Ja se ç’shkruante Ben Blushi në KOHA JONE me 28 dhjetor 1994: Maqedonia, muri që u ngrit dhe që mund të bjerë nga shqiptarët

(Botuar me 28 Dhjetor 1994 në KOHA JONE)
Nga Ben Blushi-

Shkupi kërkon t’i përdorë dhe jo t’i ketë aleatë shqiptarët. Shqipëria duhet të prishë dy shtete në qoftë se do të jetë Shqipëri
Kur dy vjet më parë ish Republika Jugosllave e Maqedonisë vendosi të bëhej shtet i pavarur u duk se në Ballkanin e dominuar nga luftërat për territore nuk kishte më hapësirë për krijimin e territoreve të tjera. Maqedonia tentoi të institucionalizonte territorin në kohën kur shtete shumë më të konsoliduara po humbnin territorin. Megjithatë, tashmë pas dy vitesh, shteti maqedon i ka shpëtuar dilemës së ekzistencës. Duke marrë territorin nga Jugosllavia, gjuhën nga Bullgaria, emrin nga Greqia dhe popullatë nga Shqipëria shteti i sapoformuar imitoi lulen që kafshon rrënjët e veta. Nën mbulesën e kaskave blu të OKB, Maqedonia filloi të sfidonte gjithë fqinjët e vet, të cilëve u kishte kërcyer në shpinë. Sepse megjithëse gjeografikisht Maqedonia është kërthizë e Ballkanit, politikisht ajo është një çiban për të gjithë fqinjët. Krijimi i shtetit maqedon u lehtësua nga të paktën tre faktorë të jashtëm. Së pari, fronti i hapur në Bosnje e detyroi Beogradin të zgjidhte nga zinxhirët jugosllav Maqedoninë. Dhe lëshimi që bëri në Maqedoni, Beogradit duket se po i shpërblehet në Bosnje. Dy faktorët e tjerë që jo vetëm se penguan por e ndihmuan mbrojtjen e Maqedonisë, ishin ndërrimet e sistemeve në Shqipëri dhe Bullgari. Në të dy këto vende platformat politike dhe rrjedhimisht ato nacionale u zëvendësuan. Demokratët që erdhën në pushtet, si në Shqipëri edhe në Bullgari, bënë lëshime në drejtim të kauzave nacionale për hir të ekuilibrit politik brenda vendit. Demokratët, të mbështetur totalisht te ndihma e Evropës dhe e Amerikës ofruan koncesione politike. Demokratët bullgarë dhanë garanci për minoritetin turk atje dhe për Maqedoninë, ndërsa ata shqiptarë për popullsinë shqiptare në Kosovë e Maqedoni. Sulmet e Greqisë për shkak të emrit dhe simboleve nuk ishin të mjafta për të penguar krijimin e shtetit maqedon. Gjatë këtyre dy viteve shumë politikanë në Ballkan duhet të kenë pyetur veten sepse duhet të ekzistojë Maqedonia. Një pyetje e tillë duhet të ketë iniciuar edhe propozimin për një takim mes Micotaqis, Millosheviç dhe Zhelev për fatin e Maqedonisë. Ky takim nuk u mbajt kurrë sepse Zhelev kundërshtoi të merrte pjesë. Mospjesëmarrja ishte sigurisht një deklarim i heshtur i Bullgarisë se Maqedonia duhet të ekzistonte. Normalisht edhe administrata shqiptare duhet të ketë pyetur veten nëse Maqedonia duhet të ekzistojë apo jo. Dhe këto dy vjet bashkekzistencë me Maqedoninë kanë treguar se përgjigja shqiptare ishte një Po e madhe. Shqipëria, pas Bullgarisë ishte vendi i parë që njohu Republikën e Shkupit. Kur Greqia bllokoi portin e Selanikut, Shqipëria ofroi Portin e Durrësit. Së fundi, Shqipëria hoqi veton për pranimin e Shkupit në KSBE, akti i cili përfundimisht institucionalizoi kufijtë e Maqedonisë. Të gjitha këto lëvizje Tirana ka thënë se i ka bërë për hir të shqiptarëve të Maqedonisë duke pritur ndryshimin e kursit maqedon ndaj shqiptarëve atje. Por deri tani Maqedonia ka dëshmuar se jo vetëm nuk ka ndërmend të lëshojë pe për shqiptarët, por përkundrazi ka ndërmend t’i këpusë edhe ato fije që e bashkojnë me ta. Përpara dy javësh shteti i cili nga Jugosllavia trashëgoi territore por jo ushtri, futi tanket në Universitetin e Shqiptarëve të Tetovës. Ndërsa përpara dy ditësh arrestoi shtatë aktivistë kosovarë dhe i dorëzoi në policinë serbe. Të gjitha këto akte kryhen nga një shtet që e mban buxhetin e vet me taksat absurde që u merr shqiptarëve në kufi. Nga një shtet i cili e legjitimoi veten me votat e popullsisë shqiptare. Dy kolonat e shtetit maqedon, regjistrimi i popullsisë në korrik dhe zgjedhjet në tetor, do të ishin të pavlefshme pa pjesëmarrjen e shqiptarëve. Në të dy rastet shqiptarët kërcënuan bojkotin e sidoqoftë morën pjesë. Por në të dy rastet Maqedonia nuk dha atë që u premtoi shqiptarëve. Shifra reale e shqiptarëve u reduktua tinëzisht ndërsa krijimi i Universitetit që u premtua përpara zgjedhjeve, u minua pas tyre. Sepse një nga kushtet e shqiptarëve për t’u futur në zgjedhje ishte hapja e Universitetit. Gligorovi këtë e premtoi publikisht. Tashmë pas 2 vjetësh të krijimit të Maqedonisë, është e qartë se ekzistenca e këtij shteti nuk është ashtu siç u interpretua në fillim: në dobi të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Përkundrazi. Megjithëse daulleve kundra krijimit të Maqedonisë u ra Athina, zhurma shurdhoi shqiptarët. As Serbisë, as Bullgarisë dhe as Greqisë, Shkupi nuk i ka dhënë shkas për acarime, ndërkohë që të gjitha koncesionet i janë bërë nga Shqipëria dhe nga shqiptarët. Në rast se Maqedonia nuk do të ekzistonte ndoshta çështja shqiptare do të ishte më afër zgjidhjes. Të gjithë shqiptarët do të ishin të grupuar nën çadrën e një shteti të vetëm, siç ishin deri para dy vjetësh në Jugosllavi. Shqiptarët e Kosovës bashkë me ata të Maqedonisë do të ishin normalisht më të fortë dhe më të organizuar. Në këto kushte për fatin e shqiptarëve, do të duhej të negociohej vetëm me një palë. Ndërsa me krijimin e Maqedonisë, në Ballkan ekzistojnë dy shtete me elementin shqiptar: ish Jugosllavia dhe Maqedonia. Qysh nga dita e formimit të shtetit maqedon, Shqipëria duhet të bisedojë me dy palë për fatin e shqiptarëve jashtë kufijve. Me Shkupin dhe me Beogradin. Rrjedhimisht politikat nacionale përthyhet në dy tavolina duke humbur orientimin, forcën dhe ndoshta qëllimin. Shqipëria duhet të prishë dy shtete në qoftë se do të jetë Shqipëri. Por administrata shqiptare duhet të ketë menduar ndryshe kur mbështeti dhe njohu Maqedoninë. Si një administratë e re dhe e varur kokë e këmbë nga Evropa dhe sidomos SHBA, ajo duhet të ketë adaptuar formula të gatshme. Ashtu si të gjitha administratat e reja të krijuara në Evropën Lindore pas rënies së komunizmit, edhe administrata shqiptare bëri premtime të nxituara për çështjen kombëtare. Por ndryshe nga gjithë Lindja, pasiviteti i administratës shqiptare ka infektuar edhe opozitën. Të gjitha opozitat në Lindje janë fokusuar në çështjen kombëtare. Ndërsa në Shqipëri, çështja kombëtare ka mbetur monopol i pushtetit. Ata që duan ta marrin atë nuk kanë reaguar aspak dhe ndoshta nuk kanë ditur të reagojnë, kur Shqipëria ka ndihmuar shtetin maqedon në dëm të shqiptarëve, ose kur i ka përçarë ata në dobi të Maqedonisë. Por në qoftë se Shkupi që nuk trashëgoi dot as edhe një pistoletë nga arsenali jugosllav ja ka zënë diku “kokën me derë”administratës shqiptare, opozita nuk ka pse t’i vuaj këto komplekse. Përkundrazi. Në qoftë se tashmë është vonë të pyetet nëse ka arsye që Maqedonia të ekzistojë, nuk është aspak vonë të ndryshohet kursi ndaj saj. Në qoftë se Maqedonia tregoi se nuk di t’i mbajë premtimet, Shqipëria duhet të tregojë se nuk gabon dy herë. Por për fat të keq Shqipëria është përsëri shumë vonë. Arrestimi dhe ekstradimi i 7 kosovarëve në Serbi ishte një dhuratë për Krishtlindje për policinë serbe. Ndërsa përpara disa javësh Greqia e zhbllokoi portin e Selanikut për Shkupin. Këto manovra tregojnë se ideja e administratës shqiptare për një aleancë të mundshme me Maqedoninë për të neutralizuar Greqinë dhe ndoshta Serbia doli huq. Sepse Maqedonia dëshmoi se ajo do t’i përdorë shqiptarët dhe jo t’i ketë aleat. Në këto kushte kur ai që vonohet merr më pak, të vetmit aleatë për Shqipërinë janë shqiptarët e Maqedonisë. Ata shqiptarë që kanë vënë votat në themelet e shtetit maqedon. Ata shqiptarë, votat e të cilëve janë të domosdoshme, si tullat për murin. Në rast se tullat hiqen, muri bie. E me ato tulla mund të ngrihet një mur tjetër, por kurrë më po ai mur.,
Ben Blushi

SHKARKO APP