Ja si e hoqi regjisori skenën e fundit të filmit “Skënderbeu” dhe thirrjet histerike “Stalin- Enver”

Me rastin e 485-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shteti shqiptar, në bashkëpunim me BS, aleatin e madh politik e strategjik, realizoi filmin e parë artistik “Skënderbeu”,  me bashkëprodhim, ku, natyrisht, pjesën më të madhe financiare dhe artistike, e përballoi BS.

Kjo, për kohën, ishte një sipërmarrje shumë e madhe që mobilizoi krijuesit më të mirë në të gjitha fushat. Pa u ndalur në hollësi të tjera, sot, në 449-vjetorin e vdekjes, 65 vjet më pas, po zbulojmë për lexuesin e 360grade.al”, një kuriozitet që shumë pak vetë e dinë. Skenari i shkruar nga një mjeshtër sovjetik, Mihail Papava, i mbështetur mbi librat historikë të kohës dhe sugjerimet e vazhdueshme të historianëve dhe personaliteteve më të mira të kohës, u realizua nga regjisori me famë Segej Jutkeviç. Skena finale, apo mbyllja e filmit, sipas skenarit ishte paraparë ndryshe. Ja mbyllja e filmit, sipas skenarit origjinal:

“Tamam ashtu, në krahun e një shpate të ngritur përpjetë, i hipur në kalë, është fiksuar në bronz, figura e Skënderbeut, në mes të parkut të Tiranës. Sot në Tiranë, që është kryeqyteti i Republikës Popullore të Shqipërisë, u inaugurua monumenti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë mbushur sheshin dhe rrugët e Tiranës. Dhe kur filloi fjalimin udhëheqësi i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe udhëheqësi i popullit shqiptar, ra menjëherë qetësia në atë shesh. Vetëm era lëkund lehtas gjethet e pemëve të reja.

Enver Hoxha: – 500 vjet më parë, heroi legjendar i popullit shqiptar ngriti flamurin e luftës….[…]

Një brohoritje e fuqishme shpëërtheu në shesh:

Stalin!

Stalin!

Stalin!

Enver Hoxha: – Dhe kampi i paqes është i pathyeshëm!

Enver! Stalin!

Enver! Stalin!

Enver! Stalin! Etj. Etj.

Skenari vazhdon me të tjera absurditete, parakalime partizanësh, fshatarësh e pionierësh me shalle të kuqe, por që, për fat të mirë, nuk u morën parasysh nga regjisori.

Sigurisht, një regjisor i madh si Sergei Jutkeviç nuk mund të binte në atë gabim. Ai kishte bërë një film legjendar, një përkushtim dhe shpenzim kolosal, një film i arrirë dhe nuk mund ta prishte me një skenë patetike, që nuk kishte lidhje fare me filmin, por që ishte bërë për servilizëm, për politikë dhe që, ka shumë gjasa të jetë shtruar nga pala shqiptare, me konsulent Aleks Budën e Llazar Siliqin.  Gjithsesi, finalja e filmit u mjaftua vetëm me  një panoramë të përgjithshme, 10 sekonda,“Tamam ashtu, në krahun e një shpatë të ngritur përpjetë, i hipur në kalë, është fiksuar në bronz, figura e Skënderbeut, në mes të parkut të Tiranës.”

Filmi pati jehonë  dhe sukses edhe në arenën ndërkombëtare, pasi fitoi disa çmime në Kanë, në vitin 1954. Figura e Heroit tonë kombëtar është portretizuar më së miri në interpretimin e shkëlqyer të Horavës dhe në gjithë filmin e Jutkeviçit!“360grade.al”

SHKARKO APP