Ja se ç’shkroi Armand Shkullaku me 27 janar 1993: A ka bashkim pa ndryshim kufijsh?

Nga Armand Shkullaku-

Aktualisht i vetmi faktor që do të kërkonte një implikim të Shqipërisë në gjendjen e tensionuar ballkanike, është faktori kosovar.  Kjo ka bërë që shumë njerëz të jenë të interesuar rreth ngjarjeve në ish-Jugosllavi si dhe ndaj politikës që do të ndjekë shteti ynë. Por deri më sot askush nuk ka bërë ndonjë sqarim publik të qartë lidhur me qëndrimin e Shqipërisë ndaj problemit të Kosovës. I vetmi slogan që është dëgjuar rëndom këto kohë është se pala jonë nuk është për ndryshim kufijsh dhe kërkon respektimin e të drejtave njerëzore në Kosovë. Në përgjigje të kësaj lind një pyetje tjetër. A e dëshirojnë udhëheqësit e sotëm në Shqipëri, Bashkimin Kombëtar? Ku qëndron dallimi midis këtij bashkimi dhe ndryshimit të kufijve? Natyrisht që ndonjë ndryshim thelbësor nuk ka. Dhe duke pasur parasysh se udhëheqësit e sotëm janë përfaqësues të PD çështja bëhet më e ndërlikuar. PD ishte pikërisht ajo parti që në fillimet e saj, duke demaskuar PKSH e Enver Hoxhën, si tradhtar të çështjes kombëtare e që shitën Kosovën për interesat e tyre politike, vuri në pikën e parë të programit të saj bashkimin kombëtar. Sot kur PD është në pushtet, nuk po ka asnjë zgjidhje konkrete, të afërt apo të largët rreth këtij bashkimi. Nuk mund të gjykojë, saktësisht nëse një bashkim i mundshëm me Kosovën do të ishte i dobishëm apo i dëmshëm për Shqipërinë. Por mendoj se do të ishte krejt normale që me rëndësi të madh një opinion i ndershëm e mbi të gjitha i saktë i Presidentit Berisha pikërisht në lidhje me Bashkimin Kombëtar. Është tamam mungesa e një informimi preciz zyrtar si dhe mjaft  të kohëve të fundit që na bëjnë të mendojmë se krerët e shtetit shqiptar nuk janë të interesuar për këtë bashkim me Kosovën.  Përpara ardhjes në pushtet PD bëri një propagandë të madhe rreth Kosovës, organizoi manifestime ku nëpër pankarta shkruhej “Kosova është Shqipëri”. Ndërsa sot kudo deklarohet se Shqipëria nuk është për ndryshim kufijsh. Por a janë kufijtë ekzistues kufijtë e vërtetë dhe të merituar të Shqipërisë? Serbët e konsiderojnë nga ana e tyre Kosovën si zemrën e Serbisë. Mos vallë pritet që një ditë krejt papritur ata të japin leje që Kosova të bashkohet me Shqipërinë? Duket jo normale që Shqipëria për një padrejtësi të pashembullt historike që i është bërë, jo vetëm nuk ngre zërin por qëndron në pozita inferioriteti. A e konsideron Presidenti Berisha, Kosovën Shqipëri? Në rast se po a ka ndonjë zgjidhje konkrete aktualisht kur kriza jugosllave ka kohë që ka arritur kulmin? Në të njëjtën kohë edhe lideri kosovar, kryetari i LDK, Z. Rugova deklaron se nuk ka ardhur koha për një bashkim të mundshëm. Vetëm se duhet pasur parasysh se duke thënë që nuk ka ardhur koha ka shumë mundësi që momenti i pritur aq gjatë, në mos ka kaluar,  të kalojë pa u vënë re. Atëherë do të na duhej të prisnim mbase një fundshekull të ri. Zgjidhja përfundimtare e krizës në ish Jugosllavi dhe mbase krijimi i një stabiliteti në këtë Rajon do e vështirësonte zgjidhjen e problemit tonë nacional. Bota nuk do të lejonte krijimin e situatave të reja tensionuese. Nuk mund të paragjykojmë politikën e ndjekur nga Rugova, por fakti është se ajo nuk po i jep frytet e saj. Kohë më parë Presidenti Rugova është shprehur për bashkim kombëtar, ndërsa pas zgjedhjeve në Kosovë nuk po tregohet aq entuziast. Së fundi, sulmi absurd që ju bë njërës prej figurave më të shquara të kulturës sonë, prof. Rexhep Qoses, ngjall mjaft dyshime. Qosja është një ndër ata persona që është shprehur për një zgjidhje më të shpejtë e më konkrete lidhur me problemin tonë kombëtar. Le të shpresojmë se nuk qe ky shkaku që ai u detyrua të flinte në një nga hotelet ordinere të Tiranës. Natyrisht që për një shtet situata të tilla nuk janë tepër serioze dhe askush nuk mund të thotë se një bashkim me Kosovën do të ketë këtë apo atë pasojë. Por një sqarim i detajuar i opinionit tonë në këtë kohë të trazuar vetëm të mira do të sillte./Armand Shkullaku, 27 Janar 1993/

SHKARKO APP