Ja se ç’shkruante Dritero Agolli në Gazetën KOHA JONE me 13 mars 1992: Ja pse dështoi Lidhja e Shkrimtarëve!
13 mars 1992 (KOHA JONE)
Dritero Agolli: Kuvendi kombëtar i krijuesve dështoi, përse?
Që kur u zgjodh ai komision organizativ në mbledhjen e zgjeruar të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në dhjetor të vitit të kaluar, u duk qartë se ky Kuvend do të dështonte. Dy tre anëtarët më aktivë për punë të pastra dhe të këqija me zotin Gjergj Zheji në krye ishin për shkatërrimin e Lidhjes. Ky zotni që në dhjetor u shpreh haptazi se Lidhja duhet shpërndarë, se duhet bërë një kuvend për shkatërrimin e saj. Dhe për atë nuk ka rëndësi Lidhja, pasi është një shkrimtar anonim, pa asnjë vlerë, një ish-libretist pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, një vjedhës i rëndomtë librash. (Një libret që ia ka vjedhur Ruzhdi Qatipit dhe tjetrin Kolë Gjakovës, të cilët donin ta hidhnin në gjyq prej kohësh, por e lanë. U ankuan në Opera, në Lidhjen e Shkrimtarëve, por mua më dukej si e pabesueshme: Dhe ky ishte gabimi im, që nuk mbrojta të drejtën e autorëve). Pra, i gjithë ky komision, duke përjashtuar ndonjërin dhe zotin Preç Zogaj, i cili nuk u angazhua me të, ishte një grup njerëzish pa vlera dhe pa asnjë autoritet në fushën e letërsisë, një grup që i kishte vënë vetes për detyrë të shajë e të hedhë baltë vetëm mbi figurën e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Me një fjalë për të organizuar jo një kuvend shkrimtarësh, por një miting denoncuesish dhe shpifësish ndaj kryetarit dhe kryesisë. Prandaj në të ashtuquajturin kuvend shkrimtarësh të 3 marsit, gjëmuan boritë dhe daullet e Gjergj Zhejit, të vjedhura si libretet nga Teatri i Operës dhe Baletit, rrahën teneqetë e Valter Files të marra nga rekuizita e Kinostudios që trumbetonin për gjak, dhe u dëgjuan psherëtimat e vuajtjeve të mëdha të ndonjë amazonke të poezisë, vuajtje dhe mjerime nga profesioni i lirë që gëzon që në moshën 27-vjeçare! Por njerëzit me mend si Pëllumb Kulla, Preç Zogaj, Teodor Laço, Edi Rama, Tahsim Aliaj, Fatbardha Shkupi e ndonjë tjetër ndërhynë me vend dhe folën si shkrimtarë dhe artistë, që u dhimbset arti dhe që preokupohen me realizëm për perspektivën. Në pseudokuvendin nuk u pa Lidhja si fenomen, si një ingranazh në gjithë mekanizmin kolosale të diktaturës për të kontrolluar dhe për të komanduar krijuesit, nuk u pa edhe si ndihmëse e këtij mekanizmi, por në të njëjtën kohë edhe si pjesa më liberale e më kundërshtuese e regjimit. Lidhja në këtë Kuvend u pa si fenomeni Dritëro, si objekt për të shfryrë inatet e mëritë, smirat dhe zilitë provinciale të dështakëve dhe të impotentëve, që në vezë të krijimtarisë së tyre. Kuvendi dështoi plotësisht, pasi grupi organizativ është pa autoritet, është pa intelektualë të lartë krijues, është grumbull anonimësh që nuk i njeh as rrëza e lumit Lanë. Duke qenë një grup anonimësh, ky komision nuk ka sensin e perspektivës, sensin e qëllimit të ekzistencës së Lidhjes në kohën kur janë krijuar 10 lidhje e shoqata të tjera shkrimtarësh dhe artistësh. Ç’anëtarë do të ketë kjo Lidhje, kur ata kanë ikur nëpër 10 lidhjet e shoqatat e tjera.
Lidhjen sot mund ta quajmë “Lidhja e Anëtarëve të Komisionit Organizativ” pasi vetëm ky komision ka mbetur në Lidhje, duke aktivizuar edhe një, dy a tre pensionistë të tjerë, përveç dy a tre që janë në komision. Gazeta “Drita” në lajmin e botuar më 8 mars, mbledhjen dështake e quan “Kuvend Konsultativ”. Atributi “konsultativ” është një mballomë e qepur më vonë, pas dështimit. Në ftesë, me pompozitet, quhej “Kuvendi Kombëtar i Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Bile kjo ftesë kishte dhe vlerën e mandatit për votime. Dështimi u emërua dalëngadalë, “konsultim” për t’u dhënë pjesëmarrësve nga një karamele dhe për të zgjatur pakëz jetën e këtij komisioni të plakur me meritë dhe inatet pleqërishte e me impotencën krijuese./Dritëro Agolli/