Ja sesi do të bëhet regjistrimi në universitete

Ministria e Arsimit ka përcaktuar datën 12 tetor për nisjen e vitit të ri akademik, i parashikuar të përfundojë më 30 shtator. Gjithashtu, Ministria e Arsimit ka përcaktuar  mënyrën si do të pranohen studentët e rinj. Fituesit paraprak në universitete do të publikohen në datën 3 shtator dhe menjëherë më pas do të nis regjistrimi i tyre, i cili do të mbyllet në 9 shtator.
Kandidatët fitues në listat paraprake, kanë të drejtë të bëjnë dy zgjedhje në momentin e regjistrimit on-line: Të konfirmojnë dhe kryejnë regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar në listat paraprake të shpallura, duke ndërprerë konkurrimin. Të vazhdojnë konkurrimin për të fituar një preferencë më të lartë duke bërë zgjedhjen përkatëse gjatë procedurave të regjistrimit on-line.
Këta kandidatë, së bashku me kandidatët që nuk janë shpallur fitues në listat paraprake, konkurrojnë për vendet e mbetura bosh të kandidateve fitues të cilët nuk kanë kryer regjistrimin on-line”, – përcakton urdhri i Minestres se arsimit Lindita Nikolla.
Kandidatët, të cilët nuk kryejnë regjistrimin paraprak (on-line, ose në sekretaritë mësimore) brenda datave 4-9 shtator, për çfarëdo lloj arsye, humbasin të drejtën e regjistrimit dhe të vazhdimit të procesit. Këta kandidatë nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve. Sa i përket fituesve, ato do të shpallen në datën 14 shtator dhe më pas nis regjistrimi përfundimtar.
“Sekretaritë mësimore të fakulteteve nga data 15 Shtator 2015 deri më 19 Shtator 2015, bëjnë regjistrimin e kandidatëve fitues. Kandidatët dorëzojnë personalisht dokumentacionin plotësues: Dokumentin e identifikimit, 2 fotografi personale, mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 leke dhe deklaratën me të dhënat personale”, – thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit.
Sikurse edhe vitet e kaluara, mundësia e fundit për të fituar Universitetin do të jetë me formularin A3. Këtë formular nuk mund ta plotësojnë të gjithë kandidatët.  Ndërkohë Ministria e Arsimit është duke përpunuar analizën e maturës shtetërore ku pritet të dalin shifrat e sakta se në ç’nivel kanë qenë maturantët për vitin 2015-t.

 

SHKARKO APP