyen në personazhin kryesor të karikaturistëve, humoristëve dhe bufonadave të ditës. Sidoqoftë Ramiz Alia nuk është më President i Shqipërisë. Bashkë me largimin e figurës së tij misterioze nga skena politike do të largohen edhe fantazmat e burgjeve, ekzekutimeve, diktaturës dhe mendimit të mbyllur. Më 3 prill, ora 10.30 minuta komunizmi u largua përfundimisht nga Shqipëria, ashtu siç kishte ardhur 48 vjet më parë më 29 nëntor 1944 me të njëjtën parullë: PËR TË MIRËN E POPULLIT./Blendi Fevziu/